25 Dhjetor – Octavius Winslow
25 Dhjetor
“Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit?” Romakëve 8:35
Për dashurinë e kujt po flet apostulli? Për dashurinë e besimtarit për Krishtin? Jo, përkundrazi, kjo është dashuria e Krishtit për besimtarin. Ky këndvështrim i kësaj teme shkakton gjithë ndryshimin në ndikimin që ka mbi mendjen tonë. Çfarë kënaqësie dhe ngushëllimi i vërtetë, pavarësisht sa e vogël masa e tij, mund të nxjerrë besimtari nga meditimi mbi dashurinë e tij për Krishtin? Është e vërtetë që kur bëhet i ndjeshëm për rrezatimin e saj dhe i vetëdijshëm për fuqinë e saj, ai nuk ka se si të mos ngazëllojë për çdo provë të punës së Frymës së Shenjtë në shpirtin e tij, pavarësisht sa e vogël mund të jetë ajo. E megjithatë kjo nuk është baza e ligjshme e sigurisë së tij, as burimi i duhur i ngushëllimit të tij.
Është dashuria e Krishtit për të! Kjo është saktësisht e vërtetë mbi të cilën mendja e krishterë ka nevojë të prehet. Kujt ia dërgoi Pali këtë letër në fillim? Shenjtorëve të epokës së hershme dhe të përvuajtur të kishës. Kjo e vërtetë – dashuria e Krishtit për popullin e Tij – është e vërteta që me siguri do t’i ngushëllojë, forcoje dhe gjallërojë ata besimtarë. Të deklarosh që asnjë gjë nuk do të mund t’ia dalë t’i shtyjë ata që ta braktisin Krishtin do të kishte qenë një ngushëllim i dobët për individë që kishin dëshmuar shumë apostazi të frikshme nga Krishti tek të tjerët, dhe të cilët shpesh kishin dalluar të njëjtin parim që vepronte brenda tyre. Ata kujtuan deklaratën e fortë të Pjetrit, “Edhe sikur të gjithë të skandalizohen për shkakun tënd, unë nuk do të skandalizohem kurrë,” dhe se si Zotëria i tyre u mohua nga njëri, u tradhtua nga tjetri dhe u braktis nga të gjithë, zemra e tyre do t’i lëshonte.
Por le ta lejojmë apostullin ta tërheqë mendjen e tyra nga meditimi mbi dashurinë e tyre për Krishtin, te një meditim i dashurisë së Krishtit për ta, duke i siguruar ata mbi bazën më të fortë që çfarëdo vuajtjeje që ata mund të durojnë, pavarësisht çfarë tundimesh mund t’i sulmojnë, asnjë gjë nuk do t’ia dalë t’i shkëpusë ata nga prehja e tyre më e përsosur. Prandaj, dashuria për të cilën flet apostulli është dashuria e Perëndisë e cila është në Krishtin Jezus.
Dashuria e Krishtit! Kjo është tema jonë e çmuar. A mund të lodhemi ndonjëherë nga kjo e vërtetë? A mund ta njohim dot plotësisht madhështinë e saj? Kurrë! Thellësitë e saj nuk mund të njihen dot, dimensionet e saj nuk mund të maten dot. Kjo dashuria ia “tejkalon çdo njohurie.” Gjithë sa Jezusi bëri për kishën e tij ishte thjesht shpalosje dhe shprehje e dashurisë së Tij. Duke udhëtuar për në Betlehem shoh dashurinë e mishëruar. Ndërsa ndjek hapat e Tij teksa shkon kudo duke bërë mirë shoh dashurinë që mundohet. Kur viziton shtëpinë në Betani shoh dashurinë që tregon dhembshuri. Kur qëndron pranë varrit të Lazarit shoh dashurinë që derdh lot. Kur hyn në rrethinat e zymta të Gjetsemanes shoh dashurinë që pikëllohet. Kur shkon në Kalvar shoh dashurinë që vuan, që përgjaket dhe vdes. E gjithë skena e jetës së Tij është thjesht një shpalosje e misterit të çmuar, të mahnitshëm dhe të thellë të dashurisë shpenguese.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!