1 Nentor – Octavius Winslow

1 Nëntor

“Por në qoftë se ndokush nuk ka Frymën e Krishtit, ai nuk i përket atij.” Romakëve 8:9

Fryma e Krishtit është ai që na bind për mëkatin. “Ai do ta bindë botën për mëkat.” A e ke pranuar Atë në këtë mënyrë? A të ka zbuluar ai lebrën morale të natyrës tënde, mëkatshmërinë e madhe të mëkatit tënd? A e ke përjetuar në ndonjë farë mase konfliktin për të cilni apostulli flet në kapitullin e shtatë të letrës së tij drejtuar Romakëve – ligji mendjes në betejë me ligjin e gjymtyrëve? A të ka çuar ky zbulim tek shqyrtimi i vetes, tek mohimi i vetes, a të ka bërë të mbyllësh gojën dhe të biesh në pluhur para Perëndisë? Nëse është kështu, atëherë Fryma e Krishtit është Fryma e bindjes për mëkatin brenda teje, dhe me anë të kësaj mund të dish se je i Krishtit.

Fryma e Krishtit na udhëheq te Krishti. Ai është për mëkatarin ashtu si ishte Gjoni për Mesian – Ai shkon përpara si Pararendësi i shpëtimit të Zotit. Ai përgatit udhën dhe lajmëron ardhjen e Jezusit në shpirt. Ky ishte qëllimi i veçantë për të cilin Ai u dërgua, gjë e cila përfshihet në misionit e Tij – për t’i udhëhequr njerëzit te Krishti. A të ka udhëhequr Ai te Krishti? A mund të thuash, “Krishti është bërë për mua urtësi, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim”? Çfarë mendon për Krishtin? A është gjaku i Tij i çmuar? A të jep paqe drejtësia e Tij? A i nënshtron hiri i Tij mëkatet e tua? Kur je në trishtim a shkon vallë te dhembshuria e Tij, kur je në dobësi a kapesh pas forcës së Tij, kur je ndërdyshas a mbështetesh te këshilla e Tij, a e pranon dhe e pret Atë në të gjitha hapat e tua? A është Krishti gjithçka dhe në të gjitha për ty? Atëherë ti e ke Frymën e Krishtit.

Këtë gjë guxojmë ta themi për inkurajimin tënd. Ti mund të mbështetesh te Krishti, dhe mund të mos ketë ndonjë ndjesi të prekshme, asnjë prekje të cilën ta ndjesh, as ndonjë prani të manifestuar; megjithatë, nëse zemra jote jepet drejt Jezusit, nëse shpirti yt shkon vetëm drejt Atij, nëse lutesh për dhembshurinë e Tij, nëse e dëshiron fort hirin e Tij, nëse ke etje për dashurinë e Tij dhe shtyhesh të thuash, “Zot, dëshira e zemrës time është për emrin Tënd, dhe për kujtimin tënd; mund të mos të shoh, mund të mos të prek, mund të mos të ndiej; megjithatë, unë vij dhe gjej strehë tek Ti; dhe nuk guxoj që të qëndroj larg Teje as për dhjetë mijë botë” – atëherë, lexues i dashur, ti ke Frymën e Krishtit dhe i takon Krishtit.

Fryma jo vetëm që na udhëheq te Krishti, por ata që Ai i udhëheq te Krishti gjithashtu i përshtat me shëmbëlltyrën e Krishtit. Ai na drejton te Krishti, jo vetëm për ngushëllim dhe udhëzim, por edhe për përvetësim. Nëse jemi të përulur, kemi Frymën e Krishtit – sepse Ai është i përulur. Nëse jemi zemërbutë, kemi Frymën e Krishtit – sepse Ai ishte zemërbutë. Nëse besojmë, ne kemi Frymën e Krishtit – sepse Ai jetoi një jetë besimi. Nëse e duam Perëndinë, kemi Frymën e Krishtit – sepse Ai ishte mishërimi i dashurisë. Nëse jemi të shenjtë, kemi Frymën e Krishtit, sepse Ai ishte pa mëkat. Nëse jemi të bindur, zemërbutë dhe vetëmohues në vuajtje; të heshtur në provokime, të nënshtruar në disiplinim, të duruar në shtrëngim, ngazëllues në shpresë, atëherë kemi Frymën e Krishtit, sepse Ai i kishte të gjitha këto karakteristika.

Prandaj, zotërimi i këtij bekimi të madh dhe të pazëvendësueshëm përfshin dy gjëra të mëdha – së pari, për t’u bërë subjekt i banimit real dhe të përhershëm të Frymës; dhe se dyti, të përshtatesh me karakterin dhe prirjen e Shpëtimtarit. Prandaj është shumë e sigurt që nëse arrihet bekimi i parë, ai i dyti e pason atë, megjithatë është bekimi i dytë ai të cilin duhet ta shohim si fryti dhe prova e të parit. Pyetja, “A jam i Krishtit?” varet nga përgjigja që i japim pyetjes, “A e kam Frymën e Krishtit?”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*