14 Tetor – Octavius Winslow

14 Tetor

“Duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim dhe lutje për të gjithë shenjtorët,dhe edhe për mua, që kur të hap gojën time, të më jepet të flas lirësisht për ta bërë të njohur misterin e ungjillit, për të cilin jam i dërguari në pranga, që të mund të shpall lirësisht, siç e kam për detyrë.” Efesianëve 6:18-19

Dy bekimet që Pali i dëshironte fort përmes lutjeve të tufës së tij ishin të folurit dhe guximi. Ai e dinte se vetëm Ai që e kishte krijuar gojën e njeriut mund t’i hapte buzët e tij për të shpallur pasuritë e pahulumtueshme të Krishtit. Edhe pse dhuratat e tij natyrore ishin shumë të mëdha, të pasura dhe të larmishme sikurse ishin edhe arritjet e tij intelektuale, ai e ndjeu pamjaftueshmërinë e tyre kur punonte vetëm. Nuk duhet të dështojmë kurrë të bëjmë dallimin mes elokuencës natyrore të njeriut dhe të folurit të shenjtë që jep Fryma. Pali kishte dhunti të shkëlqyera dhe aftësi të mëdha të foluri. Por çfarë ishin ato? Ai kishte nevojë për më tepër. Ai kërkoi për më tepër.

Lexues i dashur, nëse shërbesa e pajtimit erdhi në shpirtin tënd me ndonjë fuqi apo ëmbëlsi, mbaj mend se e kujt ishte kjo gjë. Mos i jep lavdi njeriut por Perëndisë. Tregohu shumë xheloz për nderin e Fryëms në shërbesën e fjalës. Ajo është “frymë dhe jetë” për ty vetëm ndërsa Ai i jep të folurin atij që flet. Është e vajtueshme të vëzhgojmë se në çfarë mase arrin idhujtaria e talentit dhe elokuencës njerëzore, dhe sa pak lavdi i jepet Frymës së Shenjtë në shërbesën e ungjillit.

Por kishte edhe një kualifikim tjetër shërbese që Pali kërkoi. Ai dëshironte të ishte i palëkundur nga frika e njeriut. “Që kur të hap gojën time, të më jepet të flas lirësisht.” Nëse do e kishim dëgjuar ta shqiptonte këtë kërkesë mund të kishim qenë të shtrënguar të përgjigjeshim, “A dëshiron guxim? Ti je apostulli më i guximshëm dhe më trim. Ti nuk ke frikë nga asnjë njeri!” Ah, ne harrojmë që kur Perëndia e trazon thellë zemrën e një besimtari për të ndjerë nevojën e tij, dhe për të dëshiruar me zjarr ndonjë hir të veçantë të Frymës, ai hir do të jetë tipari dallues i karakterit të tij të krishterë.

Vetë zotërimi dhe ushtrimi i një hiri e forcon dëshirën që ai të shtohet. Sa më tepër të kemi nga Krishti, aq më tepër dëshirojmë nga Krishti. Etja e zemrës nuk shuhet kurrë. A shohim një njeri të zellshëm dhe këmbëngulës në lutje për besim? Besimi do të jetë hiri dallues. A shohim një tjetër që përleshet me Perëndinë për pamje më të qarta të ligësisë së mëkatit? Ai njeri do të karakterizohet nga ecja e tij e përulur me Perëndinë. A dëshiron dashuri? Ai do të ketë një frymë të dashur. Për këtë gjë të jeni të sigurt, sa më tepër të njihni nga vlera dhe ëmbëlsia e ndonjë hiri të caktuar të Frymës, aq më zellshëm do të jepet zemra juaj pas kërkimit të shtimit të atij hiri.
Arsyeja pse shumë dëshira për hir janë kaq të dobta, mund të gjendet te masa e vogël e hirit që zotërojmë tashmë. Vetë dobësia e dëshirësh vërteton mangësinë në atë që zotërojmë. Ashtu sikurse gjithë dëshira e shenjtë buron prej hirit, prandaj sa më i thellë të jetë hiri, aq më e zellshme do të jetë dëshira. Zoti na zgjoftë nga kërkimi ynë përtac i Tij.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*