29 Dhjetor – Octavius Winslow

29 Dhjetor

“Po, ti je drita ime, o Zot; Zoti ndriçon terrin tim.” 2 Samueli 22:29

Zot i bekuar! Ti je drita ime. I pranuar në drejtësinë tënde, jam “i veshur me diellin.” Errësirë në vetvete, në Ty jam dritë. Sa shpesh e ke kthyer natën time të zymtë në ditë me diell. Po, Zot, dhe me një dashuri jo më pak të butë, ndonjëherë e ke kthyer “mëngjesin tim të gëzimit” në një “natë të qarash.” E megjithatë, Ti i ke bërë vajtimet e mia të këndojnë. Shumë re të errëta të shtegëtimit tim Ti i ke veshur me rrezet e Tua të arta. “Në dritën Tënde kam parë dritën” mes shumë veprimeve të zymta dhe të mistershme të Perëndisë tim të besëlidhjes. “Me dritën tënde kam ecur përmes errësirës,” në shumë faza të vetmuara dhe të gjata të udhëtimit tim.

Oh, Ti ke shkuar para meje çdo hap të udhës në të cilën më ke thirrut të udhëtoj. Edhe Ti vetë kalove përgjatë natës tënde të vetmisë, vuajtjes dhe mjerimit. Por Ti u privove nga lehtësimet të cilat me aq butësi dhe bujari i ke siguruar për mua. Asnjë rreze nuk e ndriçoi dhe asnjë shënim nuk e gëzoi mesnatën e shpirtit tënd. Drita e Atësisë së manifestuar ishte e fshehur nga shikimi yt dhe mes agonisë së hidhur Ti klithe, “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” Të gjithë këtë e durove që unë të mund të kem një këngë në mes të natës së vajtimit. Kështu errësira jote u bë drita ime; vuajtja jote u bë gëzimi im; poshtërimi yt u bë lavdia ime; vdekja jote u bë jeta ime; mallkimi yt u bë kurora ime.

O Zot, natë e bekuar vajtimi është ajo në të cilë mund të këndoj për hirin Tënd forcues, për praninë Tënde gjallëruese, për besnikërinë Tënde të palëkundur, për dashurinë Tënde të butë. Sa mirë më ke udhëzuar në shkollën Tënde! Me sa durim dhe zotësi që më ke mësuar! Nuk do t’ia kisha dalë dot pa mësimin dhe disiplinën Tënde. Nuk mund të më shpëtonte as edhe një natë vuajtjeje, as edhe një goditje disiplinimi, as edhe me një përbërës në kupën time. Gjithçka ishte e nevojshme. Dhe tani mund të shoh ndërsa besimi me një veprim refleksi vëzhgon gjithë të shkuarën se me çfarë urtësie, aftësie, integriteti dhe butësie të pafundme i ke caktuar të gjitha gjërat dhe ke sunduar mbi të gjitha ndodhitë dhe peripecitë e historisë time.

Tani e mbuloj fytyrën time me turp dhe neveri për veten, e vë gojën në pluhur para Teje, sepse Ti ke sjellë dritë në mes të errësirës time, ke sjellë të mirë nga ligësia ime, ke sunduar mbi të gjitha gabimet dhe largimet e mia për bekimin tim më të madhe dhe për lavdinë Tënde më të madhe, dhe tani je “i pajtuar me mua për gjithë sa kam bërë.” Unë jam penguar, dhe Ti më ke mbajtur. Jam rrëzuar dhe Ti më ke ngritur lart. Jam endur, dhe Ti më ke kthyer sërish. E kam plagosur veten time, dhe Ti më ke shëruar. Oh çfarë Perëndie që ke qenë për mua! Çfarë Ati! Çfarë Miku! A do të dyshoj më tek Ti, të mos besoj më në Ty, të të lëndoj më Ty, të largohem më prej Teje? Ah, Zot, do ta kisha bërë edhe një mijë herë edhe në këtë çast nëse nuk do të kishte qenë hiri Yt kufizues. “Më ngri lart dhe do të jem i sigurt.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*