29 Shtator – Octavius Winslow

29 Shtator

“Unë, në fakt, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju.” Gjoni 13:15

Çdo shpirt që është rikrijuar në këtë model, çdo mendje që është përshtatur me këtë model, çdo jetë që reflekton këtë imazh është diçka që lartëson dhe përlëvdon Birin e Perëndisë. Nuk ka asnjë të vërtetë të vetme praktike në fjalën e Perëndisë të cilën Fryma ta theksojë më tepër se shembullin që Krishti ka lënë për t’u imituar nga ndjekësit e Tij. Kisha kishte nevojë për një model të përsosur, për një model të pagabueshëm. Kishte nevojë për një personifikim, për një mishërim të gjallë të atyre porosive të ungjillit të cilat i janë dhënë prerë çdo besimtari dhe të cilat Perëndia në mënyrë të hirshme i ka vendosur para nesh si modelin tonë të vërtetë. “Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij.” Çfarë thotë Krishti vetë? “Delet e mia më ndjekin.”

E pranojmë që ka pika në të cilat nuk mundemi dhe nuk na kërkohet që ta ndjekim Krishtin në mënyrë të fjalëpërfjalshme. Nuk mund të zotërojmë dot pagabueshmërinë e Tij. Ai i cili e paraqet veten si të pagabueshëm në gjykimin e tij, si të panjollë në emrën e tij dhe si të përsosur në arritjet e tij në shenjtëri mashtron shpirtin e tij. Jezusi gjithashtu bëri shumë gjera si Garantuesi ynë të cilat ne nuk mund t’i bëjmë dot. Nuk mund të pimë dot nga kupa e zemërimit Hyjnor prej të cilës piu ai; dhe as nuk mund të pagëzohemi me pagëzimin e gjakut me të cilin u pagëzua Ai. Ai bëri shumë gjëra si Jude, u rrethpre dhe kremtoi pashkën – gjëra të cilat nuk janë të detyrueshme për ne. Megjithatë, në gjithçka e cila është thelbësore për shenjtërimin tonë, për ecjen tonë të shenjtë, me bindje dhe që e përlëvdon Perëndinë, Ai na “ka lënë një shembull, që ne të ecim në hapat e Tij.”

Në frymën e tij të përulur dhe zemërbutë, në sjelljen e tij të përulur dhe në durimin e tij të vuajtjes: “Mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra.” Në dashurinë e Tij të pakushtëzuar, në dashamirësinë e Tij të pastër, në bujarinë e fesë së Tij: “Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve. Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin.” “Sepse edhe Krishti nuk i pëlqeu vetes.” Çdo njeri le të mos shohë vetëm rrethin e vet, vetëm familjen e vet, vetëm dhuntitë e veta, vetëm interesat, ngushëllimin dhe lumturinë e vet; të shohë vetëm kishën e tij, komunitetin e tij dhe predikuesin e tij.

Le të mos shohë vetëm këto gjëra në mënyrë ekskluzive. Le të mos preferojë vetëm përparimin e tij në të mirën publike. Le të mos ketë vetëm vullnetin e tij në gjërat që kanë të bëjnë me paqen dhe rehatinë e të tjerëve. Le të mos formojë teori të preferuara apo opinione individuale për dëmin e begatisë së kishës apo për lumturinë e familjes. Le të heqë dorë, le të sakrifikojë dhe të hapë vend në vend që të shkojë deri në pikën që të dëmtojë të tjerët. Le të imitojë Jezusin me një frymë jo egoiste, bujare dhe dashamirëse në të gjitha gjërat, i cili “nuk i pëlqeu vetes.” Le të kërkojë të mirën e të tjerëve, duke nderuar dhuntitë e tyre, duke respektuar opinionet e tyre dhe në mënyrë fisnike të përulet kur ata e korrigjojnë dhe vendosin. Le të nxitë paqen e kishës, le të kërkojë nderin e Krishtit, le të kërkojë lavdinë e Perëndisë mbi dhe përjtej çdo interesi egoist të tij.

Kjo do të thotë të përshtatet me imazhin e Birit të dashur të Perëndisë, në thirrjen e lartë në të cilën jemi caktuar duke u bërë të ngjashëm me çdo tipar që Fryma e Shenjtë nxjerr në pah në jetën e shenjtë të një ndjekësi të Qengjit, kështu Krishti përlëvdohet para njerëzve dhe engjëjve.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*