20 Qershor – Octavius Winslow

“Sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit te Jezu Krishti.” ‭‭Galatasve‬ ‭3:26‬

Është e kënaqshme të gjurmojmë të gjitha shfaqjet e ndryshme të besimit të cilat Fryma i Shenjtë na paraqet për t’i soditur në Fjalën e Tij. Duket sikur Ai i ka hapar ato para nesh në mënyrë që rrethanat e shenjtorëve të Perëndisë të cilat ndryshojnë gjithmonë të mund të përballen me sukses. Në një pjesë të Fjalës së Tij, Ai na ka paraqitur personazhe të palëkundur, të cilët karakterizohen nga konturet e një besimi të fortë dhe gjigant. Për shembull, besimi i fortë i kryeqindësit, kur tha, “Zot, unë jam i padenjë që ti të vish nën çatinë time; por thjesht thuaj një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.” Besim i madh ishte edhe ai që u shfaq nga gruaja kananease, e cila në ofendimin e dukshëm të Zotit të bekuar, nuk pranoi refuzim, por reagoi ndaj kundërshtimit të Tij në dukje me fjalët, “E vërtetë o Zot, sepse edhe këlyshët hanë thërrimet që bien nga tryezat e zotërinjve të tyre. Pastaj Jezusi iu përgjigj dhe i tha, o grua, i madh është besimi yt; t’u bëftë ashtu si dëshiron.” Edhe besimi i Abrahamit ishte besim i madh, i cili e mori birin e tij, birin e tij të vetëm, birin që e donte dhe e ofroi si flijim kur e urdhëroi Perëndia. Për të mos folur për raste të tjera, besim i fortë ishte edhe besimi i palëkundur i Jobit i cili mund të thoshte, “Edhe pse më vret, megjithatë do të besoj tek Ai.”

Por, nga ana tjetër, Fryma i Shenjtë na paraqet para syve tanë edhe disa prej shfaqjeve më të dobëta të besimit, në mënyrë që të mos dëshpërohet asnjë fëmijë i Perëndisë i cili thjesht mbështetet në Krishtin. Besim i dobët ishte ai që u ushtruar prej lebrosit kur tha, “Zot, po të duash, mund të më pastrosh.” Nuk kishte asnjë pikë dyshimi rreth aftësisë së Krishtit – e vetmja gjë që dukej se vinte në dyshim ishte gatishmëria e Tij për ta shëruar. Besim i dobët dhe me një karakter të njëjtë ishte edhe besimi i ushtruar nga babai që solli te Jezusi djalin e tij të pushtuar nga një frymë memece, që ai ta çlironte, me kërkesën e formuluar kështu – “Nëse mund të bësh diçka, ki dhembshuri për ne dhe na ndihmo.” Në këtë rast, gatishmëria e Krishtit u besua plotësisht, por u vu në dyshim aftësia e Tij; e megjithatë, në të dyja rastet, ai që dyshoi në gatishmërinë e Tij dhe tjetri që dyshoi aftësinë e Tij, Krishti manifestoi dhembshurinë e Tij dhe iu përgjigj kërkesave të tyre.

Prandaj, asnjë shpirt kërkues dhe në ankth le të mos rrijë larg Jezusit, për shkak të besimit të dobët. Mund të jetë besim i vogël; mund të jetë në masë të vogël, dhe i dobët në paraqitje; megjithatë, është “besim i çmuar,” – po, “i njëjti besim i çmuar” si ai i Abrahamit, Jobit dhe gjithë profetëve dhe apostujve. Pavarësisht sa i vogël, nëse është besim, është ende “besimi i të zgjedhurve të Perëndisë;” është fryt i veprimit të pushtetshëm të Frymës së Shenjtë, edhe pse është i dobët, nëse i drejton sytë e tij jashtë vetes dhe thjesht te Jezusi, ai shikim i vetëm ka për ta derdhur plotësinë e oqeanit të dashurisë së Tij në shpirt.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*