Përderisa askush nuk mund ta respektojë dot ligjin, cili është qëllimi i tij?

Pyetja 15

Përderisa askush nuk mund ta respektojë dot ligjin, cili është qëllimi i tij?

Që ne të njohim natyrën e shenjtë dhe vullnetin e Perëndisë si dhe natyrën mëkatare dhe mosbindjen e zemrave tona; dhe kështu të dallojmë nevojën tonë për një Shpëtimtar. Ligji gjithashtu na mëson dhe na nxit të jetojmë një jetë të denjë për Shpëtimtarin tonë.

Sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit.”

Romakëve 3:20

Komentim

Pasi Perëndia i dha premtimin Abrahamit i dha ligjin Moisiut. Pse? Thjesht sepse Atij i duhej t’i përkeqësonte gjërat përpara se t’i përmirësonte. Ligji ekspozon mëkatin, e provokon atë dhe e dënon. Qëllimi i ligjit ishte të hiqte petkun e nderimit të njeriut dhe të zbulonte çfarë është në të vërtetë në brendësi – mëkatar, rebel, fajtor, nën gjykimin e Perëndisë dhe i paaftë për ta shpëtuar veten e tij.

Ligji duhet të lejohet ende edhe sot që ta bëjë punën e tij të caktuar prej Perëndisë. Një prej gabimeve të mëdha të kishës moderne është prirja e saj për ta zbutur mëkatin dhe gjykimin. Ne nuk duhet kurrë ta anashkalojmë ligjin dhe të vijmë drejt e tek ungjilli. Nëse e bëjmë këtë do të thotë që jemi në kontradiktë me planin e Perëndisë në historinë biblike. Askush nuk e ka vlerësuar ndonjëherë ungjillin derisa ligji më së pari i ka zbuluar natyrën e tij të vërtetë. Yjet nisin të duken vetëm në sfondin e errësirës së thellë të qiellit. Në mënyrë të ngjashme ungjilli shkëlqen vetëm në kontrast me sfondin e errët të mëkatit. Nëse ligji nuk na ka goditur dhe plagosur nuk do ta pranojmë kurrë nevojën tonë që ungjilli të na i lidhë plagët. Nëse ligji nuk na ka arrestuar dhe burgosur nuk do të digjemi kurrë nga dëshira që Krishti të na çlirojë. Nëse ligji nuk na ka dënuar dhe vrarë nuk do t’i përgjërohemi kurrë Krishtit për shfajësim dhe jetë. Nëse ligji nuk na ka shpënë në dëshpërim me veten nuk do të besojmë kurrë tek Jezusi. Nëse ligji nuk na ka përulur deri në ferr nuk do të kthehemi kurrë tek ungjilli që të na lartësojë në qiell.

Gjon Stot (John Stott, 1921–2011). Predikues Anglikan Anglez që për shumë vite shërbeu si rektori i All Souls Church në Londër. Stot ishte një prej ideatorëve kryesorë të Konventës së Lozanës (1974). Mes librave të tij të panumërt përfshihen edhe Bazat e Krishterimit si dhe disa komentarë nga seria Bibla Flet Sot të cilët janë të disponueshëm edhe në gjuhën Shqip.

Lutje

Zoti e zbuloftë veten e tij gjithnjë e më tepër tek ne në fytyrën e Birit të tij Jezu Krisht; e madhëroftë fuqinë e hirit të tij. Mëshira e tij e butë na inkurajoftë dhe na bindtë që përderisa na ka futur në besëlidhjen e hirit nuk do të na dëbojë për shkak të dështimeve tona, të cilat e trishtojnë Frymën e Tij dhe na bëjnë të ndyrë edhe në sytë tanë. Zoti i shtoftë edhe këtë gjë mëshirave të tij, ta lejojë pushtetin zotërues të Frymës së Tij në ne që të jetë provë e të vërtetës së punës që ka nisur hiri i tij dhe një garanci për fitoren përfundimtare, për atë ditë kur ai do të jetë gjithçka në të gjithë, tek të gjithë ata që i përkasin atij, për gjithë përjetësinë. Amen!

Riçard Sibes (Richard Sibbes, 1577–1635). Teolog Puritan Anglez që në fillim të shekullit të 17-të njihej në Londër si “Doktori Qiellor Sibes.” Ai predikoi në Kishën Greis In në Londër dhe në Selinë ‘Master of Kathrin’ në Kembrixh. Vepra e tij më e famshme ishte Kallami i Thyer dhe Kandili që bën tym.

New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*