4 Dhjetor – Octavius Winslow
4 Dhjetor
“Fryma e Shenjtë në fakt nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk ishte përlëvduar.” Gjoni 7:39
Hyrja triumfale e Zotit tonë në lavdi ishte sinjali i zbritjes së Frymës së Shenjtë. Ai zor se e kishte kaluar pragun e tempullit qiellor, ceremonitë festive të kurorëzimit të Tij mes himneve të miliona adhuruesve sapo kishin përfunduar, kur premtimi i Atit u përmbush dhe kisha jetime e Jerusalemit u pagëzua me Frymën prej së larti. Oh sa shpejt që u përmbush ai premtim! Sa shpejt që i përmbushi Jezusi betimet e dashurisë së Tij! Derdhja e Frymës së Shenjtë në ditën e Pentekostti ndodhi pesëdhjetë ditë pas ringjalljes së Krishtit. Për dyzet ditë Ai u pa nga dishepujt, “të cilëve ua tregoi Veten të gjallë me shumë prova bindëse pasi kishte vuajtur;” dhe pastaj kaluan vetëm dhjetë ditë nga kthimi i Tij në mbretërinë e Tij para se Fryma të zbritste me gjithë bollëkun e fuqisë së Tij përlëvduese, dëshmuese, rizgjuese dhe shenjtëruese!
Pse u lejua që të kalonin dhjetë ditë nga përlëvdimi i Jezusit deri te zbritja e Frymës? Nuk ka dyshim që kjo kishte për qëllim ta vendoste kishën në një gjendje të përgatitur për të marrë një bekim kaq të pamasë, kaq të shenjtë dhe kaq të pasur. Zoti dëshironte që ata të ishin në një qëndrim të përshtatshëm për mëshirën. Nga të gjitha qëndrimet në këtë anë të lavdisë, qëndrimi i lutjes ishte ai qëndrimi më i bekuar dhe më i shenjtë. Kështu i gjeti Fryma dishepujt në Ditën e Pentekostit. Kur zbritën nga mali i ullinjve, ku kishin parë për herë të fundit formën e Zotit të tyre që po ngjitej në qiell, ata u kthyen në Jerusalem, dhe “u ngjitën në dhomën e sipërme,” ku qëndronin pjesa tjetër e dishepujve. “Të gjithë këta ngulmonin me një mendje të vetme në lutje dhe përgjërim.” Dhe ndërsa ata ishin “në një mendje të vetme, në të njëjtin vend” duke derdhur shpirtin e tyre në përgjërim të zellshëm, “befas nga qielli erdhi një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm, dhe e mbushi gjithë shtëpinë ku ata po rrinin. Dhe atyre u dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre. Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë.”
Në çmënyrë të dukshme dhe të përndritur që u përlëvdua Jezusi – Hynia e Tij shkëlqeu me një rrezatim verbues – sa i lavdishëm që u shfaq Ai në sytë e turmave të mahnitura, mbi kryet e Tij ishte kurora, jo ajo me gjemba, i veshur me mantel, por jo me mantelin në të cilin e tallën, por me Hyjninë e Tij të vërtetë! Me çfarë madhështie të butë dhe hap mbretëror që do të ecte Ai tani mes turmës së mbledhur që rrëfente Perëndinë! E gjithë kjo lavdi hyjnore do të dukej në anën e Shpengimit – pasojat e saj do të ishin pasojat e Hirit – manifestimet e saj do të ishin manifestimet e Dashurisë – sinjalet e saj do të ishin sinjalet e Mëshirës. A nuk ishte kështu?
Shihni se si e mbushën tempullin! Disa, duart e të cilëve zor se ishin pastruar nga gjaku që ata kishin derdhur në Kalvar; të tjerë kishin ende çehren e errtë të armiqësisë mbi ballin e tyre. Vini re me sa vëmendjen që soditin ata! Shihni si dëgjojnë pa marrë frymë! Shihni si dridhen të frikësuar! Shihni me sa ankth që godasin kraharorin e tyre dhe thërrasin, “Burra, vëllezër, çfarë duhet të bëjmë?” Fryma nuk u kënaq me triumfin e tij në këtë pikë; nuk ndaloi derisa i udhëhoqi tre mijë mëkatarë zemërthyer te Burimi i hapur “për mëkatin dhe papastërtinë” për hapjen e të cilit disa prej tyre kishin qenë instrumente, dhe prej tij të dilnin të larë, të shenjtëruar dhe të shpëtuar – si trashëgimtarë të Perëndisë, si bashkëtrashëgimtarë me Krishtin Jezus. Tani Jezusi ishte përlëvduar – tani mbi kryet e Tij ishte vendosur një kurorë prej ari të kulluar – tani u përmbushën fjalët e Tij profetike, “Atë ditë do të mësoni se unë jam në Atin tim, dhe se ju jeni në mua dhe unë në ju.”
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!