31 Janar – Octavius Winslow

31 Janar

“Lëvdoni, pra, Zotin në krahinat e agimit, emrin e Zotit, Perëndinë e Izraelit në ishujt e detit!”.” ‭‭Isaia‬ 24:15‬

E madhe është lavdia që vjen tek Perëndia ynë i mishëruar prej mundimeve të shenjtëruara të shenjtorëve të Tij. Le të dëshmojnë shumë prej tyre sa të thella janë shpesh këto mundime, e megjithatë sa më i thellë mundimi aq më e thellë lavdia. Shihni lavdinë që i është dhënë Perëndisë nga Danieli në gropën e luanëve; prej Shadrakut, Meshakut dhe Abednegosë në furrën e zjarrtë; dhe nga Pali dhe Sila në burg. Çfarë është historia e tyre veçse një tipologji për të gjithë anëtarët e vuajtur të familjes së Perëndisë? Zoti do të përlëvdohet në popullin e Tij: prandaj i pikëllon, i sprovon dhe i korrigjon. “Zoti e sprovon të drejtin.” Ai ka gropën e Tij, ka burgun e Tij, ka furrën e Tij. Ai ka mënyrën e Tij, ka mënyrën e Tij të caktuar për ta provuar punën e Tij në zemrat e tyre; dhe qoftë me gropën e luanëve, qoftë me burgun apo me furrën, Ai përlëvdohet në ta. Sa e lavdishme që shfaqet fuqia e Tij kur e sheh sesi Krishti e mbyll gojën e luanit, sesi e shuan fuqinë e flakës dhe sesi i hap shulat e dyerve të burgut. Sa i lavdishëm që duket hiri i Tij kur shikon vullnetin e dorëzuar, frymën e përulur, nënshtrimin pa fjalë dhe pranimin e gëzuar në pikëllimin më të thellë! Sa e lavdishme që shfaqet dashuria e tij kur sheh forcën që jepet çdo ditë, premtimet e çmuara që përqafohen dhe ngushëllimin e butë që përjetohet! Sa e lavdishme që shfaqet urtësia e Tij kur sheh bykun që shpërndahet, skorrjet që konsumohen dhe mendjen që sillet në harmoni të plotë me vullnetin e Perëndisë kur thua bashkë me Davidin, “Shpirti im është si një fëmijë i zvjerdhur!”

Nëse ka bekime të cilat lulëzojnë nga thupra, atëherë mikrpiteni atë! Nëse kjo është lavdia që i vjen emrit të Jezusit përmes procesit të pikëllimit të shenjtëruar, atëherë mikpriteni pikëllimin! Vetëm kujdesuni që Ai të përlëvdohet me të vërtetë nga ju në atë gjë. Sigurohuni që Ai të përlëvdohet ndërsa gjendeni në furrë, përmes hireve tuaja pasive; sigurohuni që Ai të përlëvdohet kur të keni dalë prej furrës përmes hireve tuaja aktive. “Kur të më sprovojë, do të dal si ari.”


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*