16 Maj – Octavius Winslow

“Sepse me shpresë ne shpëtuam.” Romakëve‬ ‭8:24‬

Kjo frazë, ashtu sikurse përdoret nga apostulli, nuk nënkupton instrumentin përmes të cilit jemi shpëtuar, por gjendjen në të cilën jemi shpëtuar. Gjendja e krijesës së ripërtërirë është ajo e shpresës. Shpëtimi përmes shlyerjes së Krishtit – besimi dhe jo shpresa, është instrumenti që e përvetëson, është një gjë e plotë dhe e përfunduar. Nuk mund ta theksojmë më tepër se duhet të vërtetën dhe as nuk mund ta përforcojmë dot me një zell tepër të madh. Nuk mund t’i mbajmë sytë tepër ekskluzivisht apo me më tepër vëmendje se duhet në Jezusin. I gjithë shpëtimi është në Të – gjithë shpëtimi rrjedh prej Tij – i gjithë shpëtimi çon tek Ai, dhe për sigurinë dhe ngushëllimin e shpëtimit tonë duhet që të prehemi plotësisht dhe me besim në Të.

Krishti duhet të jetë gjithçka; Krishti fillimi – Krishti qëndra – dhe Krishti fundi. Oh çfarë e vërtete e bekuar për ju që psherëtini dhe vajtoni për neveritë e dukshme që kurorëzojnë dhe errësojnë dhomën e përfytyrimit! Oh çfarë e vërtete e ëmbël për ju që jeni të ndjeshëm ndaj varfërisë, neverisë dhe pamjaftueshmërisë të dhjetë mijë mangësive dhe dështimeve të cilat, ndoshta askush nuk i njeh përveç Perëndisë dhe shpirtit tuaj! Oh, kthehuni dhe prehuni në Krishtin – një Krisht i plotë – një Krisht i dashur – një Krisht zemërbutë, dashuria e të cilit nuk ftohet kurrë, nga sytë e të cilit nuk dalin qortime, dhe nga buzët e tij nuk dëgjohet asnjë fjali dënimi! Por, për sa i përket efekteve të plotë të këtij shpëtimi tek ata që janë shpëtuar, ato janë ende në të ardhmen.

Është “shpresa që ruhet për ne në qiell.” Do të dukej krejtësisht e papërshtatshme me qeverisjen e tanishme që krijesa e përtërirë të jetë në ndonjë gjendje tjetër përveç asaj të pritjes me shpresë. Gjendja drejt të cilës priret krijesa, shenjtëria që kërkon, shkëlqimi të cilin e dëshiron, dhe dinjiteti që aspiron, nuk mund të ekzistojnë as edhe për një moment në atmosferën prej të cilës është e rrethuar. Gjendja e tij duhet me patjetër të jetë ajo e shpresës, dhe ajo shpresë duhet që të na lidhë me të vërtetën e largët dhe të mistershme. Ideja, “me shpresë shpëtuam, ilustrohet prej efekteve të shpresës së krishterë. Është emocioni hyjnor që e ngre lart shpirtin në mes të konfliktit, sprovave, dhe vështirësive të jetës së tanishme.Ne pra, gëzohemi dhe mbështetemi, apo “shpëtohemi” nga zhytja poshtë dallgëve, prej shpresës së çlirimit të sigurt dhe shpengimit të plotë. “në shpresën e jetës së përjetshme, të cilën Perëndia, që nuk gënjen, e premtoi para të gjitha kohërave.”


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*