8 Qershor – Octavius Winslow

“Dhe i drejti do të jetojë prej besimit.” Hebrenjve‬ ‭10:38‬

Nuk kemi mundësi që ta studiojmë tepër shpesh dhe as tepër thellë kuptimin e thellë të këtyre fjalëve. Perëndia dëshiron që fëmija i tij vazhdimisht të shohë drejt Tij, të mbështetet tek Ai, dhe të marrë prej Tij. Në kohën e tanishme jemi në një gjendje papjekurie. Prandaj, ne nuk jemi në gjendje që të na besohet hir për të ardhmen. Duke qenë të shkujdesur dhe për shkak se nuk parashikojmë shumë shpejt do t’i harxhojmë dhe shterim burimet tona; dhe kur të vijë momenti i urgjencës do të gjendemi të papërgatitur për t’u përballur me të. Në urtësinë dhe dashurinë e Tij Zoti e mban gjithë hirin tonë në duart e Tij, dhe e shpërndan atë sipas kërkesave të rrethanave tona.

Oh, kush është ai që e njeh zemrën e vet dhe zemrën e Krishtit, dhe nuk do të dëshirojë që furnizimi i tij të jetë në Perëndinë dhe jo në veten e tij? Kush vallë do të dëshironte të ishte thesarmbajtësi frymëror i vetes së tij? Kush është ai njeri që e njeh bekimin e një jete besimi, ëmbëlsinë e të shkuarit te Perëndia për gjithçka dhe për çdo gjë, do të donte që ta transferonte ruajtjen e mëshirave të tij nga duart e Krishtit tek të vetat, apo të dëshironte të mbante në të tashmen furnizimet e të ardhmes? Lexues i dashur, ji i kënaqur që të ecësh përmes besimit dhe jo përmes shikimit. Ke një Krisht të pasur prej të cilit të mund të marrësh, dhe një Perëndi besnik drejt të cilit të shohësh. Ti ke një “besëlidhje që parashikon çdo gjë,” dhe premtimin e çmuar, “Sikurse janë ditët e tua do të jetë edhe forca jote,” në të cilat të mbështetesh me siguri gjatë gjithë udhëtimit tënd. Prandaj, ji i kënaqur, duke qenë i varfër dhe i varur. Ji i gatshëm të udhëtosh duarbosh, të kërkosh që të hapet zemra e Perëndisë, dhe të shtrihet dora e Krishtit për të të siguruar bukën tënde të përditshme.

Oh, sa gjë e ëmbël është të jesh një krijesë e varur te Perëndia – të varesh prej një Ati të dashur – të jetosh si një mëkatar i varfër dhe nevojtar, ditë pas dite, moment pas momenti, i varur te Jezusi – ta dallosh Perëndinë në një mijë mënyra të ndryshme – të dallosh urtësinë e Tij këtu, denjimin e Tij atje – tani dashurinë e Tij dhe pastaj besnikërinë e Tij, që të gjitha kombinohen dhe veprojnë për të mirën tonë – kjo me të vërtetë është jeta më e shenjtë dhe më e bekuar mbi tokë. Prandaj, pse t’u rrimë larg sprovave, pse t’u largohemi detyrave, apo ta evitojmë kryqin përderisa për atë sprovë, atë detyrë dhe atë kryq Jezusi ka siguruar hirin e nevojshëm dhe të përshtatshëm? Ndoshta po thoni, “Telashet janë afër!” Le të jenë. Po ashtu është edhe hiri Hyjnor – forca është afër – froni i hirit është afër; prandaj, pse duhet të kesh frikë edhe pse telashet i ke afër? “Perëndia është për ne një strehë dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*