5 Shtator – Octavius Winslow

Prandaj, vëllezër, ne jemi debitorë jo të mishit, që të rrojmë sipas mishit. Romakëve 8:12

Në mënyrë që rreth një subjekti kaq të rëndësishëm sa ky të mos ketë asnjë errësirë, gjë e cila prret ta keq drejtojë gjykimin, apostulli pohon me qartësi dhe prerazi, se mishi nuk ka ndonjë pretendim të vlefshëm mbi besimtarin; dhe se, për pasojë, ai nuk ka asnjë detyrim që të pajtohet me veprimet e shtirura të tij. Ne jemi debitorë, por mishi nuk është kreditori ynë. Cilat janë kërkesat e tij të cilat na kërkon që t’i përmbushim? A i detyrohemi ndonjë gjë mëkatit, shkaktarit të gjithë mjerimit tonë? Asgjë. Po Satanit, i cili komplotoi tundimin tonë ia arriti të na rrëzonte? Asgjë. Po botës – grackës, mashtrueses dhe shkatërrueses? Asgjë. Jo këtyre, ndihmësve dhe aleatëve të mishit, nuk u detyrohemi asgjë përveç urrejtjes më të thellë dhe kundërshtimit më të vendosur.

E megjithatë shenjtorët e Zotit janë “debitorë”. Debitorë të kujt? Çfarë debitorësh janë ata ndaj Atit, për dashurinë e Tij zgjedhëse, për besëlidhjen e hirit, për dhuratën e Tij të patregueshme, që na ka bekuar me të gjitha bekimet frymërore në Krishtin Jezus! Ne e vlerësojmë në mënyrë jo të përsosur borxhin e dashurisë, mirënjohjes dhe shërbimit që i detyrohemi Atij, mendjen e të cilit Biri i Përjetshëm erdhi të na e zbulojë, vullnetin e të cilit Ai erdhi të bënte dhe zemrën e të cilit Ai erdhi ta zbulonte. Ishte Ati ai që dërgoi Birin. Me Të filloi qëllimi i mrekullueshëm i shpengimit tonë. Ai ishte ai që i vendosi të gjitha mëkatet tona mbi Jezusin. Ishte shpata e Tij e Drejtësisë që goditi Bariun, ndërsa dora e Tij e dashurisë dhe mbrojtjes u vu mbi të vegjlit. Ne kemi menduar shumë se Shlyerja e Jezusit kishte për qëllim të frymëzonte mëshirën, ne vend që të kënaqte drejtësinë e Perëndisë; për të zgjuar në zemrën e Tij një dashuri që nuk ekzistonte më parë. Kështu, ne kemi anashkaluar burimin ku e pati origjinën shpëtimi ynë dhe i kemi larguar sytë nga e vërteta, se ndërmjetësimi i Jezusit nuk ishte shkaku, por më tepër pasoja e dashurisë së Perëndisë për njeriun. “Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona.” Oh, sikur të kishim një shpirt që kupton, dhe hir për të ndjerë, dashuri që të ilustrojë, detyrimin tonë të thellë ndaj Perëndisë për dashurinë e përjetshme që na dha Birin e Tij!

Ne jemi po aq debitorë edhe ndaj Birit. Ai ishte agjenti aktiv në shpengimin tonë. Ai ishte ai që ndërmori dhe përmbushi gjithçka që kërkonte shpëtimi ynë. Ai nuk la asnjë shteg të pashkelur, nuk la pa mbajtur asnjë pjesë të mallkimit, nuk la asnjë mëkat të pashlyer, nuk la asnjë asnjë pjesë të ligjit të pa anuluar – nuk la asgjë për t’u bërë nga ne në çështjen e shpëtimit tonë, por thjesht të besojmë dhe të shpëtohemi. Oh, sikur t’i ngremë sytë drejt Atij – të fortë në besim, duke rrezatuar me dashuri, plot me pendim dhe duke thirrur, “Ti ke mbartur mëkatin tim, ke duruar mallkimin tim, ke shuar ferrin tim, ke siguruar parajsën time. Shpirti yt u plagos për mua; zemra jote u përgjak për mua; Trupi yt u plagosur për mua; për mua u godit shpirti Yt – për mua, një mëkatar, kreu mëkatarëve. Unë jam borxhliu Yt – një debitor ndaj dashurisë tënde që vdiqe për mua, ndaj mëshirës tënde të përjetshme, ndaj mëshirës tënde dalluese. Me siguri një përjetësi dashurie, shërbimi dhe lavdërimi, nuk mund të të shpaguajë dot kurrë për gjithë sa të detyrohem Ty, Ti Jezus i bekuar.”. Oh, çfarë detyrimi të thellë që kemi ndaj Krishtit!

Dhe jo më pak borxhlinj jemi ndaj Frymës së Shenjtë. Çfarë nuk i detyrohemi Atij në dashuri dhe bindje, i cili zgjoi dridhjen e parë të jetës në shpirtin tonë; i cili na tregoi fajin tonë dhe na vulosi faljen? Çfarë nuk i detyrohemi Atij që na çoi te Krishti; që banon në zemrat tona; për hirin e Tij shërues, shenjtërues, ngushëllues dhe ripërtëritës; për ndikimin e Tij, të cilin asnjë mosmirënjohje nuk e ka shuar; për durimin e Tij, të cilin e nuk e ka shteruar asnjë mosmirënjohje; për dashurinë e Tij, të cilën nuk e ka asgjësuar asnjë mëkat? Po, ne jemi debitorë të përhershëm ndaj Frymës. Ne i detyrohemi Atij intelektin që Ai na ka ripërtërirë, zemrën që Ai na ka shenjtëruar, trupin në të cilin Ai banon, çdo frymëmarrje të jetës që Ai ka frymëzuar dhe çdo impuls dashurie që Ai ka zgjuar. Kështu, të gjithë besimtarët e vërtetë janë debitorë të Perëndisë Triun – debitorë ndaj dashurisë së përjetshme të Atit, debitorë ndaj hirit shpengues të Birit dhe debitorë ndaj mëshirës rilindëse të Frymës. Mishit nuk i detyrohemi asgjë tjetër përveç urrejtjes pa kompromis; kurse Zotit Jahve i detyrohemi dashurinë e pandarë dhe supreme.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*