Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

“Mbretëria” është një temë e madhe për Jezusin. Në përkthimin ESV “mbretëria” përmendet 126 herë tek Ungjijtë. Por pastaj “mbretëria” përmendet vetëm 34 herë në pjesën tjetër të Dhiatës së Re, gjë e cila e shtyn Kristoferin nga Mbretëria e Bashkuar të na shkruajë dhe të pyesë, “Përshëndetje Pastor John! Faleminderit shumë për serinë tënde PPJ (Pyet Pastor John). Jam i mahnitur që ju bëni përpjekje kaq të mëdha për t’iu përgjigjur pyetjeve kaq të ndërlikuara dhe të vështira nga njerëz krejtësisht të panjohur si puna ime! Pyetja ime për ju është kjo: Vetë Ungjilli sipas Mateut është i mbushur me referenca për ‘mbretërinë’ që po vjen (55 të tilla). Por nga Veprat e Apostujve dhe tek letrat, duket sikur ‘mbretëria’ përmendet fare pak. Prandaj, çfarë është kjo ‘mbretëri e Perëndisë’? A është kjo kisha apo diçka më e madhe?”

Unë dëgjoj dy pyetje kritike: (1) Çfarë është mbretëria e Perëndisë? (2) Pse kjo ka një fokus kaq të madh dhe të qartë në mësimet e Jezusit por bëhet më pak e tillë në letrat e Dhiatës së Re? Më lejoni të them diçka për të dyja këto pyetje.

Sundim dhe mbretërim
Mendoj se gjëja më e rëndësishme që mund të them rreth mbretërisë së Perëndisë e cila do t’i ndihmojë njerëzit të kuptojnë të gjitha përdorimet e këtij termi është që kuptimi bazë i fjalës mbretëri në Bibël është mbretërimi i Perëndisë – M-B-R-E-T-Ë-R-I-M – jo sferë apo popull. Mbretëria krijon një sferë, mbretëria krijon një popull, por mbretëria e Perëndisë nuk është sinonim me sferën apo popullin e saj.

Për shembull, konsideroni Psalmi 103:19, “Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejtë, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka.” Këtu mund ta dëgjoni kuptimin bazë të fjalës mbretëri si sundim. Nuk do të thotë që mbretëria e Tij sundon mbi sferën e Tij; do të thtoë që mbretërimi apo sundimi i Perëndisë qeveris të gjitha gjërat.

Ai ulet si mbret në fronin e Tij të gjithësisë, dhe sundimi i Tij mbretëror – mbretëria dhe mbretërimi i Tij – qeveris gjithçka. Kuptimi bazë i fjalës mbretëri në Bibël është sundimi mbretëror i Perëndisë – mbretërimi i Tij, veprimi i Tij, të qenit Zot, qeverisja e Tij sovrane.

Shpëtimi i mëkatarëve
Përderisa qëllimi i Perëndisë për botën është që të shpëtojë një popull për Veten dhe ta ripërtërijë botën për atë popull, sundimi i Tij mbretëror nënkupton një aktivitet shpëtues dhe shpengues për hir të tyre. Kjo është arsyeja spe ardhja e mbretërisë në Dhiatën e Re quhet lajm i mirë.

Në dhe përmes Jezusit, Perëndia, Mbreti, po vjen në një mënyrë – në një mënyrë të re – në botë për të themeluar sundimin e Tij shpëtues. Së pari, në zemrat e popullit të Tij dhe në marrëdhëniet e tyre duke triumfuar mbi mëkatin, Satanin dhe vdekjen. Pastaj, duke ushtruar mbretërimin e Tij, mbledh një popull për Veten në bashkësi të cilët jetojnë si qytetarë të një besnikëri të një mbretërie të re e cila nuk është e kësaj bote. Pastaj Krishti vjen për herë të dytë dhe e përmbush mbretërimin duke themeluar qiej dhe tokë të re.

Tashmë, por Ende jo
Tabloja që merrni tek Ungjijtë ndërsa Jezusi shpalos mësimet e mbretërisë është që ajo është tashmë e pranishme dhe në të njëjtën kohë ende në të ardhmen. Në fakt, kjo është ajo që Jezusi do të thotë kur thotë se misteri i mbretërisë është këtu – prani pa përmbushje.

Për shembull, ju mund ta dëgjoni dimensionin e ardhshëm të mbretërisë në Lutjen e Zotit, “Ardhtë mbretëria jote” (Mateu 6:10). Kjo duhet të jetë lutja jonë çdo ditë. Sille mbretërinë o Zot. Nuk këtu ashtu si duam që të jetë. Sille mbretërinë. Sille mbretërimin tënd plotësisht në jetët e njerëzve, në jetën time, në botë.

Tek Lluka 19:11, Jezusi tregoi një shëmbëlltyrë për shkak se ishte afër Jerusalemit, por njerëzit supozonin që mbretëria e Perëndisë do të shfaqej menjëherë. Por Jezusi e dinte që ajo nuk do të vinte menjëherë. Mbretëria e Perëndisë nuk do të shfaqet menjëherë, e megjithatë në mënyrë të përsëristur, Jezusi thotë, “Mbretëria është afër. Pendohuni, sepse mbretëria e Perëndisë është afër.”

Në fakt, Ai tregohet edhe më i drejtpërdrejtë se kaq tek Lluka 11:20, “Por në se unë i dëboj demonët me gishtin e Perëndisë, mbretëria e Perëndisë, pra ka arritur deri te ju.” Edhe më qartë tek Lluka 17:21, “ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush.”

Si mund të jetë mbretëria e Perëndisë ende jo e pranishme dhe tashmë e pranishme në të njëjtën kohë? Ai thotë, “Lutuni për mbretërinë. Ajo po vjen. Nuk ka ardhur ende këtu. Nuk do të jetë e menjëherëshme, e megjithatë tashmë, është e pranishme në mesin tuaj, është mbi ju, është pranë.” Si mund ta thotë Ai gjithë këtë?

Përgjigja është, mbretëria e Perëndisë është mbretërimi i Perëndisë – është veprimi i Tij sovran në botë për të shpenguar dhe çliruar një popull dhe pastaj në një kohë të ardhshme ta përfundojë duke e ripërtërirë popullin e Tij dhe gjithësinë në mënyrë të plotë.

Shkëmbimi i Fronit për një Kryq
Nëse pyesim pse termi “mbretëria e Perëndisë” apo “mbretëria e qiejve” është kaq e rëndësishme dhe e qartë në mësimet e Jezusit por shumë më pak e tillë në letrat (gjë e cila është e vërtetë), çfarë të themi?

Sugjerimi im është ky: gjatë jetës së tij Jezusi ishte duke ecur në një vojë shumë të hollë mes bërjes së vetes të njohur si Biri i Perëndisë dhe si prania e vetë mbretit, nga njëra anë dhe maskimit të vetes nga rrëmbimi dhe të bërit mbret tokësor nga ana tjetër (sikurse njerëzit donin ta bënin tek Gjoni 6).

Ata ishin gati ta merrnin dhe ta bënin mbret. E mbani mend sesi Jezusi në mënyrë të përsëritur u tha njerëzve të mos u tregonin të tjerëve atë që kishin parë (Mateu 17:9, Marku 7:36). Kjo për shkak se do të kishte një keqkuptim aq të përhapur rreth natyrës së mbretërimit të Tij saqë mund të ndodhte një revoltë politike ndërsa njerëzit do përpiqeshin ta kurorëzonin mbret sikurse menduan tek Gjoni 6.

Jo, Ai erdhi për t’u kryqëzuar. Për këtë erdhi. Ai erdhi për të vdekur, për të mos u ulur ende mbi një from. Ai do të ishte mbret vetëm përmes kryqëzimit dhe ringjalljes. Dishepujt e kishin shumë të vështirë ta kuptonin këtë.

I ringjalluri është Zot.
Pas ringjalljes, tani mund të dallohej me qartësi të madhe ajo që dishepujt nuk mund ta kuptonin dot gjatë jetës së Tij. Domethënë, mbretëria e Perëndisë do të zbulohet në mënyrë më të lavdishme tek një mbret i kryqëzuar dhe i ringjallur. Prandaj, ndryshimi që ndodh nuk e zvogëlon në asnjë mënyrë rëndësinë e asaj që u mësua rreth mbretërisë gjatë jetës së Jezusit. Por ama ka një zhvendosje fokusi. Tani theksi më i madh bie mbi vetë mbretin e kryqëzuar, Zotin e ringjallur të gjithësisë.

Theksi i ri, i cili është më i dukshëm tek letrat, shpall, “Jezusi është Zot.” Në fakt, nëse do të më shtrëngonit, do thoja që “mbretëria ka ardhur” është pothuaj sinonime me “Jezusi është Zot.” Apo për ta thënë në një mënyrë tjetër, “Jezusi është Zot” është pothuaj sinonim me mbretërinë tek letrat – me mbretërimin – “mbreti ka ardhur.”

Jo vetëm që Ai ka ardhur, por Ai do të vijë. Mendoj që ndoshta bëjmë mirë ta mbajmë këtë gjë në mendje kurdoherë që nisim të nxjerrim në pah mbretërinë e Perëndisë. Le të sigurohemi që mësimi ynë të ketë shijen e zbatimit apostolik të mbretërimit të Jezusit në kisha dhe në botë. Sot theksi duhet t’i jepet që Krishti i kryqëzuar dhe i ringjallur është Zot.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*