21 Gusht – Octavius Winslow

“Por aty ishte një enë plot me uthull. Pasi shtinë një sfungjer në uthull dhe e vunë në majë të një degë hisopi, ia afruan te goja. Kur Jezusi e mori uthullën, tha: ”U krye!”. Dhe duke ulur kryet, dha frymën.” Gjoni‬ ‭19:29-30‬

Besimtar në Jezusin mbaj mend që gjithë siguria jote, gjithë shpresa jote, gjithë ngushëllimi yt rrjedh prej veprës së përfunduar të Shpëtimtarit tënd. Shiko që të mos i shtosh asgjë pa dashje përsosmërisë së kësaj vepre. Mund të mashtrohesh në këtë mëkat dhe në këtë marrësi duke parë brenda vetes në vend që të shohësh në personin e Jezusit; duke i dhënë një rëndësi tepër të madhe pendimit dhe besimit, veprave dhe përpjekjeve të tua, në vend që të heqësh krejtësisht dorë nga veprat e tua dhe të mbështetesh për paqen, gëzimin dhe shpresën thjesht, plotësisht dhe në mënyrë ekskluzive në veprën e Jezusit. Mbaj mend që çdo gjë që pa dashur ia shtojmë veprës së përfunduar të Krishtit ia prish përsosmërinë dhe bukurinë asaj vepre. “Duke ngritur çekanin mbi ta do ti ndotësh.”

Nuk kemi asgjë për të bërë veçse në lakuriqësinë dhe ndotjen tonë morale të zhytemi në këtë burim, të mbështillemi me rrobën e gjakut dhe drejtësisë së atij Shpëtimtari, i cili kur e dha frymën mbi dru e përmbushi shpengimin tonë duke mos na lënë asnjë gjë për të bërë përveçse të besojmë dhe të shpëtohemi.

“U krye!” Fjalë me një kuptim tepër të thellë! Fjalë të mbushura përplot me ngushëllimin më të madh! Shpëtimi është kryer! Largoje vështrimin tënd nga gjendja jote e lëkundur, nga ndjenjat e ndryshueshme dhe nga retë që lëvizin dhe shiko “vetëm tek Jezusi.” Largoje shikimin nga mëkatet dhe faji, nga skamja dhe varfëria, dhe shiko “vetëm tek Jezusi” “U krye! Le ta dëgjojnë djajtë dhe të dridhen! Le ta dëgjojnë mëkatarët dhe të besojnë! Le ta dëgjojnë shenjtorët dhe të ngazëllojnë! Gjithçka është përfunduar!

“Megjithatë o Zot unë turrem drejt Tij kështu si jam! Jam larguar prej Teje për shumë kohë dhe ‘në vend që të bëhem më mirë jam bërë më keq.’ Jam fiksuar pas padenjësisë time, jam kapur pas varfërisë time, kam vajtuar me hidhërim që nuk kam çfarë të paguaj. Tani dorëzohem në veprën tënde të përfunduar. Më shpëto o Zot dhe do të shpëtoj!”

Para kësaj të vërtete të mahnitshme le të humasë gjithë merita e krijesës, le të tretet gjithë lavdia njerëzore, le të humbasë gjithë mburrja e njeriut, le të jetë Jezusi gjithçka në të gjitha. Le të humbasin format dhe ceremonitë; le të humbasin ritualet; le të humbasin kredot dhe kishat; le të humbasë plotësisht dhe përgjithmonë çfarëdo gjëje që priret të zëvendësojë veprën e përfunduar të Jezusit, çfarëdo që e mbulon me një re apo e zbeh me një avull bukurinë, shkëlqimin dhe lavdinë e veprës së përfunduar të Jezusit!

Në këshillat e përjetësisë ishte “vetëm Jezusi’; në besëlidhjen e përjetshme të hirit ishte “vetëm Jezusi; në grazhdin e Betlehemit ishte “vetëm Jezusi”; në kopshtin e Gjetsemanes ishte “vetëm Jezusi”; mbi kryqin e Kalvarit ishte “vetëm Jezusi”; në varrin e Jozefit të Arimatesë ishte “vetëm Jezusit”; ishte “vetëm Jezusi” ai që “mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona u ul në të djathtë të Madhështisë në qiej.” Dhe ka për të qenë “vetëm Jezusi”; gëzimi i zemrave tona, objekti i lavdisë tonë, tema e këngës tonë, i Dashuri i adhurimit tonë, shërbimit tonë dhe lavdërimit tonë përgjatë epokave të pafundme të përjetësisë. Qëndro i palëkundur në jetë dhe vdekje përmes veprës së përfunduar të Jezusit.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*