Në çfarë kuptimi vdiq Krishti për ata që nuk janë të zgjedhur?

nga Pastor John Piper

Apostulli Pal thotë që Krishti vdiq për të gjithë njerëzit, edhe për ata që nuk janë të zgjedhur, dhe sigurisht që kjo ngre pyetje të vështira për ne Kalvinistët. Si zbatohet vdekja shlyese e Krishtit tek ata që nuk janë të zgjedhur? Pyetja vjen nga një dëgjues anonim: “Pastor John, shumë herë kam dëgjuar njerëz të thonë, ‘Po, Krishti vdiq për të gjithë njerëzit por jo për të gjithë njerëzit në të njëjtën mënyrë.’ E di që Teologjia e Reformuar mëson se shlyerja e Krishtit është e veçantë në faktin që shtrirja e shlyerjes për të shpëtuar shpirtrat është e kufizuar vetëm mbi të zgjedhurit. Megjithatë, kam vështirësi që ta shpjegoj në mënyrë të kënaqshme faktin sesi Krishti vdiq për të gjithë njerëzit por jo në të njëjtën mënyrë për të gjithë. Për çfarë arsye të qartë vdiq Krishti për ata që nuk janë të zgjedhur?”

Shpëtimtar edhe-edhe
Le të fillojmë me 1 Timoteu 4:10, varg ky që i përfshin të dyja. Ja se çfarë thotë vargu, “Për këtë, në fakt, ne po mundohemi dhe na shajnë, sepse kemi shpresuar në Perëndinë e gjallë, që është Shpëtimtari i gjithë njerëzve dhe sidomos i besimtarëve.” Vini re frazën “Shpëtimtari i gjithë njerëzve dhe sidomos i atyre që besojnë.”

Tek Titi 2:11 Pali thotë, “Sepse hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve.” Dhe Pali do shtonte, “sidomos atyre që besojnë”: “Ai solli shpëtim për të gjithë, në mënyrë të veçantë atyre që besojnë.” (Versioni Anglisht ESV).

Këtë aspekt edhe-edhe mund ta shohim edhe në ungjillin e Gjonit. Filloni me Gjoni 3:16, “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëm lindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” Krishti erdhi si shprehje e dashurisë së Perëndisë për botën. Pastaj Gjoni thotë, “Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij.” (Gjoni 3:17). Ofrimi i Birit të Tij është ofrimi i shpëtimit për botën.

Do t’i kthehemi kësaj pas pak për t’iu përgjigjur pyetjes “Për çfarë arsye të qartë vdiq Krishti për ata që nuk janë të zgjedhur?”

Dashuria zgjedhëse
Së pari, kemi nevojë të shohim anën tjetër të monedhës në Ungjillin e Gjonit, përveç shpëtimit të botës.

“Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet. Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm. Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri.” (Gjoni 10:14-17).

Me fjalë të tjera, Jezusi thotë, “Unë shkoj. Predikoj. Thërras. Delet, ato që janë të Atit, Ai m’i jep mua. Ato e njohin zërin tim. Ato vijnë tek unë. Do jetë një tufë e vetme dhe një bari i vetëm” (Shih Gjoni 10:16). Ati i ka delet. Ai ia jep delet Jezusit. Delet janë të Tij. Ato e njohin zërin e Tij. Ai i thërret. Ato vijnë. Ai e jep jetën e Tij për to – në mënyrë të veçantë për to (Gjoni 10:17-18).

Pali thotë të njëjtën gjë tek Efesianëve 5:25, “Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të.” Bashkëshorti e do gruan e tij në mënyrë unike dhe të veçantë. Kështu Krishti e deshi kishën dhe vdiq për të – në një mënyrë unike.

Dhurata më e madhe
Tani, cili është efekti i këtij shpengimi të fokusuar dhe të veçantë për nusen, delet, të zgjedhurit? Çfarë arrin vdekja e Tij gjë e cila është unike për nusen? Mendoj se Romakëve 8:32 na e jep përgjigjen, “Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne” – tani ndaloni pak.

Fraza “për të gjithë ne” në kontekstin e Romakëve 8:32 është e qartë që përfaqëson të zgjedhurit. Nuk po flet për gjithë botën. Janë të zgjedhurit. “Ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne.” Këtë gjë mund ta shihni në vargun tjetër: “Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i shfajëson. Kush është ai që do t’i dënojë?” (Romakëve 8:33-34). Kështu përmbushet vargu 32, dhe këtë mund ta shihni në pjesën tjetër të vargut. Le të fillojmë sërish nga fillimi dhe ta lexojmë të gjithë vargun.

“Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?” Me fjalë të tjera, vdekja e Krishtit për njerëzit e Tij siguron dhe garanton për ta çdo bekim shpëtues që ekziston.

“Qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?” Po, Ai do ta bëjë sepse kjo është ajo të cilën vdekja e Krishtit e garanton për të gjithë të zgjedhurit. Nëse Perëndia e dha Birin në këtë mënyrë për çdo person në botë, atëherë ai premtim do të vlejë për çdo person sepse është i lidhur me gjakun e Jezusit, me flijimin e Jezusit. Kjo do të thotë që çdo person do të shpëtohet, do t’i garantohet çdo bekim i mundshëm, gjë për të cilën Pali e thotë shumë shkoqur që nuk është e vërtetë (në vargje si 2 Thesalonikasve 1:9).

Jo një ofertë
Çfarë mund të themi për mënyrën sesi vdekja e Krishtit e shpreh veten për të zgjedhurit dhe për ata që nuk janë të zgjedhur dhe e mohojnë Atë? Si ndryshon? Për të zgjedhurit, gjaku i Jezusit është gjaku i besëlidhjes së re, i cili bleu për ta një zemër të re, një jetë të re, besim dhe bindje.

Jezusi thotë tek Lluka 22:20, “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju.” Gjaku i Jezusit bleu besëlidhjen e re.

Besëlidhja e re nuk është një ofertë shpëtimi. Ajo është arritja e shpëtimit në zemrat e njerëzve të Perëndisë. Ai u jep atyre një zemër të re dhe një shpirt të ri, një dhuratë jete, dhuratën e besimit, dhuratën e bindjes.

Të gjithë mund të vijnë
Tani i kthehemi sërish Gjoni 3:16 për mënyrën tjetër sesi vdekja e Krishtit lidhet me botën, apo me ata që nuk janë të zgjedhur. Mendoj se fjalët e Gjoni 3:16 na sigurojnë përgjigjen për mënyrën sesi të flasim për dhuratën e Krishtit, vdekjen e Krishtit, për ata që nuk janë të zgjedhur, për të gjithë botën.

Ja sesi e thotë Gjoni 3:16, “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëm lindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” Ai e deshi botën në mënyrë që kushdo që beson të ketë jetë të përjetshme.

Mënyra për të folur rreth dhënies së Birit si shprehje të dashurisë për botën është duke theksuar fjalën , kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”

Kjo është lidhja që bëjmë ne mes vdekjes së Krishtit dhe çdo personi mbi këtë tokë. Krishti realizoi një shpengim krejtësisht të plotë, të kënaqshëm dhe të efektshëm për këdo që beson.

Ju mund të shikoni (dhe duhet ta shikoni) gjithkënd në sy – në mënyrë absolute të gjithë njerëzit në lagjen tuaj, në kishën tuaj, në punën tuaj – dhe t’u thoni, “Beso në Zotin Jezu Krisht, dhe nuk do të humbasësh kurrë. Beso në Të dhe do të bëhesh plotësisht dhe tërësisht pjesëtar i shpëtimit të përsosur, shlyerja e përsosur për mëkatet, pajtimi i përsosur që heq zemërimin e Perëndisë, bindja e përsosur për llogarinë tonë, çlirimi i përsosur nga vdekja, ferri dhe Satani, dhe pranimi në lavdinë e përjetshme të Perëndisë. E gjitha kjo bëhet e jotja – bëhet e jotja nëse beson për shkak të vdekjes së Jezusit.”

Nuk do të mund t’u flasim dot kurrë njerëzve kështu – nuk e dimë se kush janë ata që nuk janë të zgjedhur prandaj le të hamendësojmë që janë shumë nga ata që po na dëgjojnë – nëse Jezusi nuk do kishte vdekur në mënyrë që vdiq. Kjo është një dhuratë madhështore dhe e mrekullueshme të cilën kemi për detyrë t’ia japim gjithë botës. Oh, na i mbushtë Perëndia zemrat me zjarr për ta çuar atë mesazh deri në skajet e dheut.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*