28 Tetor – Octavius Winslow
28 Tetor
“Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua.” Gjoni 21:17
Lexues i dashur, kjo është deklarata solemne e Tij për Veten – “Unë Zoti hetoj zemrën.” A mund t’ia hapësh plotësisht zemrën Atij? A mund ta pranosh Atë në skutat e saj më të fshehta? A je i gatshëm që të mos i fshehësh asgjë? A je i gatshëm që Ai të të hetojë dhe provojë zemrën? Oh, tregohu i ndershëm me Perëndinë! Mos mbaj asnjë gjë – thuaji Atij gjithçka që dallon brenda teje. Atij i pëlqen sinqeriteti i plotë dhe i ndershëm: Ai kënaqet në këtë dorëzim mirëbesues të të gjithë zemrës. A je i ndershëm në dëshirat e tua që Ai të mund të ta shenjtërojë zemrën dhe t’i shkelë paudhësitë e tua? Atëherë rrëfeji Atij gjithçka – tregoji gjithçka. Nuk do t’i fshihje doktorit tënd as edhe një simptomë të vetme të sëmundjes tënde – nuk do t’i fshije as edhe një pjesë të plagës; por nëse je në ankth për një kurë të plotë do t’i tregosh gjithçka.
Tregohu aq i sinqertë me Doktorin e Madh – me Doktorin e shpirtit tënd. Është e vërtetë, Ai e njeh rastin tënd; është e vërtetë që Ai e parashikon çdo nevojë; megjithatë Ai kënaqet që fëmija i Tij t’i afrohet Atij me një sinqeritet të plotë dhe të ndershëm. Lëre shembullin e Davidit që të të inkurajojë: “Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: “Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit”, dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim.” Ndërsa zemra derdhet kështu në rrëfim të plotë dhe të hollësishëm, le të jetë syri i besimit mbi Krishtin. Vetëm në këtë qëndrim shpirti do të ruhet nga dëshpërimi. Besimi duhet të mbështetet mbi gjakun e shlyerjes.
Lexues i dashur, në këtë pozitë plotësisht dhe lirisht i dashur mund ta derdhësh zemrën tënde para Perëndisë! Ato rrëfime që nuk guxon t’ua bësh miqve të tu më të dashur, ia bën Atij; mëkatet që nuk ua rrëfen, prishjen që nuk e pranon që ekziston brenda teje, tani je i privilegjuar që ndërsa “sheh drejt Jezusit,” t’i derdhësh në veshin e Atit dhe Perëndisë tënd. Oh sa do të lehtësohet zemra, sa do të pastrohet ndërgjegjja, sa paqe dhe gëzim do të rrjedhin në shpirtin tënd përmes kësaj hapjeje të zemrës para Perëndisë!
Lexues i dashur, provoje, mos lejo që vetëdija për fajin të të frenojë; mos lejo që sugjerimet mosbesuese të Satanit që rrëfime të tilla janë të papërshtatshme për veshin e Perëndisë, të të frenojnë. Eja menjëherë, eja tani te këmbët e Atit, duke sjellë në duar gjakun e çmuar të Krishtit bëj një rrëfim të plotë dhe të lirë. Prandaj, një besimtar i përulur mund të marrë shumë ngushëllim nga atributi i gjithëdijes së Krishtit në çdo kohë që ka mundësi t’i drejtohet atij dhe të thotë me Pjetrin, “Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua.”
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!