31 Dhjetor – Octavius Winslow

31 Dhjetor

“Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thosha. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend.” Gjoni 14:1-2

Të shkosh në shtëpi, çfarë reflektimi qetësues! Çfarë pritjeje ngazëlluese! Zemra rreh më shpejt – syri sheh më qartë – fryma bëhet edhe më e gatshme – gjithë shpirti ngrihet me krahë fuluturim, i gatshëm për fluturimin e tij thjesht nga mendimi i qiellit. “Po shkoj t’ju përgatis një vend,” ishte një nga siguritë më të ëmbla që doli nga buzët e Shpëtimtarit që po largohej; edhe pse u tha para dymijë vjetësh, ato fjalë erdhën në kujtesë si jehona e një muzike, e rrëqeth zemrën me një ndjenjë të shenjtë dhe të papërshkrueshme. Po! Ai ka hyrë përtej velit si Pararendësi ynë; Ai ka përgatitur qiellin për ne, dhe përmes disiplinës së Tij të butë, të urtë dhe të dashur Ai është duke na përgatitur ne për qiellin. Mes skenave përherë në ndryshim të tokës, është inkurajim të mendojmë për qiellin si shtëpia jonë e sigurt. “Në shpresën e jetës së përjetshme, të cilën Perëndia, që nuk gënjen, e premtoi para të gjitha kohërave.”

Kjo nuk është një bazë e dobët për besimin – nuk është një dukje shprese. Qielli është “prehja” e premtuar – është imazhi i jashtëzakonisht i qartë! Ai premtim është fjala e Atij që nuk gënjen. Asnjë gjë nuk mund t’ia kaloë dhe as mund të krahasohet me këtë! Siguritë njerëzore – më të fortat dhe më të bukurat – janë përkulur dhe janë thyer poshtë nesh. Shpresat e ndritura të cilat i ushqyem me shumë dashuri janë zhdukur si retë e mbrëmjes dhe horizontin që e kishin pikturuar me njëmijë nuanca ngjyrash tani e veshin me mbulesën e zymtë të natës. Por qielli është i vërtetë! Perëndia e ka premtuar – Krishti e ka siguruar – Fryma i Shenjtë është kapari i tij – dhe gëzimet që i ndiejmë tani janë garancitë dhe “frytet e para” të tij. Shtëpia që dëshirojmë dhe të cilën mezi e presim nuk është vetëm shtëpi e premtuar, ajo është gjithashtu shtëpia jonë e përsosur dhe e përhershme. Karakteri i përzierë i atyre stinëve të cilat tani i quajmë prehje si dhe vendet dhe banesat e ndryshueshme të cilat tani i quajmë shtëpi, do të na kujtojnë përherë që ende nuk kemi arritur në prehjen e përsosur dhe në shtëpinë tonë të përhershme në qiell. Është shumë e vërtetë që Perëndia është shtëpia e tanishme e besimtarit dhe Jezusi është prehja e tij e tanishme.

Poshtë hijes së kryqit, përkrah fronit të mëshirës, brenda çadrës së dashurisë së Atit, ka një prehje të vërtetë mendore, ka qetësi të vërtetë të zemrës, një paqe që ia tejkalon çdo zgjuarsie gjendet këtu, kur të gjitha gjërat e tjera janë kalimtare si një re dhe boshe si një ëndërr. “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.” Por në qiell shohim për lumturinë e përsosur dhe të pandryshueshme të shpirtit. Me çfarë imazhi ta portetizoj? Si ta përshkruaj? Mendoni për të gjitha të këqijat e gjendjes tuaj të tanishme – asnjë prej tyre nuk ekziston në qiell! O i vajtuar, atje vdekja nuk hyn, nuk vret dhe nuk ndan. O i sëmurë, atje nuk të lëngon, nuk të dobëson dhe nuk të tret sëmundja. O i pikëlluar, atje nuk të irritin, nuk të trishton dhe as të mbulon pikëllimi.

O i shtypur, mizoria nuk të lëndon, nuk të plagos dhe nuk të shtyp atje. O i braktisur, paqëndruehsmëria nuk të zhgënjen, nuk të pezmaton dhe as të përçmon atje. O ti që qan, atje nuk do të derdhësh lot, nuk do të të njomen dhe as do të të turbullohen sytë. “Gjërat e shkuara kanë kaluar.” Mbi atë ballë të lëmuar dhe mbi ato tipare të qeta nuk ka asnjë rrudhë, asnjë vijë apo hije e trishtimit, pikëllimit dhe vuajtjes së kaluar – nuk ka asnjë shenjë dëshirash të paplotësuara apo shpresash të zhgënjyera. Shkretëtira është lënë pas, oqeani është kaluar, kemi arritur në shtëpi dhe shpirti gjen prehje në qiell, atje ku gjithçka është përsosmëria e pastërtisë dhe bollëku i shkëlqimit. Epokat pasojnë njëra-tjetrën pa fund, por ende gjithçka është e shkëlqyer, e re dhe e përjetshme. Kush nuk do të jetonte për të fituar dhe për të shijuar një qiell kaq të bukur, kaq të shenjtë dhe kaq të pandryshueshëm si ky? Ai që ka Krishtin në zemrën e tij ruan shpresën e pashueshme dhe të pavdekshme të lavdisë.

Mjafton që Perëndia është Ati im, Dielli im dhe Mburoja ime; që Ai do të më japë hir dhe lavdi, dhe nuk do të më privojë nga asnjë gjë e mirë dhe e nevojshme. Mjafton që Krishti është Pjesa ime, Avokati im, Miku im dhe që pavarësisht se çfarë mund të humbasë, dhembshurisë së Tij nuk do t’i vijë fundi, mjaftueshmëria e Tij nuk do të dështojë, dhe dashuria e Tij nuk do të vdesë. Mjafton që besëlidhja e përjetshme është imja, dhe që ajo besëlidhje që është bërë me mua parashikon çdo gjë dhe është e sigurt. Mjafton që qielli është prehja ime, që jam duke udhëtuar drejt tij, dhe që jam një vit më pranë shijimit të tij të bekuar dhe të përjetshëm.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*