Protestanti i të hënës në mëngjes

Tomas Bekon
1512–1567

nga Brian Hanson

Edhe pse krejtësisht i anashkaluar në historinë e kishës, Tomas Bekon ishte një autor broshurash të panumërta, librash shumë të shitur dhe një klerik i perëndishëm gjatë Reformimit në Anglinë e Shek.XVI. Bekoni jetoi gjatë sundimit të trazuar të dinastisë Tudor dhe shërbeu nën drejtimin e Kryepeshkopit të Kentërbërit, Tomas Krenmër, duke qenë autori i rreth pesëdhjetë trakteve me ribotime të panumërta, të cilat vazhduan të shtypeshin edhe shtatë dekada pas vdekjes së tij.

Shkrimet e tij rreth perëndishmërisë janë të vlefshme dhe të dobishme për të gjithë të krishterët, në mënyrë të veçantë për ata që priren ta ndajnë jetën e tyre në dy gjysma: në njërën që është “e shenjtë” dhe në tjetrën që është “laike.” Bekoni thekson se një dallim i tillë nuk ekziston, duke i nxitur të krishterët e kohës së vet që të vazhdojnë procesin e shenjtërimit në mes të rutinës së jetës së përditshme.

Pastor në fshehtësi

Bekoni lindi në Thetford të Norfolkut rreth vitit 1512 dhe i ndoqi studimet pranë Kolegjin e Shën Gjonit në Kembrixh. Këtu u prek thellë dhe sipas të gjitha gjasave u kthye në besim tek ndiqte mësimet e ndikuara prej Luterianizmit të një prej profesorëve të tij, i cili quhej Hju Latimer. Pas diplomimit të tij në teologji, Bekoni u caktua në dy poste klerikale në Anglinë jugore, por pas shpalljes së Gjashtë Dekreteve në vitin 1539 Henri VIII i vuri në shënjestër ungjillorët duke i akuzuar për mosbindje dhe për “herezi. ”Si rezultat, Bekoni u arrestua në vitin 1541 për të tijën “doktrinë të ligë e të rreme”.

Pasi lirimit nga burgu, Bekoni jetoi në pyjet e Kentit, nën mbrojtjen dhe përkujdesjen e disa burrave ungjillorë të cilët kishin lidhje me oborrin mbretëror. Gjatë kësaj kohe, Bekoni prodhoi trakte të panumërta me pseudonimin “Teodor Bazili”, me qëllim që të mos identifikohej nga autoritetet lokale. Për shkak se përpjekjet e autoriteteve shtetërore nën urdhrat e Henrit VIII nuk reshtnin për ta arrestuar, Bekoni u zhvendos në Anglinë qendrore ku edhe u fsheh për plot katër vjet nëpër male pa botuar ndonjë vepër tjetër.

Mërgimi dhe kthimi në atdhe

Kur Eduardi VI, miku dhe mbrojtësi i Reformimit Anglez, u vendos në fron në moshën 9-vjeçare,në vitin 1547,Bekoni u kthye nga mërgimi dhe shkoi në Londër, ku u emërua kapelan pranë oborrit mbretëror. Rreth po asaj kohe ai u bë rektori i famullisë prestigjioze të Shën Stefan Uolbrukut në Londër.

Megjithatë, me ardhjen në pushtet të Marisë I në vitin 1553, shumë ungjillorë, përfshirë këtu edhe Bekoni u arrestuan. Më vonë e liruan, por për të mos rrezikuar më tepër, ai menjëherë u largua për në Strasburg, ku edhe iu bashkua një komuniteti ungjillorësh të tjerë anglezë në mërgim. Prej andej u zhvendos në Frankfurt, ku dha ndihmën e vetpër hartimin e një liturgjie të re për bashkësinë e mërgimtarëve anglezë. Kur u kthye nga Evropa në Angli pas ardhjes në pushtet të Elizabetës I, Bekoni u emërua në një varg postesh kishtare, më së shumti në Londër, deri në vitin 1567 kur edhe ndërroi jetë.

Perëndishmëri e përditshme

Një nga pikat themelore ku përqendrohej Bekoni në broshurat e tij ishte sesi të krishterët ta arrinin perëndishmërinë dhe si ta integronin atë në jetën e tyre të përditshme. Së pari, Bekoni thoshte që fjala e Perëndisë ishte e mjaftueshme për të gjithë të krishterët dhe se vetë ajo ishte katalizatori i shenjtërisë. Bekoni përfytyronte një perandori angleze ku “njerëzit mund të mësojnë që nga djepi… për ta njohur Perëndinë, për ta kuptuar fjalën e Tij, për ta nderuar Atë si duhet, si dhe për të ecur në shtigjet e Tij të shenjta” (Politika e Re e Luftës)

Së dyti, Bekoni i udhëzonte të krishterët që ta shihnin jetën e tyre si një skenë të vazhdueshme adhurimi ku shfaqej perëndishmëria, madje edhe mëngjesin e një të hëne të rëndomtë. Për Bekonin, adhurimi nuk kufizohej vetëm në shërbesën e së dielës. Ai as nuk kufizohej në disa disiplina të caktuara frymërore, sikurse leximi i Biblës apo lutja. Përkundrazi, adhurimi ishte një aktivitet i vazhdueshëm që duhej ndërthurur me liturgjinë e jetës së përditshme: me vaktet e ushqimit, me vendin e punës, me mënyrën si kalohet koha e lirë, si dhe me kohën që kalojmë duke u çlodhur në shtrat.

Nuk ka punë “laike”

Bekoni botoi dy manualë lutjeje që përmbanin lutje model për aktivitetet e veçanta gjatë ditës normale të një individi. Një prej këtyre manualëve përmbante shembuj lutjesh për ata që ushtronin profesione të caktuara, ku përfshiheshin qeveritarët, klerikët, tregtarët, juristët, marinarët, ushtarët, nënat dhe fëmijët. Bekoni besonte se nuk ekzistonte një profesion më i rëndësishëm sesa të tjerët. Sipas tij, puna e këpucarit dhe rrobaqepësit ishte po aq e rëndësishme për mbretërinë e Perëndisë sa edhe ajo e juristit dhe qeveritarit, sepse ishte Perëndia Ai që i thirri në profesionet e tyre.

Megjithëse disa të krishterë i anashkalojnë disa profesione duke i quajtur si të parëndësishme dhe punën që nuk përfshihet në shërbesë e shohin si “laike”, vlerësimi i të gjitha llojeve të punës nga Bekoni si punë të Perëndisë dhe për Perëndinë është një ndreqje e nevojshme dhe mjaft nxitëse. Ne duhet ta përqafojmë thirrjen tonë dhe të bëhemi të vetëdijshëm rreth synimit përfundimtar të punës dhe profesionit tonë: perëndishmëria përmes profesionit e bekon shoqërinë, me qëllim që të gjithë “të të njohin Ty që je dhuruesi i gjithë gjërave të mira dhe kështu të përlëvdojnë emrin Tënd të shenjtë”(Nxitje për lutje të perëndishme).


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*