27 Prill – Octavius Winslow

“Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë.” Hebrenjve 13:8

Nuk do të përparosh në jetën hyjnore nëse syri yt fokusohet gjithmonë tek vetja jote dhe jo tek Krishti. Po sikur përjetimi i sotëm të jetë i kundërti i atij të djeshëm – dje gjithçka ishte shkëlqim, sot ka vetëm re; dje shpirti yt ishte si një harpë e akorduar mirë, sot duket sikur çdo tel është liruar dhe nuk po nxjerr melodi; dje, Jezusi dukej aq pranë dhe aq i çmuar, sot duket sikur nuk zgjon asnjë emocion të dashur në zemrën tënde; dje, bashkësia me Perëndinë ishte aq e ëmbël, sot, nuk ke fare bashkësi me të; dje, dëshiroje të ecje drejt, me shenjtëri dhe përulësi, sot, dallon shumë gjëra që janë të lëkundura, të dobëta dhe të pështira.

Megjithatë, Jezusi nuk ka ndryshuar. Vepra e Krishtit është e njëjta – pranimi yt në Të është i njëjti – ndërmjetësimi i Tij për ty në qiell është i njëjti; prandaj, ku do të shkosh për të pasur përjetime frymërore për ndihmë, forcë dhe ngushëllim – të cilat ngrihen kur ngrihen dhe bien kur bien – kur gjithë gëzimi, paqja dhe shpresa jote janë plotësisht jashtë vetes tënde dhe vetën në Krishtin? Po sikur të ndryshosh një mijë herë në ditë? Ai nuk ndryshon kurrë. Perëndia mund t’i ndryshojë qeverisjet e Tij – Ai mund ta ndryshojë mënyrën sesi të trajton – Ai mund ta ndryshojë natyrën e disiplinës së Tij – mund ta ndryshojë mësimin, por dashamirësia e Tij dhe e vërteta e Tij janë aq të pandryshueshme sa dhe vetë qenia e Tij. Ai mund t’i thajë cisternat tokësore, por nuk ka për ta mbyllur kurrë burimin e Tij qiellor – ai burim do të vazhdojë të rrjedhë me hir përgjatë gjithë kohës dhe me lavdi përgjatë gjithë përjetësisë.


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*