20 Korrik – Octavius Winslow

“Por nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë”. Luka 13:5

Kjo ishte doktrina që Zoti ynë predikoi; dhe po ashtu bënë edhe apostujt e Tij kur shpallën, “Perëndia, pra… i urdhëron të gjithë njerëzit dhe kudo që të pendohen.” Asnjë urdhërim, asnjë detyrë nuk mund të jetë më e inkurajuar dhe më e përcaktuar në mënyrë të dallueshme, inteligjente dhe solemne se kjo. Por dikush do të pyesë, “Çfarë është pendimi?” Përgjigja është kjo – është ai hir i fshehtë që e përul shpirtin para Perëndisë – duke përbuzur veten, duke urryer mëkatin, duke e rrëfyer dhe braktisur atë. Është përulja e njeriut për shkak të mëkatshmërisë së natyrës së tij dhe mekateve të jetës së tij, para Zotit Perëndisë së shenjtë dhe që heton zemrën. Besimtari më i pjekur duhet ta shohë shpirtin e thyer dhe të penduar, që rrjedh nga një vështrim i kryqit, si frytin më të çmuar që gjendet brenda tij. Asnjë moment nuk është më i shenjtë, më solem dhe më i ëmbël për të se momentet të cilat i kalon duke i lartë këmbët e Shpëtimtarit të tij me lotët e vet.

Në të vërtetë ekziston një hidhësi në vajtimin që prodhon ndjesia e mëkatit; dhe kjo është hidhësia më e madhe nga të gjitha. Ai e di nga përjetimi i tij që është një “gjë e ligë dhe hidhur që ka harruar Zotin Perëndinë e tij.” Megjithatë, ekziston një ëmbëlsi, një ëmbëlsi e papërshkrueshme, e cila duhet të përjetohet për t’u kuptuar, e përzjerë me hidhërimin e një zemre të thyer prej mëkatit, nga një pamje e kryqit të Perëndisë së mishëruar. Oh çfarë lotësh të çmuar që derdhen poshtë atij kryqi!

“Sepse kështu thotë i Larti dhe i Madhërishmi që banon përjetësinë dhe emri i të cilit është i “Shenjti”: “Unë banoj në vendin e lartë dhe të shenjtë dhe bashkë me atë që është i penduar dhe i përulur nga fryma, për të ngjallur frymën e të përulurve, për të ngjallur frymën e të penduarve.” Por, si ta portretizoj njeriun që ka një frymë të penduar dhe të përulur? Ai është njeriu që vërtet e njeh ligësinë e mëkatit, sepse e ka ndjerë këtë gjë. Ai e kupton, në një farë mase shenjtërinë e karakterit të Perëndisë dhe përshpirtshmërinë e ligjit të Tij, sepse e ka parë këtë gjë. Pikëmapja që ka për veten etij ka përjetuar një ndryshim radikal. Ai nuk e gjykon më veten ashtu si e gjykojnë të tjerët. Ata e lartësojnë, ai e përul veten. Ata e aprovojnë; ai e dënon veten.

Saktësisht për atë gjë të cilën ata e lartësojnë ai e përul veten në fshehtësi. Ndërsa të tjerët e duartrokasin veprimet, ai heton votivet; ndërsa ata lartësojnë virtytet, ai është duke konsideruar parimet; ndërsa ata janë duke thurur kurorën për ballin e tij, ai është në dhomëzën e lutjes me Perëndinë, e ka mbuluar veten me thes dhe me hi.

Oh çfarë fryti i çmuar i një dege të gjallë të hardhisë së vërtetë! Prandaj, a ju duket e habitshme që Perëndia të vijë dhe të banojë me një të tillë, në të cilin gjendet diçka kaq e mirë ndaj Perëndisë? Oh, jo. Atij i pëlqen të na shohë në këtë qëndrim – një shpirt i cili karakterizohet nga të ecurit para Tij me një ndjesi të ndërgjegjshme për varfërinë e vet; syri merr nga kryqi motivet e tij më të forta për një përkulje të thellë të shpirtit te këmbët e Tij.

Lexues i dashur, për të njohur se çfarë është dashuria pajtuese e Perëndisë – për të njohur se me çfarë zotësie, butësie dhe efekti Jezusi na i lidh zemrat e plagosura – shpirti yt duhet të lëndohet dhe zemra jote duhet të thyhet për mëkatin. Edhe një oqean i tërë lotësh do t’ia vlente për të përjetuar butësinë e dashuri të dorës së Krishtit që na i fshin ata lotë. A të ka thënë ndonjëherë Perëndia sikurse i tha edhe Ashabit, “Shiko si u përul para meje?” Kërko dhe dallo nëse ky fryt i mirë gjendet në shpirtin tënd.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*