18 Maj – Octavius Winslow

“Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”. Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Mateu‬ ‭22:37-38‬

Dashuria për Perëndinë përshkruhet në fjalën e Tij si ajo që formon kërkesën e parë dhe madhore të ligjit hyjnor. Ishte gjë pafundësisht e urtë dhe e mirë që Perëndia ta paraqiste Veten në këtë mënyrë si objektin e duhur dhe të ligjshëm të dashurisë. Themi që ishte e urtë për shkak se po të kishte vendosur një objekt dashurie supreme më të ulët se Veten, do ta kishte lartësuar kështu një objekt inferior përmbi Veten e Tij. Sepse çfarëdo objekti tjetër përveç Perëndisë i cili duhet me dashuri të vetme dhe supreme, është duke kundërshtuar Perëndinë, prandaj ulet si Perëndi në tempullin e Perëndisë dhe pretendon të jetë Perëndi.

Ishte gjë e mirë që Perëndia ta jepte këtë urdhërim për shkak se një objekt më i ulët dashurie nuk mund t’i plotësonte dot kurrë dëshirat dhe aspiratat e një mendjeje të pavdekshme. Perëndia e ka krijuar njeriun në mënyrë të tillë saqë ka vendosur brenda tij një kapacitet të tillë për lumturi, dhe një dëshirë të pamasë dhe të pavdekshme e cila mund ta gjejë përmbushjen e saj vetëm në pafundësi. Ai nuk synoi kurrë që krijesat inteligjente dhe të pavdekshme ta shuante etjen e vet në një burim më inferior se Ai vetë. Prandaj, ishte pafundësisht e urtë dhe e mirë në Perëndinë që Ai ta paraqiste Veten si objektin e vetëm të dashurisë dhe adhurimit suprem të krijesave të Tij inteligjente. Urtësia e Tij ishte nevoja për të pasur një qenëdër dashurie supreme dhe admiruese, dhe një objekt adhurimi frymëror dhe suprem, si për engjëjt ashtu dhe për njerëzit.

Mirësia e Tij sugjeroi që ajo qendër dhe ai objekt të ishte Ai vetë, përsosmëria e shkëlqesisë së pafundme, burimi i mirësisë së pafundme. Ashtu sikurse prej Tij rrjedhin të gjitha rrëketë e jetës për të gjitha krijesat, ishte e arsyeshme dhe e drejtë që të ktheheshin po tek Ai, dhe në Të të përqendroheshin, të gjitha rrëketë e dashurisë dhe bindjes së të gjitha krijesave inteligjente dhe të pavdekshme; duke qenë se Ai ishte objekti më inteligjent, më i urtë, më i lavdishëm, dhe më bamirës në gjithësi, ishte me vend që dashuria e parë, më e fortë dhe më e pastër e krijesës të ngrihej me krahë drejt Tij dhe ta gjente vendprehjen e saj në Të.

Prandaj, dashuria për Perëndinë formon kërkesën madhore dhe udhëzimin themelor të ligjit hyjnor. Ajo vlen për të gjitha krijesat inteligjente. Asnjë konsideratë nuk mund ta lirojë krijesën prej këtij urdhërimi. Asnjë përgjërim paaftësie, asnjë pretendim objektesh inferiore, asnjë kundërshtim i interesave rivale, nuk mund ta zvogëlojë detyrimin e çdo krijese që merr frymë “ta dojë Zotin Perëndinë e vet me gjithë zemrën, me gjithë shpirtin, dhe me gjithë mendjen e vet.” Kjo rrjedh prej marrëdhënies së krijesës me Perëndinë, si Krijuesi i saj, Qeverisësi moral, dhe Ruajtësi; dhe duke qenë në Vetvete objekti i vetëm i shkëlqesisë, urtësisë, shenjtërisë, madhështisë dhe hirit të pafundmë.

Edhe ky obligim për ta dashur Perëndinë me një dashuri supreme është detyrues për krijesën, pavarësisht ndonjë avantazhi që mund të rezultojë për të duke e dashur Perëndinë në këtë mënyrë. Është shumë e vërtetë që Perëndia në mënyrë bamirëse e ka lidhur lumturinë supreme me dashurinë supreme, dhe na ka paralajmëruar me mjerim suprem atëherë kur kjo dashuri supreme nuk i jepet Atij; megjithatë, pavarësisht ndonjë bekimi që mund të vijë tek krijesa për shkak të dashurisë ndaj Perëndisë, shkëlqesia e pafundme e natyrës Hyjnore dhe marrëdhënia e përjetshme në të cilën Ai qëndron me gjithësinë inteligjente, e bën detyruese në mënyrë të pakthyeshme që çdo krijesë ta dojë Atë me një dashuri supreme, të lartë, të shenjtë dhe pa rezerva.


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*