21 Prill – Octavius Winslow
“Tani do të zhvendosem për të parë këtë shfaqje madhështore: pse ferrishtja nuk po konsumohet!”. Eksodi 3:3
Meditoni mbi një të vërtetë tjetër të çmuar dhe të jashtëzakonshme – kisha nuk konsumohet! Pse? Për shkak se Ai që banon në shkurre banon në kishë. Besimtari është tempulli i Frymës së Shenjtë. I Madhi dhe i Lartësuar që banon përjetësinë, emri i të cilit është i Shenjtë, banon tek ai. Krishti është tek ai shpresa e lavdisë. Është e pamundur që ai të mund të humbasë. Pse nuk është konsumuar shkurrja e varfër dhe delikate? Pse nuk është dobësuar hiri, pse nuk ka dështuar besimi, pse nuk është shuar krejtësisht dashuria? Pse nuk ka pasur sukses “shigjeta e zjarrtë” e Satanit, pse nuk është konsumuar plotësisht nga flaka e ashpër dhe e nxehtë e përndjekjes dhe sprovës? Për shkak se Ai që është në besimtarin është më i madh se ai që është në botë. Ti që beson në Jezusin, mos më trego vetëm për mëkatin që banon në ty, i cili shpesh e sjell shpirtin tënd në skllavëri dhe shqetësim; më trego gjithashtu edhe për hirin që banon në ty, i cili shpesh të jep fitoren dhe të bën të shkosh përpara duke ngazëlluar.
Mos më trego vetëm për furrën me zjarrin përvëlues të nxehur shtatë herë më fort; më trego edhe për Atë forma e të cilit është si një Bir Perëndie, Ai që është me ty në furrë, i cili ta ka nxjerrë dhe do të të kalojë përmes saj, pa t’u përcëlluar asnjë fije floku, dhe me rrobat e tua mbi të cilat nuk do të zërë vend tymi. Mos më trego vetëm për “sprovën e besimit tënd,” “i cili edhe pse sprovohet përmes zjarrit,” por më trego gjithashtu edhe për ndërmjetësimin e pandërprerë të Jezusit brenda velit, dhe për shkak të kësaj besimi nuk ka dështuar kurrë. Mos më trego vetëm për barrën që të ka rënduar, më trego gjithashtu edhe për hirin që të ka mbështetur – jo vetëm për pikëllimin që të ka lënduar, më trego gjithashtu edhe për simpatinë, mirësinë dhe butësinë hyjnore që të ka qetësuar dhe ngushëlluar, që ta ka lidhur dhe ta ka shëruar plagët. Oh sikur të dëgjonim më shpesh klithmën e fitores dhe këngën e lavdërimit që shpërthen me muzikë të ëmbël nga buzët e të shpenguarve! Sa më tepër do të përlëvdohet Jezusi!
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!