8 Dhjetor – Octavius Winslow

8 Dhjetor

“Dhe Perëndia do të thaijë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.” Zbulesa 21:4

Në qiell do të çlirohei nga prania e ligësisë dhe nga tirania e prishjes. Tani mëkati është gjëma, tortura dhe barra jonë, atëherë nuk do ta na skllavërojë, shqetësojë dhe shtypë më. Zinxhiri që tani na mban të lidhur me trupin e vdekur dhe të neveritshëm të poshtërimit tonë do të këputet dhe do të jemi përjetë të lirë! Ju që këlthisni, “Oh njeri i mjerë që jam!” ju që e njihni plagën e brendshme dhe ndjeni që nuk ka asnjë çast gjatë ditës në të cilin të mos dështoni që ta arrini lavdinë hyjnore – ju për të cilët barrët më të rënda, pikëllimet më të hidhura dhe poshtërimet më të thella vijnë nga vetëdija për mëkatin – çfarë pritje e lavdishme që është kjo për ju! “Ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai.”

Mungesa e çdo ligësie dhe prania e çdo të mire përbën karakteristikat e gjendjes qiellore të cilat e vendosin bekimin e saj përtej konceptimit të mendjes njerëzore. Më jep siguri që në lavdi të gjitha efektet dhe vetëdija për mallkimin do të hiqen tej – që zemra nuk do të përgjaket më, që fryma nuk do të vajtojë më, që tundimet nuk do të më sulmojnë më, që sëmundja, vajtimi, ndarja dhe zhgënjimi janë forma vuajtjeje të cilat nuk do t’i njoh më kurrë – dhe Fryma t’i dëshmojë frymës time se jam një fëmijë i Perëndisë, dhe se për mua është hapur një derë në qiell përmes të cilës rrjedh një valë “gëzimi të patregueshëm dhe plot me lavdi” dhe bie mbi shpirtin tim. Ky është qielli.

Por qielli nuk është vetëm një vend bekimi përmes mungesës së çdo gjëje negative. Atje ka edhe një prani pozitive të çdo të mire. “Ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi.” Shpirti është me Krishtin, në praninë e Perëndisë dhe në plotësinë e shijimit të gjithçkaje që Ai ka përgatitur që nga përjetësia për ata që e duan Atë. Me gjithë shpirtin, me gjithë intelektin, me gjithë pastërtinë, me gjithë dashurinë – “syri nuk e ka parë dhe veshi nuk e ka dëgjuar” bekimin e pakonceptueshëm e oqeanit të paanë në të cilin ngazëllohet tani. Shoqëria e tij është e gëzueshme, përfshirja e tij është e këndshme, gëzimet e tij janë përherë të reja. Sa thellë që pi shpirti tani nga dashuria e përjetshme e Perëndisë, me çfarë ëndjeje të mahnitshme që e sodit tani lavdinë e Emanuelit, sa qartë që e lexon tani librin misterioz të gjithë veprimtarisë Hyjnore këtu poshtë, sa fort dëgjohen tani këngët e tij të lavdërimit ndërsa çdo faqe e re shpalos “lartësinë, thellësinë, gjatësinë dhe gjerësinë e dashurisë së Krishtit,” e cila edhe atëherë “ia tejkalon çdo zgjuarsie”!

Sigurisht që mund t’u bëjmë thirrje “shenjtorëve të gëzojnë në lavdi.” Këndoni me zë të lartë sepse tani jeni me Krishtin, tani shihni Perëndinë, tani jeni përtej viseve të mëkatit, dhimbjes, lotëve dhe vdekjes – “përjetë me Zotin.” Por ne nuk mund ta konceptojmë dot, dhe aq më pak ta përshkruajmë të ardhmen e lavdishme të besimtarëve; “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë.” Shumë shpejt do të shkojmë në shtëpi dhe do të përjetojmë të gjithën. Atëherë syri do të ketë parë dhe veshi do të ketë dëgjuar, zemra do të ketë kuptuar gjërat që Perëndia ka rezervuar që nga përjetësia në Jezusin, ato që i ka përgatitur në besëlidhjen e përjetshme për fëmijën e tij më të dobët, më të vogël dhe më të mjerë, zemra e të cilit dridhet dobët por sinqerisht me një reagim dashurie të shenjtë ndaj Tij.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*