10 Qershor – Octavius Winslow
“Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.” Isaia 53:6
Si t’i shpjegojmë vuajtjet e Krishtit, të cilat ishin aq të mëdha dhe aq të mistershme, nëse nuk e bëjmë duke u bazuar te karakteri i tyre përfaqësues? Ato ishin vuajte jashtëzakonisht ekstreme. Në ato vuajtje kishte një ashpërsi e cila nëse nuk do të kërkohej prej drejtësisë Hyjnore do të ishte krejtësisht e pajustifikueshme. Qielli, toka dhe ferr, që të gjitha u bën bashkë kundër Tij. Gjurmoni historinë e Tij plot ndodhi – shihni çdo hap që Ai hodhi nga Betlehemi deri në Kalvar; dhe çfarë mësojmë për vuajtjet e Tij, përveçse ato kishin një karakter të fortë dhe të jashtëzakonshëm. Armiqtë e Tij, si qen lufte, u turrën kundër Tij. Vetë ndjekësit e tij të shpallur qëndruan të llahtarisur përballë skenave përmes të cilave po kalonte Zoti i tyre – njëri e tradhtoi, një tjetër e mohoi, dhe të gjithë, në momentin e tij më të vështirë, e braktisën. A ju duket e habitshme atëherë që në pikëllimin e shpirtit të Tij, natyra e Tij njerëzore që po vuante klithi, “’O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti.” Në atë moment të tmerrshëm, të gjitha valët dhe dallgët e zemërimit të Perëndisë për shkak të mëkateve të popullit të TIj, po kalonin mbi të. Ati, burimi i fundit i simpatisë, e mbuloi fytyrën e Tij, e largoi prej tij praninë e Tij të prekshme; dhe në kryq, duke e kulluar kupën e pikëllimit, e përmbushi profecinë e cila fliste për të – “Gaviçin e shtypa vetëm dhe asnjë nga popujt nuk ishte me mua.”
Vuajtjet e Tij ishin edhe misterioze. Pse një qenie kaq e shenjtë dhe e parrezikshme, gjithë jeta e të cilit kishte qenë një veprim i vazhdueshëm bamirësie, t’i nënshtrohej një përndjekjeje kaq të ashpër, vuajtjeve kaq të mëdha, dhe një vdekjeje kaq të dhimbshme dhe poshtëruese duhet të shpjegohet prej atij që e mohon shlyerjen. Por doktrina e shlyerjes zëvendësuese shpjegon gjithçka, dhe na prezanton me çelësin e vetëm për ta zgjidhur misterin. “Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.” Tani gjithë misteri është shpjeguar. Ai “u bë mëkat për ne.” Ai u “bë mallkim për ne.” Ai mbarti mëkatin, dhe për pasojë edhe ndëshkimin e mëkatit. Lexues i krishterë, nëse do ishim lënë që t’i mbanim vetë mëkatet tona në mënyrë të paevitueshme do të kishim mbartur vetë edhe ndëshkimin për mëkatet tona. Por Jezusi mori mbi vete mëkatet tona.
Për këtë arsye Ai u bë palë në besëlidhjen e shpengimit; për këtë arsye Ai mori mbi vete natyrën tonë; për këtë arsye, drejtësia e Perëndisë i shkaktoi ndëshkimin më të lartë. Oh çfarë e vërtete që është kjo!
Biri i Perëndisë e ofroi veten si sakrificë për mëkatin! Ai që nuk njohu mëkat – Ai që ishte i shenjtë, i padëmshëm, dhe i panjollosur – Ai që nuk kishte as edhe një mendim të lig në zemrën e Tij, u bë mëkat, apo ofertë për mëkatin! Oh çfarë mendimi madhështor! Nëse nuk do e kishte deklaruar Vetë Perëndia nuk do ta kishim besuar, edhe pse mund ta kishte shqiptuar gjuha e një engjëlli. Vetë Perëndia duket ta shpallë; dhe për shkak se Ai e ka shpallur në këtë mënyrë, ne e besojmë. Perëndia është i vetmi që mund ta shkruajë në zemër.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!