13 Mars – Octavius Winslow

13 Mars

“O njeri besimpak, pse dyshove?” Mateu 14:31

Besimi që dyshon nuk është besim dyshues. Nëse një besimtar nuk e ka besimin e sigurisë, ai mund të ketë besimin e mbështetjes, dhe ky besim ka për ta çuar në qiell. Të gjitha dyshimet dhe frikërat që e kanë sulmuar ndonjëherë një fëmijë të Perëndisë nuk mund ta fshijnë dot emrin e tij nga libri i jetës së Qengjit, nuk mund ta nxjerrin dot nga zemra e Perëndisë dhe as nuk mund ta lënë jashtë lavdisë. “Mosbesimi,” thotë Radhërfordi, “ndoshta mund t’i grisë kopjet e besëlidhjes që Krishti të ka dhënë; por Ai ende e mban origjinalin për Vete në qiell. Dyshimet dhe frikërat e tua nuk janë pjesë të besëlidhjes; dhe as që mund ta ndryshojnë Krishtin.”

“Dyshimet dhe frikërat e të zgjedhurve,” thotë një tjetër, “mposhten prej hirit të plotëfuqishëm për të mirën e tyre të tanishme dhe të përjetshme; ato ndihmojnë të na mbajnë të përulur tek stoli i këmbëve të Perëndisë, që të kapemi fort pas meritave të Jezusit, dhe të na bëjnë të ndiejmë dobësinë dhe varësinë tonë, e kështu të na bëjnë vigjilentë në lutje.” A ka pasur dikur një shpirt pa jetë dhe i pa rilindur ndonjë dyshim apo frikë rreth gjendjes së vet frymërore? Kurrë. A po përpiqem t’i përforcoj dyshimet tuaja? Jo; por dëshiroj të forcoj besimin tënd të sprovuar dhe që po dyshon, do të të them për inkurajimin tënd, që edhe grimca më e vogël e hirit ka brenda saj lavdi të përjetshme, njëlloj sikurse edhe fara më e vogël përmban gjithë sa del prej saj – kërcellin, kallirin, dhe kallirin plot me kokërra. Mos e humb zemrën, mos u dekurajo në sprovën tënde të besimit. Nuk ka shteg më të ëmbël për në qiell sesa përgjatë shtegut të hirit falas, i cili është shtruar me sprova të vështira. Këtë udhë shkeli edhe Ai i cili ishte “plot hir.” Edhe pse Ai ishte i pasur në hir, shiko sa fort u sprovua. Prandaj, mos mendo, që sprovat e tua të ashpra janë shenja të një gjendjeje pa hir. Oh jo! Shenjtorët më të hirshëm kanë qenë shenjtorët më të sprovuar. Por mos qëndro këtu. Ka ende një ngushëllim edhe më të pasur dhe më të sigurt për ty – madje plotësia e hirit që është në Jezusin – hir që rrjedh përjetësisht dhe që është përjetësisht i plotë. Tregoja Atij dyshimet dhe frikërat e tua. I thuaj se e dëshiron Atë mbi çdo të mirë. Zhytu në detin e plotësisë së Tij; dhe Ai, i cili ka krijuar në shpirtin tënd një etje për hir, me siguri do të të japë me bollëk hirin për të cilin digjesh kaq shumë.


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*