1 Dhjetor – Octavius Winslow

1 Dhjetor

“Ai do të ulet si ai që shkrin dhe pastron argjendin; do t’i pastrojë bijtë e Levit dhe do t’i rafinojë si arin e argjendin, me qëllim që ata të mund t’i ofrojnë Zotit një blatim me drejtësi.” Malakia 3:3

“Hiq zgjyrën nga argjendi dhe ka për të dalë një enë për argjendarin.” Fjalët e Urta 25:4

Shihni rezultatin madhështor dhe të lavdishëm të këtij procesi të zjarrtë – një ofertë e drejtë për Zotin; një enë e formuar, e përgatitur dhe e zbukuruar për Rafinuesin; një “enë nderi e përshtatshme për shërbimin e të Zotit.” Rezultat i bekuar! Oh çfarë mrekullish që arrihen nga zjarri i furrnaltës së Perëndisë! Jo vetëm që “Perëndia përlëvdohet në zjarr,” por edhe besimtari shenjtërohet. A e keni vëzhguar ndonjëherë procesin e mjeshtrit ndërsa përgatit zbukurimin e tij të bukur? Pasi e ka nxjerrë nga modeli, e ka formuar me zotësi dhe ashtu si duhet, atëherë ai vizaton mbi të modelin që duhet të mbajë, ngjyen penelin e tij në ngjyrat më të ndezura. Por vepra ende nuk ka përfunduar. Forma e zbukurimit duhet të fiksohet, figurat duhet të vendosen, ngjyrat duhet të përthithen dhe kështu të përfundohet e gjitha. Me çfarë procesi arrihet kjo gjë? Duke e kaluar përmes zjarrit.

Vetëm zjarri e përfundon punën. Kështu ndodh edhe me shpirtin e rafinuar – me atë enë të formuar bukur, e cila duhet të zbukurojë pallatin e Mbretit tonë për përjetësinë – mbi të cilin do të fiksohet soditja, mahnitja dhe ëndja e çdo qenieje të shenjtë inteligjente. Perëndia e ka derdhur në modelin Hyjnor, ka vizatuar mbi të “shëmbëlltyrën e Birit të Tij,” me një penel të zhytur në vetë ngjyrat e qiellit – por ajo enë duhet të kalojë përmes furrnaltës së mundimit, për ta vulosur kështu gjithë veprën me plotësi dhe përjetësi. Prandaj, me qetësi dorëzohu në duart e Mjeshtrit tënd Hyjnor, duke mos kërkuar as shuarjen e një shkëndije të vetme derisa puna e shenjtë të përfundohet. Perëndia mund të kalitë dhe zbutë – por Ai nuk e largon kurrë syrin e tij nga vepra e Tij qoftë edhe për një çast – por e madhe ka për të qenë humbja jote nëse del nga mundimi i pa shenjtëruar!

Oh sikur të kishim mundësi që me një vizion më të qartë besimi të shihnim arsyen dhe qëllimin e Perëndisë kur na dërgon qortimin, atëherë nuk do të habiteshim më, nuk do të murmurisnim më, dhe asnjë nga veprimet e dhimbshme të Atit nuk do të na shqetësonte. Pena e Davditi nuk shkroi kurrë më ëmbël sesa kur u zhyt në bojën e mundimit. Harpa e tij nuk lëshoi kurrë një melodi më të thellë dhe më të pasur sesa kur mbi telat e saj kaloi flladi i trishtimit. Kjo ka qenë dëshmia e përbashkët e shenjtorëve të Perëndisë në çdo epokë. “Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua. Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde.”

Mëso të shohësh dorën e një Ati, po, zemrën e një Ati në çdo mundim. Nuk është një armik hakmarrës që të ka disiplinuar, por një Mik i dashur: nuk është një i huaj i pandjeshëm, por një Atë i dashur, i cili edhe pse mund të të hedhë përtokë në pluhur, nuk do të të dëbojë kurrë nga dashuria e Tij. Kapiteni i shpëtimit tënd – Ai Vetë u bë i përsosur përmes vuajtjes – ka për qëllim vetëm përparimin tënd më të lartë frymëror në ushtrinë e Tij përmes çdo mundimi shenjtërues që të dërgon. Ti je duke shkuar për në banesën e përgatitur për ty nga Shpëtimtari yt, në mbretërinë që të është dhënë nga Ati yt. Udhëtimi është i shkurtër, koha po kalon shpejt; edhe pse kryqi është i rëndë dhe shtegu është i vështirë nuk do të të duhet ta mbartësh atë edhe për shumë kohë. Lëre psherëtimën e thellë që të kontrollohet prej drithërimës së ngazëllimit që duhet të krijojë një pritje e tillë, “Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë.”

Era nuk do të ulërijë gjithmonë, as ujërat nuk do të jenë gjithmonë të trazuara; mjegulla e mërzitshme nuk do të qëndrojë përgjithmonë në horizont, as rrezet e diellit nuk do të humbasin përgjithmonë në errësirë. Dashuria e Atit tënd nuk do të flasë gjithmonë me tone të mbytura, as Shpëtimtari yt nuk do ta fshehë Veten përgjithmonë pas murit apo brenda hekurave të dritares. Era do të lëshojë sërish melodi, ujërat do të qetësohen sërish; mjegulla do të avullojë sërish; dielli do të shpërthejë sërish në ndriçim; dashuria e Atit tënd do të flasë me tinguj të qartë, dhe Shpëtimtari yt do të ta shfaqë Veten e Tij pa asnjë vel. Fëmijë i menduar në mundime! Shtegtar i lodhur nga pikëllimi! Hezitues e megjithatë në lutje; dyshues e megjithatë me shpresë; fajtor e megjithatë i penduar; e ke vendosur dorën mbi kryet e Flijimit të madh të caktuar, hedh vështrimin drejt qiellit me sytë e mbushur me lot, rrëfen mëkatin tënd dhe përgjërohesh me besim për gjakun e spërkatjes.

Oh, ngazëllohu që ky mundim i dhimbshëm i shpirtit është thjesht përgatitja e Frymës për vendin që të pret në tempullin qiellor, atje ku ditët e vajtimit tënd do të marrin fund. Mund ta mbartësh kryqin deri në hapin e fundit të udhëtimit – duke vajtuar deri sa të arrish portën e qiellit – por atje do të ulësh kryqin dhe loti i fundit i hidhur do të fshihet përgjithmonë! Me të vërtetë mund të deklarojmë, “Lum ai njeri që ti ndreq, o Zot, dhe që ti mëson sipas ligjit tënd.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*