Prindërim me shpresë edhe në kohët më të këqija!

21 Mars 2010 | prej Xhon Pajpër

Mikea 7:1-20

Mjerë unë! Sepse jam si ata që vjelin frutat e verës, si ata që mbledhin rrushin e vitit: nuk ka asnjë vile për të ngrënë, shpirti im dëshiron një fik të parë. Njeriu i përshpirtshëm është zhdukur nga dheu, midis njerëzve nuk ka më njerëz të ndershëm; të tërë rrinë në pritë për të derdhur gjak, secili gjuan vëllanë e vet me rrjetë. Të dy duart e tyre janë të shtrira për të bërë të keq me zotësi; princi pretendon, gjyqtari kërkon shpërblime, i madhi shfaq lakminë e tij; kështu bashkërisht e prishin drejtësinë. Më i miri i tyre është si një ferrishte, më i ndershmi është më i keq se një gardh ferrash.

Dita e dënimit tënd po vjen; tani do të jetë pështjellimi i tyre. Mos e besoni shokun, mos i zini besë mikut të ngushtë; ruaji portat e gojës sate përpara asaj që prehet mbi gjirin tënd. Sepse biri turpëron të atin, bija ngre krye kundër nënës, e reja kundër vjehrrës, armiqtë e secilit janë ata të shtëpisë së tij.

Por unë do të shikoj te Zoti, do të shpresoj te Perëndia i shpëtimit tim; Perëndia im do të më dëgjojë. Mos u gëzo me mua, o armikja ime! Në rast se kam rënë, do të ngrihem përsëri; në rast se ulem në terr, Zoti do të jetë drita ime. Unë do të duroj indinjatën e Zotit, sepse kam kryer mëkate kundër tij, deri sa ai do të mbrojë kauzën time, dhe do vendosë drejtësi për mua; ai do të më nxjerrë në dritë dhe unë do të sodit drejtësinë e tij. Atëherë armikja ime do ta shohë dhe do të mbulohet me turp, ajo që më thoshte: “Ku është Zoti, Perëndia yt?”. Sytë e mi do ta shikojnë me ëndje, ndërsa do ta shkelin si baltën e rrugëve.

Kur do të rindërtohen muret e tua, atë ditë kufiri yt do të zgjerohet shumë. Atë ditë do të vinë te ti, nga Asiria dhe nga qytetet e tua të fortifikuara, nga qyteti i fortifikuar deri te Lumi, nga deti në det dhe nga mali në mal. Por vendi do të katandiset në një shkreti për shkak të banorëve të tu, për shkak të frytit të veprimeve të tyre.

Kullot popullin tënd me shkopin tënd, kopenë e trashëgimisë sate, që rri i vetmuar në pyllin në mes të Karmelit. Le të kullosin në Bashan dhe në Galaad si në kohërat e lashta.

“Si në ditët që dole nga vendi i Egjiptit, unë do t’u tregoj atyre gjëra të mrekullueshme”. Kombet do të shohin dhe do t’u vijë turp për tërë fuqinë e tyre; do të vënë dorën te goja, veshët e tyre do të mbeten të shurdhër. Do të lëpijnë pluhurin si gjarpëri, si rrëshqanorët e tokës, do të dalin duke u dridhur nga vendet ku janë fshehur; do të kenë frikë nga Zoti, Perëndia ynë, dhe do të kenë frikë nga ti.

Cili Perëndi është si ti, që fal paudhësinë dhe e kapërcen shkeljen e mbetjes së trashëgimisë së tij? Ai nuk e mban përgjithnjë zemërimin e tij, sepse i pëlqen të jetë i mëshirshëm. Atij do t’i vijë përsëri keq për ne, do të shkelë paudhësitë tona, Ti do të hedhësh në fund të detit tërë mëkatet tona. Ti do t’ia tregosh besnikërinë tënde Jakobit dhe dhembshurinë tënde Abrahamit, siç iu betove etërve tanë qysh në kohërat e lashta.

Sot jemi duke mbyllur një seri për prindërimin frymëror. Titulli që kam zgjedhur për këtë mesazh të fundit është “Prindërim me shpresë edhe në kohët më të këqija .” Në fakt nuk ka kohë të lehta në të cilat të lindësh dhe rritësh fëmijë. Ideja e Zanafillës 3 është që sapo mëkati hyri në botë, lindja dhe rritja e fëmijëve u bë e vështirë. Zoti i tha Evës, “Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë.” (Zanafilla 3:16). Pasi ajo dhe Adami kishin lindur dhe rritur dy fëmijë, njëri prej tyre e vrau tjetrin.

E vetmja mënyrë për të qenë të lirë

Ideja e kësaj historie është që mëkati tani ekziston në botë – tek çdo prind dhe çdo fëmijë. Kjo është ajo që mëkati bën. Ai i shkatërron njerëzit, shkatërron familjet. Problemi kryesor në botë është pushteti i mëkatit që banon brenda njeriut. Ky është pushtet real. Është forcë, defekt, shthurje, prishje në shpirtin njerëzor. Nuk është një seri zgjedhjesh të lira. Mëkati është një skllavëri e fuqishme që e shkatërron lirinë njerëzore.

E vetmja mënyrë që një njeri të jetë vërtet i lirë – e vetmja mënyrë sesi një prind apo një fëmijë të jetë vërtet i lirë – është të lindet sërish prej Frymës së Perëndisë; të përqafojë Jezu Krishtin si Shpëtimtar; t’i falen mëkatet prej Krijuesit të Universit; dhe të marrë Frymën e Shenjtë si të vetmen kundërforcë ndaj fuqisë së mëkatit. Kjo është e vetmja shpresë për botën, e vetmja shpresë për prindërit dhe fëmijët. Kjo është e vërtetë gjithmonë dhe në çdo epokë.

Nuk ka kohë të lehta për prindërim

Prandaj nuk ka kohë të lehta për të lindur dhe rritur fëmijë që do të bëhen njerëz të përulur, të dashur, të drejtë, krijues, prodhues dhe lartësues të Krishtit. Nuk ka kohë të lehta. Por disa kohë janë më të vështira se të tjerat. Nëse janë më të vështira apo jo mund të varet nga rrethanat personale dhe ato shoqërore.

Dëshira ime sot është t’ju ndihmoj të ushtroni një prindërim me shpresë edhe në rrethanat më të këqija. Me këtë dua të them rrethana në shtëpi dhe në kulturë. Për ata që nuk janë prindër, gjithçka që do them vlen edhe për ju, për shkak se gjetja e shpresës në kohët më të këqija është e njëjtë për të gjithë. Ne thjesht na nevojitet shpresë për arsye të ndryshme.

Profeti Mikea

Profeti Jude Mikea profetizoi gjatë mbretërimit të Jothamit, Ashazit dhe Hezekias, mbretër të Judës (Mikea 1:1). Bëhet fjalë për vitet 750 – 687 para Krishtit. Deklarata më e qartë pse profetizoi Mikea gjendet tek Mikea 3:8,

Unë përkundrazi jam plot me forca të Frymës së Zotit, me drejtësi dhe forcë, për t’i bërë të njohur Jakobit shkeljen e tij dhe Izraelit mëkatin e tij.

Shpallja e Gjykimit dhe Mëshirës

Perëndia dërgoi profetë për t’i treguar popullit mëkatin e tij. Bashkë me mëkatin e tyre profetët u shpallën gjykimin dhe mëshirën. Kështu ndodh gjithandej në Bibël: Gjykim dhe Mëshirë. Gjykim dhe Mëshirë. Perëndia është i shenjtë dhe i drejtë, ai dërgon gjykim mbi njerëzit mëkatarë. Perëndia është i mëshirshëm, i durueshëm dhe i dhembshur, ai i shpëton njerëzit mëkatarë nga gjykimi i tij. Mikea e bën të qartë këtë gjë tek Mikea 4:10,

Përpëlitu dhe nxirre në dritë, o bijë e Sionit, si një grua që po lind, sepse tani do të dalësh nga qyteti, do të banosh në fushë dhe do të shkosh deri në Babiloni. Atje do të çlirohesh, atje Zoti do të të shpengojë nga dora e armiqve të tu. Zoti do t’i dërgojë në Babiloni për t’i gjykuar. Ai do t’i kthejë sërish në vendin e tyre me mëshirë.

Ndëshkimi po vjen

Në kapitullin 7 Mikea i referohet prindërimit në kohët më të këqija, si në familje ashtu edhe në kulturë. Vargu 1 thotë, “Mjerë unë! Sepse jam si ata që vjelin frutat e verës, si ata që mbledhin rrushin e vitit: nuk ka asnjë vile për të ngrënë, shpirti im dëshiron një fik të parë.” Ai mund të jetë duke folur sesa i shkretë është për shkak të mungesës së ushqimit. Por dyshoj se po flet në mënyrë metaforike që nuk i kanë mbetur miq dhe shokë të perëndishëm. Për shkak se në vargjet 2-3 vazhdon të thotë, “ Njeriu i përshpirtshëm është zhdukur nga dheu, midis njerëzve nuk ka më njerëz të ndershëm; të tërë rrinë në pritë për të derdhur gjak, secili gjuan vëllanë e vet me rrjetë. Të dy duart e tyre janë të shtrira për të bërë të keq me zotësi; princi pretendon, gjyqtari kërkon shpërblime, i madhi shfaq lakminë e tij; kështu bashkarish e prishin drejtësinë.” Udhëheqësit janë të korruptuar. Ata komplotojnë “thurin plane” për të bërë sa më shumë ligësi të kenë mundësi dhe ta bëjnë sa më mirë.

Vargu 4 thotë, “Më i miri i tyre është si një ferrishte, më i ndershmi është më i keq se një gardh ferrash. Dita e dënimit tënd po vjen; tani do të jetë pështjellimi i tyre.” Prandaj rojtari që duhet të shohë armikun që po vjen i ka ardhur dita e ndëshkimit. Ndëshkimi po vjen.

Bashkëshortet dhe fëmijët

Tani Mikea e kthen vështrimin nga kultura tek lagjja dhe familja. Vargu 5 thotë, “Mos e besoni shokun, mos i zini besë mikut të ngushtë; ruaji portat e gojës sate përpara asaj që prehet mbi gjirin tënd.” Me fjalë të tjera, mëkati, prishja dhe mashtrimi janë përhapur aq shumë saqë ke nevojë të ruash veten, se mos mashtrohesh edhe prej bashkëshortes tënde – “asaj që prehet mbi gjirin tënd.”

Pastaj flet për fëmijët. Vargu 6, “Sepse biri turpëron të atin, bija ngre krye kundër nënës, e reja kundër vjehrrës, armiqtë e secilit janë ata të shtëpisë së tij.” Në këtë tablo ka pesë njerëz. Një baba dhe një nënë. Një bir dhe një bijë. Dhe një nuse. Prandaj djali është i martuar. Tashmë Mikea ka thënë që gjërat nuk janë të sigurta mes bashkëshortit dhe bashkëshortes (“Ruaji portat e gojës sate përpara asaj që prehet mbi gjirin tënd.”) Dhe tani thotë biri turpëron të atin. Bija ngre krye kundër nënës, dhe e reja bashkohet me bijën kundër vjehrrës. Mikea madje i quan këta “armiqtë”. Në fund të vargut 6, “armiqtë e secilit janë ata të shtëpisë së tij.” Ai u referohet në mënyrë të veçantë bijve. Duket sikur bijat po e drejtojnë armiqësinë e tyre kundër gruas së tij. Por ai e ndjen. Kjo gjë ta thyen zemrën. Disa prej jush gjendeni ekzaktësisht në këtë situatë. Tani gjendeni në kohët më të këqija.

Kultura është e korruptuar, martesa dhe familja është në krizë. Kjo është tabloja e Mikeas 7. Për disa prej jush, kjo është tabloja e jetës tuaj sot. Dhe për të tjerët kështu do të jetë nesër.

Jezusi e shkakton këtë gjë?

Para se t’ju tregoj shpresën e Mikeas në këtë situatë, dëshiroj të shihni se çfarë bëri Jezusi me këtë portret familjar në vargun 6. Le të shkojmë tek Mateu 10:34-36. Jezusi përshkruan efektin e ardhjes së tij: “Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën. [Pastaj Jezusi përdor Mikea 7:6] Sepse unë erdha ta ndaj birin nga ati, bijën nga nëna, nusen nga vjehrra, dhe armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet.”

Këtu shohim po ata pesë persona, të njëjtën referencë ndaj armiqve të shtëpisë tënde, por me një ndryshim të madh. Jezusi thotë që ai e shkaktoi këtë gjë. Vargu 35, “Sepse unë erdha ta ndaj birin nga ati…” Sigurisht që ai nuk po thotë, që i pëlqen t’i shkatërrojë familjet. Ajo që po thotë është që thirrja e tij radikale për dishepullizim në fakt i trazon marrëdhëniet. Njëri beson, kurse tjetri jo. Një baba ndjek Jezusin kurse i biri jo. Një bijë ndjek Jezusin kurse nëna jo.

Pse po na flet për Jezusin në këtë pikë?

Arsyeja pse po e sjell Jezusin në këtë tabllo më së pari është që të tregoj që rrënimi i familjes në kohën e Mikeas nuk është domosdoshmërisht vetëm për shkak të korruptimit brenda saj. Një shkak tjetër mund të ketë qenë drejtësia brenda familjes. Gjithçka mund të ketë qenë duke shkuar për bukuri derisa dikush u bë tepër serioz në lidhje me Perëndinë, për fjalën dhe besëlidhjen e tij. Pastaj nisën të hidheshin akuzat. “Ti mendon se je shumë më i mirë se ne tani që na u bërë fetar? Gjërat ishin shumë mirë dhe tani ti mendon që ne të tjerët duhet të ndreqemi?”

Arsyeja tjetër përse po e përmend mënyrën si Jezusi e përdori këtë tekst është që të tregoj që në kohën e Mikeas në fakt nuk kishte asgjë të veçantë. Kjo ishte e vërtetë në shekullin e 8-të para Krishtit. Ishte e vërtetë në shekullin e parë pas Krishtit. Dhe është e vërtetë në shekullin e 21-të. Gjithmonë jetojmë në kohë të këqija, edhe nëse nuk po ndodh kështu me ju.

Çfarë ka për të na thënë pra Mikea rreth prindërimit me shpresë edhe në kohët më të këqija?

Çfarë ka për të na thënë Mikea?: Guxim zemërthyer

Them se ai e përshkruan veten si një baba tipik dhe përfaqësues i popullit të Izraelit dhe qëndrimi që ai mban është ai i guximit zemërthyer. Ky është thelbi i asaj që dëshiroj t’ju them rreth prindërimit në kohët më të këqija. Bëjeni këtë gjë me një qëndrim guximi zemërthyer. Sigurohuni që ta kuptoni se çfarë dua të them me fjalët “zemërthyer” dhe “guxim.” Kemi nevojë të pyesim ‘Për çfarë është Mikea zemërthyer?’ Si dhe “Ku bazohet ai për të qenë kaq i guximshëm?’ Le të shohim vargjet 7-9 për të gjetur përgjigjen e këtyre dy pyetjeve. Për çfarë është Mikea zemërthyer dhe si mund të jetë kaq guximtar?

Jo me vetë-drejtësi

Menjëherë pasi ka thënë në vargun 6, “armiqtë e secilit janë ata të shtëpisë së tij,” ai thotë në vargun 7, “Por unë do të shikoj te Zoti, do të shpresoj te Perëndia i shpëtimit tim; Perëndia im do të më dëgjojë.” Prandaj në kohët më të këqija ne shohim drejt Zotit. Mund të kemi provuar të shohim gjetkë. Asgjë nuk ka funksionuar. Gjithçka është prishur. Edhe pse ka të ngjarë që ta bëjmë familjen të funksionojë. Ndoshta këta fëmijë ishin në dorën tonë për t’i rritur si të donim. Ndoshta po të lexojmë librat e duhur rreth martesës, do kemi mundësi të arrijmë një besim, respekt dhe admirim dhe ndjenja të thella. Po tani? Tani shohim drejt Zotit.

Por kini kujdes. Mos po sheh Mikea drejt Zotit me vetë-drejtësi? Është e mundur që këtë të bëjmë. Mos po thotë ai, “Bëra gjithçka si duhet, gjithë çfarë mund të bënte një baba. Nëse kjo familje nuk po funksionon, me zemër të thyer mund të them që problemi nuk qëndron me mua. Problemi është me ta.” A është ky qëndrimi i këtij burri? Jo, nuk është. Shpresoj që ky të mos jetë as qëndrimi juaj.

Kanë mëkatuar kundër nesh por jemi të ndërgjegjshëm për mëkatin tonë

Dëgjoni çfarë thotë Mikea në vargjet 8-9. Dëgjoni guximin dhe zemër thyerjen. Pse është zemërthyer?

“Mos u gëzo me mua, o armikja ime! Në rast se kam rënë, do të ngrihem përsëri; në rast se ulem në terr, Zoti do të jetë drita ime. Unë do të duroj indinjatën e Zotit, sepse kam kryer mëkate kundër tij, deri sa ai do të mbrojë kauzën time, dhe do vendosë drejtësi për mua; ai do të më nxjerrë në dritë dhe unë do të sodit drejtësinë e tij.”

Të mos ju shpëtojë fillimi i vargut 9, “Unë do të duroj indinjatën e Zotit, sepse kam kryer mëkate kundër tij.” Arsyeja pse kjo është kaq e rëndësishme për bashkëshortët dhe prindërit është që Mikea e thotë në kontekstin e mëkateve që janë bërë kundër tij. Në vargun 8 ai thotë armikes së tij (ndoshta djalit apo gruas), “Mos u gëzo me mua, o armikja ime!” Mos të të bëhet qjefi. Dhe në vargun 9, në mes të vargut ai thotë, “ai Zoti do të mbrojë kauzën time, dhe do vendosë drejtësi për mua. Ai do të më nxjerrë në dritë dhe unë do të sodit drejtësinë e tij.”

Me fjalë të tjera, ai e di që kundër tij po mëkatojnë. Ai e di që disa prej akuzave të tyre janë pa bazë. E di që Perëndia është për të dhe jo kundër tij. Perëndia do ta nxjerrë nga errësira në dritë; ai do t’i japë të drejtë. Mikea është i guximshëm në sigurinë dhe shpalljen e tij. Guximtar në mënyrë të mahnitshme. Gjithsesi, ajo tek e cila ai na tërheq vëmendjen për të shpjeguar indinjatën e Zotit dhe errësirën e tij është vetë mëkati i tij. “Unë do të duroj indinjatën e Zotit, sepse kam kryer mëkate kundër tij.”

Pse kaq zemërthyer?

Ja përgjigja ime për pyetjen, “Pse është Mikea kaq zemërthyer?” Jo aq shumë nga fakti që familja e tij po mëkaton kundër tij por për shkak se ai vetë ka mëkatuar. Qëndrimi i prindërimit me shpresë në kohët më të këqija është qëndrimi i guximit zemërthyer. Zemër thyerja i dedikohet më së pari mëkatit të tij dhe pastaj mëkateve që janë kryer kundër tij. Kjo është beteja e madhe me të cilën përballemi ne. A do të gjejmë me ndihmën e hirit të Perëndisë atë lloj përulësie që na aftëson t’i shohim familjet tona dhe veten tonë në këtë mënyrë?

Si mund të ishte kaq guximtar?

Pyetja e dytë: Si mund të jetë ai kaq i guximshëm nëse ka mëkatuar? Si mund të flasë në këtë mënyrë kur mëkati i tij i rri përpara? Prej nga vjen një guxim i tillë? “Mos u gëzo me mua, o armikja ime! Në rast se kam rënë, do të ngrihem përsëri… ai Zoti do të mbrojë kauzën time, dhe do vendosë drejtësi për mua; ai do të më nxjerrë në dritë dhe unë do të sodit drejtësinë e tij.”

Përgjigja na jepet në fund të kapitullit. Fakti që vjen si gjëja e fundit në këtë libër, që vjen me një theks të tillë na tregon sesa kritike është kjo gjë në këtë libër – në të vërtetë për gjithë Biblën. Vargjet 18-19 thonë,

“Cili Perëndi është si ti, që fal paudhësinë dhe e kapërcen shkeljen e mbetjes së trashëgimisë së tij? Ai nuk e mban përgjithnjë zemërimin e tij, sepse i pëlqen të jetë i mëshirshëm. Atij do t’i vijë përsëri keq për ne, do të shkelë paudhësitë tona, Ti do të hedhësh në fund të detit tërë mëkatet tona.”

Arsyeja pse Mike është kaq guximtar në zemër thyerjen e tij është për shkak se ai njeh Perëndinë. Ai e di çfarë është vërtet e veçantë dhe e mahnitshme rreth Perëndisë. “ Cili Perëndi është si ti?” Kjo do të thotë, nuk ka asnjë Perëndi si ti. Udhët e tua janë më të larta se tonat. Udhët e tua janë më të larta se çdo hyjni në botë. Cila është veçantia jote? Ti fal paudhësinë dhe e kapërcen shkeljen e mbetjes së popullit tënd. Kjo është veçantia e Perëndisë së Biblës dhe nuk ka asnjë perëndi tjetër.

Hyni thellë në faljen e Perëndisë

Si pra mund të prindëroni me shpresë edhe në kohët më të këqija? Si mund të prindëroni me shpresë kur vetë familja juaj mund të jetë e ndarë tre kundër dyve dhe dy kundër treve? Shihni drejt Zotit. I luteni Zotit (vargu 7). I përgjëroheni atij me dy bindje të thella. Njëra është që jeni mëkatar dhe nuk meritoni asgjë prej Perëndisë. Ne nuk kemi qenë prindër të përsosur. Ne kemi mëkatuar. Nuk jemi të marrë dhe as naivë. E dimë gjithashtu që të tjerët kanë mëkatuar kundër nesh. Por gjithë natyra jonë e vjetër dëshiron të mendojë vetëm për këtë gjë. Vetëm Fryma e Shenjtë mund të na bëjë të shohim mëkatin tonë. Vetëm Fryma e Shenjtë mund të na bëjë të ndjejmë fajin tonë. Kjo është bindje e thellë.

Bindja tjetër është që nuk ka asnjë perëndi si Perëndia ynë, që fal paudhësinë dhe kapërcen shkeljen, nuk i hap udhë zemërimit dhe i pëlqen të jetë i mëshirshëm. Ne jemi po aq të bindur për këtë gjë sa jemi edhe për faktin që kemi mëkatuar kundër bashkëshortes/bashkëshortit dhe kundër fëmijëve tanë, dhe mbi të gjitha kemi mëkatuar kundër Perëndisë. A e dalloni sesi të dyja këto janë kritike – sesi bashkëveprojnë duke e bërë të mundur thellimin e njëra-tjetrës? Nëse nuk e ndjeni mëkatin dhe fajin tuaj nuk do të hyni thellë në faljen e Perëndisë. Por në fakt funksionon edhe nga ana tjetër, dhe kjo gjë është kritike për familjet: Nëse nuk i njihni thellësitë e faljes së Perëndisë nuk do të arrini të kuptoni thellësitë e mëkatit tuaj.

Këto dy bindje të thella prodhojnë qëndrimin e guximit zemërthyer. Ky është qëndrimi për një prindërim me shpresë edhe në kohët më të këqija. Zemërthyer për mëkatin tonë në kontekstin e mëkateve kundër nesh, dhe guximtarë për faktin, “Kush është një Perëndi si ti që fal?”

Guximi zemërthyer intensifikohet në Jezusin

Për të krishterët që të dyja anët e këtij qëndrimi themelohen dhe intensifikohen përmes njohjes së Jezu Krishtit dhe asaj që ai bëri për ne në kryq. Për Mikean Jezusi ishte thjesht shpresë në kapitullin 5, “Por ti, o Betlem Efratah… nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael… Ai do të mbetet për të kullotur kopenë e tij me pushtetin e Zotit.” (Mikea 5:2, 4). Ky Bari i mirë e dha jetën e vet për delet (Gjoni 10:11). Kur e bëri këtë gjë e pamë në mënyrë edhe më të qartë se kurrë më parë thellësinë e mëkatit tonë (gjë e cila kërkoi një vuajtje të tillë) si dhe madhështinë e dëshirës së Perëndisë për të na falur. Prandaj në këtë mënyrë zemër thyerja dhe guximi intensifikohen.

Prandaj nëse jeni duke prindëruar në kohët më të këqija, nëse dëshironi të jeni gati të prindëroni në kohë të tilla, apo thjesht dëshironi të keni shpresë edhe në kohët më të këqija, shihni Mikean, shihni Jezusin dhe përqafoni këtë qëndrim: zemërthyer për shkak të mëkatit tuaj, dhe guximtarë për shkak të Krishtit. Pastaj për hir të Jezusit në fuqinë e Frymës së Shenjtë, vendosni në zemrën tuaj të jeni prindi më i mirë i papërsosur që mund të jeni.

Read it in English

© Desiring God

Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim nga leja e mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.

By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*