22 Gusht – Octavius Winslow
“Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi; por ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën.” Fjalët e Urta 28:13
Një ndjesi faji mbi ndërgjegje në mënyrë të pashmangshme u lë vend pamjeve të largëta të Perëndisë. Në çastin që Adami u bë i ndërgjegjshëm që kishte mëkatuar, iu fsheh syrit të Perëndisë. Ai u fsheh nga prania e dashur e Atij me të cilin ishte mësuar të ecte në flladin e mbrëmjes nëpër hijet e Parajsës, në një përbashkësi të ëmbël dhe plot besim. Kështu është edhe tani! Faji mbi ndërgjegje, mëkati i parrëfyer na jep pikëpamje të mjegullta, të zymta dhe të shtrembëruara për Perëndinë. E humbasim atë pamje të qartë dhe të dashur të karakterit të Tij të cilën e kishim dikur. Nuk guxojmë të ngremë vështrimin lart me një guxim të shenjtë dhe të përulur. I keq interpretojmë veprimet e Tij; i mendojmë udhët e Tij si të rrepta; dhe nëse provanitë e tij janë të errëta dhe vijnë mundime, në një çast ne themi, “Kam mëkatuar, dhe Perëndia është i zemëruar.” Prandaj kërkojmë të fshihemi prej Perëndisë. Kështu e humbasim Atin në Gjykatës dhe birin në skllav.
Një ligësi tjetër që rezulton nga mëkati i pa rrëfyer është prirja ngurtësuese që ai prodhon mbi ndërgjegje. Për një fëmijë të Perëndisë i cili e ka ndjerë dhe ka vajtuar për pushtetin e mëkatit nuk ka nevojë të vërtetojmë sa ngurtësues është prirja e mëkatit; si e mbulon zemrën me një ngurtësi të cilën nuk mund ta zbusë dot asnjë fuqi njerëzore, gjë e cila shesh kërkon mundime të mëdha për t’u hequr. Prandaj, atje ku një fëmijë i Perëndisë e neglizhon zakonin e përditshëm të rrëfimit të mëkatit me shkallë të vogla dhe të padallueshme, ndërgjegja e humbet butësinë e saj dhe përmes një procesi gradual bëhet aq e ngurtësuar sa më në fund nuk e konsideron fare mëkatin i cili dikur e mbushte shpirtin me tmerr dhe pendim.
Një ligësi tjetër që mund të përmendim është që neglizhimi i kësaj detyre tepër të rëndësishme shkakton një harresë të frikshme të mëkatit pa ndjesinë e ëmbël të faljes së tij. Besimtari nuk e sheh më mëkatin, jo për shkak se e di që është fakur, që është larë sërish, por thjesht nga një harresë mishore e tij. Fëmija i Perëndisë mbi ndërgjegjen e të cilit është spërkatur sërish gjaku i shlyerjes nuk mund ta harrojë shpejt mëkatin. Oh jo! I çliruar nga ndjesia e dënimit të tij, i çliruar prej fajit të tij, dhe duke parë fytyrën e zbuluar të një Perëndie të pajtuar, megjithatë ai kujton sa larg mund të largohej prej këtij Perëndie që e deshi kaq shumë, që e fali në mënyrë kaq të gatshme dhe falas. Vetë falja e mëkatit të tij e vulos këtë gjë në kujtesën e tij. Ai e mendon vetëm për të admiruar dashurinë dhe hirin dhe për të lartësuar gjakun që e hoqi tej; kështu ai udhëhiqet të jetojë gjithë ditët e tij në butësi. “Shpirti im kujtohet gjithnjë për këtë dhe është i rrëzuar brenda meje.”
Por besimtari që neglizhon detyrën e tij dhe privilegjin e rrëfimit e humbet kujtimin e mëkatit të tij derisa të silet nën disiplinën e besëlidhjes. Atëherë një ndreqje e thellë dhe e rëndë ia sjell në kujtesë dhe e bën të mbushet plot turp, poshtërim dhe pendim. Në këtë gjendje, Fryma i Përjetshëm vjen në shpirt me mëshirat e Tij ripërtëritëse, e udhëhqe shpirtin e përulur dhe të poshtëruar sërish tek “burimi i hapur,” dhe Perëndia, Perëndia i çdo ngushëllimi i flet me fjalë ngushëlluese zemrës së tij të thyer.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!