12 Shtator – Octavius Winslow

12 Shtator

“Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë më të dhe lavdohemi me të.” Romakëve 8:17

Ata jo vetëm që kanë lindur nga Perëndia si fëmijët e Tij, dhe përmes një veprimi sovran të mëshirës së Tij falas janë bërë trashëgimtarë të një trashëgimie; por, në mënyrë subjektive ata janë bërë trashëgimtar të Atij. “Trashëgimtarë të Perëndisë.” Jo vetëm që të gjitha gjërat e besëlidhjes janë të tyre, por Perëndia i besëlidhjes është i tyre. Kjo është mëshira më e madhe që ata kanë marrë. “Unë jam pjesa juaj dhe trashëgimia juaj” janë fjalët e Tij drejtuar të gjithë levitëve frymërorë. Ata jo vetëm që kanë marrë në zotërim gjithçka që Perëndia ka – një pasuri të pakufishme – por që tani zotërojnë gjithë sa Perëndia është – një pjesë të pafundme. Çfarë e vërtete e jashtëzakonshme që është kjo, “Unë do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im”!

Hiqeni këtë të vërtetë nga besëlidhja e hirit, nëse kjo do të ishte e mundur, dhe çfarë mbetet? Kjo është pasuria më e madhe dhe lavdia më e madhe e asaj besëlidhjeje, që Perëndia është Perëndia ynë. Kjo u jep përmbajtje bekimeve të saj dhe siguri themeleve të saj. Për aq kohë sa besimi mbahet fort pas Perëndisë të besëlidhjes, si Perëndia ynë, mund të prehet me siguri të përsosur në pritjen e dhënies së plotë të asaj prehjeje. Këtu qëndron pasuria jonë e pamasë, e pafundme dhe e pallogaritshme. Ku konsiston varfëria e skajshme e një njeriu të pa perëndishëm? Fakti që ai është pa Perëndi në botë. Lexues i dashur, qofsh i pasur apo i varfër, në pozitë të lartë apo të ulët në këtë botë, nëse je pa Perëndinë je i humbur për gjithë përjetësinë. Është thjesht një çast i pavlerë nëse je duke shkuar drejt mundimeve të të humburve i veshur me lecka dhe në përunjësi apo i veshur me gëzof dhe shkëlqim; ato mundime do të jenë trashëgimia jote e pandryshueshme, nëse jeton dhe vdes pa Perëndinë, pa Krishtin dhe pa shpresë.

Por krahasojeni këtë me gjendjen e fëmijës më të varfër të Perëndisë. Jo vetëm që gjithësia është e tij – “sepse të gjitha gjërat janë tuajat” – por Perëndia i gjithësisë është i tij: “Zoti është pjesa ime thotë shpirti im, prandaj, do të kem shpresë tek Ai.” Ne kemi një përfitim të pavdekshëm nga çdo përsosmëri e natyrës Hyjnore. A është Urtësia? Ajo na këshillon. A është Fuqia? Ajo na shërben si mburojë. A është Dashuria? Ajo na qetëson. A është Mëshira? Ajo na lartëson. A është e Vërteta? Ajo nuk shkëputet prej nesh. “Ashtu si Jeruzalemi është rrethuar nga male, kështu Zoti rri përreth popullit të tij, tani dhe përjetë.” Çfarë mund të kërkojmë më tepër se kaq? Nëse Perëndia është Perëndia ynë ne zotërojmë përmbajtjen dhe sigurinë e çdo bekimi tjetër. Ai do të na çojë te një besim absolut në një Perëndi absolut.

Ai na fiton dhe në bën të heqim dorë nga të gjitha pritjet prej burimeve të tjerë, Ai na tërheq te këmbët e Tij ndërsa nga buzët tona dëgjohen fjalët e Kishës – “Ja, ne po vijmë te ti, sepse ti je Zoti, Perëndia ynë. Me siguri ndihma që pritet nga kodrat e nga numri i madh i maleve është e kotë; me siguri shpëtimi i Izraelit qëndron te Zoti, Perëndia ynë.” Dëshira e zemrës së Perëndisë është të na japë më të mirën dhe më të shkëlqyerën. Nëse do të kishte një pjesë më të madhe, më të mirë, më të ëmbël dhe më të kënaqshme se Ai Vetë, ajo pjesë do kishte qenë e jona. Por, përderisa nuk ka një të tillë, dhe as mund të ketë, një më të madh se Ai, dashuria, dashuria e përjetshme, e pandryshueshme që Ai ka për ne e shtrëngon të na japë Veten si Perëndia ynë, si pjesa ynë, si gjithçka për ne.

A nuk e kemi përjetuar Atë si Perëndia që na kënaq plotësisht? A kemi gjetur ndonjëherë një mangësi tek Ai? Me të drejtë Ai mund të na sfidojë duke na pyetur, “A kam qenë vallë një shkretëtirë për Izraelin ose një vend me errësirë të dendur?” Oh jo! Perëndia është i gjithëmjaftueshëm, nuk është shkretëtirë e thatë, nuk është tokë e errët, sikurse e kemi përjetuar. Brenda Tij ekziston një gjithëmjaftueshmëri dashurie për të na ngushëlluar; ka një gjithëmjaftueshmëri fuqie për ta na ngritur lart; një gjithëmjaftueshmëri fuqie për të na mbrojtur; dhe një gjithëmjaftueshmëri mirësie për të na kënaqur; një gjithëmjaftueshmëri urtësie për të na drejtuar; një gjithëmjaftueshmëri lavdie për të na shpërblyer; dhe një gjithëmjaftueshmëri hareje për të na bërë të lumtur këtu dhe në përjetësi. Kjo është trashëgimia jonë si fëmijë të Perëndisë.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*