2 Nentor – Octavius Winslow

2 Nëntor

“Në qoftë se ju do ta duroni qortimin, Perëndia do t’ju trajtojë si bij; sepse cilin bir nuk e korigjon i ati?” Hebrenjve 12:7

Duke qenë se disiplina jonë është shenjë e birërisë tonë, po kështu janë edhe ngushëllimet tona. Pamja e dashur që na jep Fryma për veprimet e Atit, nënshtrimi zemërbutë i vullnetit, pranimi i dashur i zemrës, dorëzimi i plotë i shpirtit te Perëndia, gjëra të cilat Ai i krijon na japin një bazë të pakundërshtueshme mbi të cilën të arrijmë në përfundimin pozitiv rreth realitetit që ne jemi fëmijë të Perëndisë. Ekziston një thellësi dhembshurie dhe një masë butësie në ngushëllimet e Perëndisë të cilat mund të burojnë vetëm nga zemra e një ati – Atit, vetë Perëndisë. “Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.”

Sa gjë e ëmbël të dimë që korrigjimi dhe ngushëllimi, lëndimi dhe shërimi, rrjedhin nga e njëjta zemër, vijnë nga e njëjta dorë dhe secila prej tyre përcjell një mesazh dashurie dhe një tregues birërie. A po e forcon, zbut dhe qetëson zemrën tënde të shtypur, të trazuar dhe të pikëlluar Perëndia i çdo ngushëllimi? Kjo është mënyra sesi Fryma dëshmon për birësimin tënd. Ai përkulet në çdo brengë tënden, Ai vjen pranë teje në çdo rrethanë të pikëllimit tënd. Ai përpiqet të vulosë në zemrën tënde të zbutur një ndjesi më të thellë dhe më të qartë të interesit tënd prej biri në dashurinë e Perëndisë.

Nëse kjo humbje e madhe, nëse kjo goditje rrënuese, nëse ky hidhërim dhe kjo zymtësi, janë mënyra sesi Fryma po të ngre me butësi dhe hir nga zona e dyshimit dhe shqetësimit në birërinë tënde nën dritën e bukur të dashurisë së Atit tënd, në mënyrë që të mos dyshosh, apo mohosh më pranimin tënd në të Dashurin, dhe birësimin tënd në familjen e Tij, a nuk do ta puthësh thuprën, a nuk do ta duash dorën dhe a nuk do ta bekosh zemrën që të ka goditur?

Mos harro që vula e brendshme e birësimit dëshmohet nga vula e jashtme e shenjtërimit, që nëse Fryma e Krishtit është në zemrën tënde, fryti i Frymës do të shfaqet në jetën tënde. Prandaj, kështu zemërbutë dhe i përulur si Shpëtimtari, i ndarë nga bota, që të mos jetosh si bota dhe të mos gëzohesh në gjërat që gëzohet ajo – në dhomëzën e fshehtë të shpirtit tënd do ta dëgjosh shpesh zërin e Perëndisë që të thotë, “dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*