24 Qershor – Octavius Winslow
“Sepse ai nuk kujdeset për engjëjt, por ndihmon pasardhjen e Abrahamit.” Hebrenjve 2:16
Cilët janë njerëzit mbi të cilët është fiksuar zemra e Jezusit? Ata nuk janë engjëjt; e megjithatë Ai i do engjëjt, për shkak se ata janë të zgjedhur dhe të shenjtë; Ai i do ata si krijesa të pushtetit të Tij, dhe si shërbëtorë të vullnetit të Tij. Por Perëndia nuk i do engjëjt ashtu si i do njerëzit. Zoti Jezus nuk ka të njëjtën dashuri ndaj atyre frymëve të pastra dhe të pa rëna në mëkat sikurse ka për një mëkatar të mjerë që fshihet në ijën e Tij të plagosur, që pastrohet në gjakun e Tij, dhe që mbështillet në mantelin e Tij të drejtësisë. Ai nuk mori kurrë pjesë në natyrën e engjëjve, dhe as nuk qau për engjëjt, as nuk e derdhi gjakun për engjëjt – por të gjithën këtë e bëri për njeriun!
Prandaj, kisha e Tij është ajo që paraqitet si objekti i dashurisë së Tij – populli i Tij, dhurata e Atit të Tij, krijesat e Tij të zgjedhura, subjektet e hirit të Tij, thesari i zermës së Tij. Mos po pyesni si i ka dashur ata? Në vend të kësaj mund të pyesim, si nuk i ka dashur? Shikoni faktin që Ai mori natyrën e tyre! Çfarë përuljeje e madhe që ishte kjo! Nga i Pafundmë në të fundmë. Nëse për mua do ishte e mundur të shpëtoja jetën e një insekti duke marrë trajtën e insektit, duke e bërë këtë gjë do të demonstroja bamirësinë time të madhe.
Por shihni dashurinë e Perëndisë tonë të mishëruar! Zemra e tij ishte e prirur, shpirti i TIj ishte i dhënë pas shpëtimit të njeriut. Por Ai mund t’i shpëtonte njerëzit vetëm duke u bërë njeri. Ai nuk mund ta lartësonte dot natyrën tonë, veçse duke u përulur dhe duke e marrë atë natyrë mbi vete. Ai jo vetëm që duhet ta shohë, t’i vijë keq dhe të vajtojë për të, por Ai duhet ta marrë në një bashkim të ngushtë dhe të pandashëm me Veten e Tij. Nuk ishte as thjesht shkëmbimi apo ndërthurja e natyrave për të formuar një natyrë të re. Nuk ishte tretja e të Pafundmes në të fundmen, sepse Ai nuk pushoi së qeni Perëndi kur u bë njeri; Ai vetëm sa e mbuloi me vel, dhe nuk e shuajti lavdinë e Hyjnisë së Tij.
Këtu konsiston madhështia e kësaj përuljeje. Nuk dalloj përulje në jetën e Shpëtimtarit, veçse përuljen që rrjedh prej këtij fakti të vetëm – përulja e Tij kur mori në bashkësi me natyrën e Tij Hyjnore, natyrën tonë njerëzore. Ky ishte hapi i parë dhe më i madhi në shtegun që e çoi në kryq. Të gjitha veprimet e përuljes dhe poshtërimit që pasuan ishin të lidhura me këtë. Oh, çfarë përuljeje! Shikoje natyrën tënde! Medito për disa prej formave të saj më ashpra të degradimit, shkretimit dhe mjerimit. A nuk je i detyruar që shpesh të skuqesh nga fakti që kjo është natyra jote? A nuk reagon me raste me përbuzje me neveri ndaj saj, dhe të vjen turp të rrëfesh që je njeri?
Mbi të gjitha, çfarë vetëpërbuzje, çfarë vetëneveri ndjen kur Fryma i Shenjtë t’i hap dhomat e paudhësisë në zemrën tënde dhe të bën të njohura neveritë që gjenden aty! E megjithatë, Biri i Perëndisë u përul në natyrën tonë. “Ti ke përgatitur një trup për mua.” Por Ai mori në bashkim me Hyjninë e Tij natyrën njerëzore që nuk kishte rënë dhe ishte e pamëkatshme. Prandaj, ku është përulja e Tij? Duke zbritur në një natyrë inferiore, edhe pse në këtë përulje nuk u njollos aspak prej nesh. Ai u bë flijim për mëkatin, e megjithatë Ai ishte “pa mëkat.” Lexues i dashur, nëse kjo e vërtetë nuk është e lavdishme në sytë e tu, nuk është e ëmbël për shpirtin tënd, çfarë është krishterimi yt? Ky është themeli i krishterimit, është thelbi i Ungjillit, është shpresa e shpirtit, është e vërteta që heq çdo rrudhosje nga jastëku i vdekjes.
A nuk është kjo e vërteta për të cilën kemi nevojë ne si popull i sprovuar dhe që vuan? Kur e nxjerrim mjaltin më të ëmbël nga gjëja më e hidhur nga të gjitha? A nuk është në momentin kur natyra jonë njerëzore plagoset, kundërshtohet dhe hidhet poshtë? Kur e vlerësojmë më tepër dashurinë dhe përuljen e Perëndisë tonë të mishëruar? A nuk është kur përmes vuajtjes shtyhemi drejt kësaj përulësie, për të mësuar butësinë dhe simpatinë që është në Krishtin? Oh, mundim i bekuar, pikëllim i ëmbël, disiplinim miqësor, që e sjell shpirtin tim në një përjetim më të thellë të asaj që Perëndia është në natyrën time!
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!