25 Gusht – Octavius Winslow

“Dhe cila është madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së Tij ndaj nesh, që besojmë, sipas veprueshmërisë së pushtetit të forcës së tij.” Efesianëve 1:19

Fuqia hyjnore nuk është më pak se dashuria një përsosmëri e cila do të na nevojitet në çdo hap të shtegut tonë të palodhur dhe të panjohur. Do kemi nevoja të cilat nuk do të na i plotësojë dot asgjë tjetër përveç fuqisë që shumoi pesë bukët për të ushqyer pesë mijë vetë; vështirësi të cilat nuk mund t’i mposhtë dot asgjë përveç fuqisë që pyet: “A ka ndonjë gjë tepër të vështirë për mua? Thotë Zoti”; armiq të cilët nuk mund t’u bëjë dot ballë asnjë fuqi përveç asaj që i rezistoi Satanit dhe që doli prej varrit. E gjithë kjo fuqi është në anën tonë, nëse besimi ynë është në Zotin. “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell dhe mbi tokë,” shpalli Jezusi. Kjo fuqi të cilën Zoti e ushtron për llogarinë tonë dhe në të cilën na fton të besojmë përsoset në dobësi.

Kështu, ne mesojmë të njëjtin mësim i cili na mëson mungesën totale të fuqisë në veten tonë. Kur Zoti e ka reduktuar sigurinë tonë, e ka dobësuar fuqinë tonë, si në rastin e Gideonit, ushtrinë e të cilit e pakësoi nga tridhjetë mijë burra në treqind, pastaj tregon fuqinë e Tij, e përsos në dobësinë tonë, na jep fitoren dhe siguron gjithë lavdërimin për Veten e Tij. Ec përpara, duke u mbështetur në fuqinë e Jezusit për të bërë gjithçka në ne, dhe për të arritur gjithçka për ne: fuqi për të nënshtruar mëkatet tona; fuqi për të ruajtur zemrat tona; fuqi për t’i stabilizuar hapat tanë; fuqi për të na udhëhequr me butësi përgjatë vendeve të vështira, për të na ruajtur në vendet e lehta, për të na udhëzuar me zotësi përmes shtigjeve dredhuese, për të na kaluar të sigurt përmes rreziqeve, për të na shpëtuar plotësisht nga të gjitha sulmet, dhe për të na ruajtur plotësisht kryet tona në ditën e betejsë. I pamposhtur është ai shpirt që mbështillet në këtë mënyrë me takëmet e luftës së fuqisë së Krishtit.

Fuqia që i përket Atij si Perëndi, dhe fuqia të cilën Ai e zotëron si Ndërmjetës, ushtrohet e gjitha për llogari të atyre që e vendosin besimin e tyre tek Ai. “Sepse Ti i ke dhënë pushtet” thotë Vetë Ai, “mbi çdo mish, që t’u japë jetë të përjetshme të gjithë atyre që ti ia ke dhënë.” Fëmijë i Perëndisë ngjeshur për detyrat e tua, mundimet dhe telashet e tua, “duke u forcuar në hirin që është në Krishtin Jezus.” Dhe kur të përballesh me shkëmbin e vështirësisë; i cili ndoshta qëndron mbi një mëshirë të groposur; dëgjoje Atë që të pyet, para se ta rrokullisë tej shkëmbim me qetësi, “A beson se unë jam në gjendje ta bëj këtë?” Oh sikur zemra jote besuese të përgjigjej menjëherë, “Po, Zot, unë besoj, besoj; sepse me Ty të gjitha gjërat janë të mundshme.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*