3 Dhjetor – Octavius Winslow

3 Dhjetor

“Ajo gjë, pra, që është e mirë u bë vdekje për mua? Ashtu mos qoftë; por mëkati, që të duket mëkat, me anë të së mirës më pruri vdekjen, që mëkati të bëhet edhe më tepër mëkat nëpërmjet urdhërimit.” Romakëve 7:13

Asnjë fëmijë i Perëndisë i cili është duke përparuar në jetën hyjnore nuk ka se si të mos vajtojë për pikëpamjet e tij të mangëta rreth mëkatit. Sa më i shenjtë të bëhet, aq më i ndjeshëm është ai për këtë gjë; po, a nuk mund të shtojmë që sa më e thellë të jetë pamja e tij për ndyrësinë e tij personale aq më e fotë është prova për rritjen e tij në shenjtëri. Një urrejtje në rritje ndaj mëkatit, ndaj mëkateve të vogla, ndaj mëkateve të mëdha, ndaj çdo mëkati – mëkatit të dalluar në parimin që banon brenda tij, si dhe ndaj mëkatit që dallohet në praktikën e jashtme – kjo është një nga simptomat më të sigurta të përparimit të brendëshëm të shpirtit në ecjen e tij frymërore. Vetë besimtari mund të mos jetë i vetëdijshëm për këtë, por të tjerët e shohin; për të mund të jetë si një tërheqje, por për dikë që e vëzhgon kjo është provë e përparimit të tij.

Fëmija i Perëndisë nuk është gjykatësi më i mirë për rritjen e tij frymërore. Ai mund të jetë duke përparuar me shpejtësi kur nuk është i vetëdijshëm për këtë; pema mund të jetë duke zgjatur rrënjët e saj, ato mund të jenë duke u përhapur dhe duke u kapur më fort në tokën në të cilën janë fshehur, e megjithatë dukja e rritjes nuk është shumë e qartë. Ekziston një rritje e brendshme, e fshehur e megjithatë e efektshme e hirit në shpirt; besimtari mund të mos jetë i vetëdijshëm për këtë gjë, dhe të tjerëve madje mund t’u shpëtojë, por Perëndia e sheh; kjo është puna e Tij, dhe Ai nuk e konsideron si të pavlerë. Perëndia në veprimet e Tij të hirshme me besimtarin, shpesh punon përmes gjërave të kundërta. Ai i hap sytë e fëmijës së Tij për të parë shthurjen e thellë të zemrës, i zbulon atij dhomëzën e përfytyrimit, i zbulon mëkatin të cilin as që e kishte menduar, nuk i kishte vajtur fare në mendje, nuk ishte penduar dhe nuk e kishte rrëfyer, mëkat i cili qëndron thellë brenda tij. Pse e bën Ai këtë gjë? Vetëm e vetëm që ta bëjë fëmijën e Tij më të shenjtë; ta bindë atë që të shkojë te froni i mëshirës dhe atje të thërrasë, të përgjërohet, të përleshet për nënshtrimin, vrasjen dhe kryqëzimin e këtij mëkati.

Përmes këtij procesi qarkues besimtari vazhdon të shkojë përpara drejt shkallëve gjithnjë e më të larta të shenjtërisë. Në këtë mënyrë besimtari kërkon me zell përulësinë, përmes një zbulimi të thellë që Zoti i jep për krenarinë e zemrës së tij – kërkon zemërbutësinë, përmes zbulimit të irritimit, kërkon dorëzimin në vullnetin e Perëndisë përmes një ndjesie padurimit dhe shqetësimit – e kështu me radhë, përmes gjithë hireve të Frymës së bekuar. Kështu ndodh një rritje e madhe në hir kur thellohet pamja e një besimtari për mëkatshmërinë e jashtëzakonshme të mëkatit dhe murtajës së tij të brendshme.

Si duhet të thellohen këto pikëpamje rreth mëkatit? Përmes kontrastit, pamjet e afërta të gjakut të Krishtit – përmes kuptimit të shlyerjes. Kjo është e vetmja lente përmes së cilës mëkati shihet në tërësinë e tij.

Prandaj, lexuesi i krishterë le të merret shumë dhe shpesh me gjakun e Krishtit. Oh, si ka mundësi që duhet të na nxitin ta bëjmë këtë gjë? Që sapo jemi larë një herë në “burimin e hapur,” të shikojmë sërish drejt ndonjë mënyre tjetër shërimi dhe shenjtërimi! Le të mos e harrojmë kurrë, që një fëmijë i Perëndisë është thirrur po aq shumë të jetojë në Krishtin për shenjtërim aq sa edhe për falje. “Shenjtëroji në të vërtetën tënde.” Dhe kush është e vërteta? Vetë Jezusi përgjigjet, “Unë jam e vërteta.” Prandaj duhet të jetojmë në Jezusin për shenjtërim: i lum dhe i shenjtë është ai që jeton kështu në Jezusin.

Pse ekziston plotësia e hirit që është ruajtur në Krishtin? Për shenjtërimin e popullit të Tij – për të vënë poshtë të gjitha mëkatet e tyre. Prandaj mos harroni që Ai është Rafinuesi ashtu sikurse është edhe Shpëtimtari – është Shenjtëruesi ashtu sikurse është edhe Shpenguesi. Çoja Atij prishjet që banojnë brenda teje; çoji menjëherë te Jezusi mëkatet që të qarkojë kaq lehtë, dobësitë, mangësitë e çfarëdo lloj natyre që të jenë; hiri i Tij mund të të bëjë gjithçka që Ai dëshiron të jesh. Mbaj mend gjithashtu se ky është një nga privilegjet më të mëdha të jetës së besimit; të jetosh nga Krishti për nënshtrimin e përditshëm që çdo mëkati. Ky është besimi që e pastron zemrën, një besim që pastron duke e udhëhequr besimtarin të mos jetojë nga vetja por duke u mbështetur në Krishtin

Kësaj jete të bekuar dhe të shenjtë iu referua Zoti Jezus kur po fliste për domosdoshmërinë e saj në mënyrë që besimtari të jetë i frytshëm nga ana frymërore: “Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*