24 Gusht – Octavius Winslow

“Dhe për ta shenjtëroj vetveten, që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetë.” Gjoni 17:19

Krishti përlëvdohet në shenjtërinë progresive të popullit të Tij. “Mbretëria e Perëndisë është brenda jush,” thotë Zoti ynë. Rritja e kësaj mbretërie është thjesht masa dhe shkalla në të cilën besimtari përparon në shenjtërim. Kjo është ajo drejtësi e brendshme, vepër e Perëndisë Frymë e Shenjtë e cila konsiston në nënshtrimin e mendjes, vullnetit, ndjejave, dëshirave, po, në nënshtrimin e gjithë shpirtit ndaj qeverisjes dhe epërsisë së Jezusit; “duke bërë rob,” thotë apostulli, “çdo mendim ndaj dëgjesës së Krishtit.”

Ti që je “duke u përleshur me mëkatin.” Që dëshiron të “përshtatesh me shëmbëllimin e Birit të Perëndisë,” që mezi pret të jesh më “i pastër në zemër,” “që ke urri dhe etje për drejtësi,” mendoje këtë në çdo hap që hedh në shtegun e shenjtërisë; në çdo korruptim që është nënshtruar; në çdo mëkat bezdisës që lë mënjanë; në çdo dëshirë të shenjtë që të lind në zemër; Krishti përlëvdohet në ty! Por ndoshta ti përgjigjesh, “Sa më tepër që përpiqem të zotëroj, aq më tepër duket se po mposhtem. Sa më fort që i kundërshtoj mëkatet e mia, aq më të fortë duket se janë ata.”

Por çfarë vërteton kjo gjë? Vërteton se “Perëndi është duke punuar brenda teje si vullnetin ashtu dhe pëlqimin e Tij të mirë”; që mbretëria e Perëndisë është duke pushtuar mbretërinë e Satanit; që Fryma e cila banon në zemër është duke bërë luftë kundër mishit. John Ouen ka vënë në dukje se: “nëse një besimtar i lë rehat mëkatet e tij, edhe mëkatet e tij do ta lënë rehat.” Por nëse ai nis t’i kërkojë me qiri, nëse i nxjerr ato në dritë, i kundërshton, i vret dhe i kryqëzon; ata do të përleshen deri në fund për të fituar. Kjo betejë e brendshme në mënyrë të pamohueshme karakterizon faktin që Perëndia Frymë i Shenjtë banon në shpirt.

Të shohësh dikë që përparon në shenjtëri; që ka etje për Perëndinë; me zemrën të kapur pas qëllimit solemn të dorëzimit të plotë; që kultivon pikëpamje më të larta; dhe synon një standard më të lartë; ta shohësh atë, ndoshta duke e çarë shtegun për tek froni i Tij përmes një kundërshtimi të fortë, “armiqësi nga jashtë; frikë nga brenda;” duke u përleshur për ta vënë poshtë një mëkat të vazhdueshëm; nganjëherë duke fituar dhe nganjëherë duke u mposhtur; nganjëherë me klithmën e fitores në buzë, dhe nganjëherë me vetëdijen e dhimbshme të mposhtjes që e dekurajon zemrën; e megjithatë vazhdon përpara; gjilpëra e shpirtit me lëvizje të ngadalta dhe të dridhura por të vërteta dhe të sigurta, ende është e drejtuar nga tërheqja e saj e lavdishme – Perëndia; besim që nuk mund të dështojë dot kurrë; shpresë që nuk mund të vdesë kurrë; dhe dashuri që nuk mund të shuhet kurrë; që mbahen fort në mes të betejës me gjithë dobësitë e tyre tek “gozhda e ngulur në një vend të sigurt”; sa përlëvdohet Krishti shenjtërimi ynë në një shenjtor të tillë!

Oh, sikur të jemi si Jezusi! Zemërbutë dhe të përulur, të butë, të mirë dhe falës pa asnjë dyzim, pa mashtrim, pa dashakeqësi, pa hakmarrje, pa gjaknxehtësi, pa asnjë mendim, ndjenjë apo shikim që nuk i ngjan Atij!

Shumë të dashur, mos gaboni rreth natyrës dhe provës së rritjes në shenjtërim. Në gjithë vetëmohimin tuaj në këtë punë madhështore, kini kujdes që të mos mohoni hirin. Këtu do t’ju nevojitet shumë urtësi e shenjtë, se mos e shpërfillni veprën e Frymës brenda jush. Keni menduar se mund të jetë prej lavdisë që Krishti merr nga gjenitë e shkëlqyer dhe talentet e mëdha, nga dhuntitë e shkëlqyera dhe zelli i përflakur, nga flijimet e kushtueshme dhe madje prej dobisë së madhe. Por, a keni menduar ndonjëherë për lavdinë, shumë herë më të madhe dhe të pasur që i shkon Atij nga një frymë e penduar, nga një zemër e thyer, nga një mendje e përulur, nga një ecje me përulësi; nga lotët e pendimit të perëndishëm që bien dhe nuk i sheh asnjë sy njeriu, dhe nga pamja e brengës së perëndishme që shqiptohet por nuk dëgjohet nga asnjë vesh njeriu; nga neveria për mëkatin dhe veten, nga ndjesia e thellë e ndyrësisë, varfërisë dhe dobësisë të cilat të çojnë tek Jezusi me lutjen – “Ja ku jam o Zot, të kam sjellë vullnetin tim rebel, zemrën time endacake, ndjenjat e mia tokësore, dobësinë time të veçantë, mëkatin tim bezdisës dhe vazhdimisht më të fuqishëm. Më prano me hir; sille fuqinë e pushtetshme të hirit Tënd në shpirtin tim, nënshtro gjithçka, sundo mbi gjithçka, vir çdo gjë nën sundimin Tënd.
A nuk ka për të qenë kjo për lavdinë Tënde, për lavdinë e emrit Tënd të madh, nëse këto prishje të forta do të nënshtroheshin prej hirit Tënd, nëse ky mëkat i fuqishëm do të gozhdohej në kryqin Tënd, nëse ky temperament kaq reagues, kjo zemër kaq e papastër, këto ndjenja kaq të plogështa, kjo mendje kaq e errët, këto dëshira kaq tokësore, këto kërkime kaq mishore, dhe këto synime kaq egoiste, të ripërtëriheshin të gjitha krejtësisht prej Frymës Tënd, të shenjtëroheshin prej hirit Tënd, dhe secila prej tyre të reflektonte shëmbëllimin Tënd? Po o Zo, kjo do të të sillte Ty lavdi në kohë dhe përjetësi.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*