20 Dhjetor – Octavius Winslow
20 Dhjetor
“Sepse përfundimi i ligjit është Krishti, për shfajësimin e kujtdo që beson.” Romakëve 10:4
Shiko çfarë dere të hapur që të shfaq kjo temë para mëkatarit të përulur dhe të bindur. Kjo temë e rrethon gjithë të ardhmen e së ardhmes së tij me ylberin e besëlidhjes së shpresës. Nën harkun e tij të gjerë dhe të shkëlqyer ai është i sigurt. Tani ligji është nderuar ashtu sikur nuk ishte nderuar kurrë më parë, i është dhënë një shkëlqim nën dritën e të cilit lavdia e tij duket e zbehtë, dhe nën ndriçimin e të cilit engjëjt mbulojnë fytyrat e tyre, qeverisjes Hyjnore i është dhënë lavdia më e madhe. Lexues i penduar, a mendon se Zoti do ta refuzojë kërkesën e një mëkatari të vetëm i cili me përulësi kërkon që të shpëtohet?
Çfarë, a do të refuzojë vallë Ati që ta përqafojë në zemrën e Tij të pajtuar të penduarin që turret në strehën e bekuar pasi Biri i Perëndisë është përulur kaq shumë për të shpëtuar edhe më të ulëtin, vuajti kaq shumë që të shpëtonte edhe më të neveritshmin? Kurrë! Prandaj, afrohu o shpirt i thyer dhe i përulur, i lodhur dhe i ngarkuar. Ka shpresë për ty në Jezusin, ka prehje për ty në Jezusin, ka një qiell shkëlqimi dhe lavdie që të pret – e gjithë kjo është në Jezusin, përmbushësin e madh të ligjit.
Oh sa shumë do të të mikpresë zemra e Krishtit! Sa e plotë dhe e lirë do të jetë falja e Perëndisë që do të të ofrohet ty! Sa e thellë dhe e pasur paqja, gëzimi dhe shpresa të cilat do të rrjedhin si një lumë me valët e gëzueshme në shpirtin tënd në çastin që do të pranosh Krishtin në zemrën tënde! “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh.” Ai që beson në të nuk dënohet, por ka kaluar nga vdekja në jetë.”
Shenjtorë të Perëndisë, mbajini sytë e besimit tuaj të fiksuar me vëmendjen dhe pa i lëvizur mbi Krishtin, shembullin tuaj të vetëm. Zoti ynë nuk e zbatoi ligjin që njerëzit e Tij të mund të ishin pa ligj. Ai nuk e nderoi ligjin që ata të mund t’i çnderojnë porositë e tij. Bindja e Tij nuk siguroi asnjë leje mosbindjeje. Përmbushja e ligjit prej Tij nuk na çliron ne nga detyrimi – detyrimi i ëmbël dhe i kënaqshëm e megjithatë solemn – i shenjtërisë së jetës. Besimi ynë nuk e shfuqizon ligjin, por përkundrazi e përforcon atë. “Drejtësia e ligjit është përmbushur në ne” kur ne “ecim sipas Frymës,” në një përshtatje të përulur me shembullin e Krishtit.
A ishte ai zemërbutë dhe i përulur? A bekoi kur u mallkua? A e ktheu ofendimin me ofendim? A eci në fshehtësi me Perëndinë? A u përpoq gjithmonë të bënte gjërat që i pëlqenin Atit të Tij? A jetoi Ai një jetë besimi, lutjeje dhe mundimi? Prandaj, edhe ne le ta imitojmë Atë, qe edhe për ne të mund të thuhet, “Këta janë ata që e ndjekin Qengjin kudo që shkon Ai.” Çfarë ngushëllimi më të madh mund të derdhet në zemrat e të perëndishmëve sesa ai që vjen prej kësaj të vërtete? “Drejtësia e ligjit është përmbushur në ne.”
Çfarë fjalësh të mrekullueshme dhe të bekuara! Shesh të kap frika se drejtësia e ligjit do të çohet kundër teje; dhe kur konsideron dështimet dhe mangësitë e tua të shumta, me të drejtë dridhesh. Por, mos ki frikë; sepse në Krishtin ligji është përmbushur në mënyrë të përsosur, është përmbushur në vendin tënd, po aq sa t’i ishte bindur vetë ti. A nuk është kjo një bazë e sigurt për ngushëllim? Ti i sheh papërsosmëritë e bindjes tënde dhe alarmohesh; por, a nuk ke sy për të parë përsosmërinë e bindjes së Krishtit të cilën Ai e bëri të llogaritet si jotja? “Tani pra nuk ka më asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus,” sepse Ai e ka përmbushur drejtësië e ligjit për llogari të tyre.
Je i shkurajuar për shkak të ligjit të mëkatit, por Fryma e jetës të ka çliruar nga ligji. Je i shqetësuar për shkak të ligjit të Perëndisë, por ai ligj është përmbushur në ty përmes bindjes së përsosur të Krishtit. Ti dëshiron një drejtësi që do të të paraqesë të panjollë para Perëndisë; e ke në Atë i cili është “Zoti drejtësia jonë.” I krishterë, e gjithë bindja e Krishtit është e jotja. Çfarë mund të thotë tani mëkati, Satani, ndërgjegjja apo vetë ligji kundër teje? Ji i përulur dhe vajto për mangësitë dhe dështimet në bindjen tënde; e megjithatë, ngazëllo dhe lëvdohu, mburru në plotësinë, përsosmërinë dhe pandryshueshmërinë e asaj drejtësie në Perëndinë e mishëruar e cila do të të nxjerrë pa faj përpara fronit.
Mëkatar, nëse drejtësia e ligjit nuk është përmbushur në ty tani, ajo drejtësi do të demonstrohet në dënimin tënd të drejtë për gjithë përjetësinë! Arratisu te Krishti Jezus, “përfundimi i ligjit është Krishti, për shfajësimin e kujtdo që beson.”
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!