30 Tetor – Octavius Winslow

30 Tetor

“Llampat tona po na fiken,” Mateu 25:8

Ekzistojnë dy periudha serioziteti të tmerrshëm të cilat do ta shuajnë plotësisht llampën e një rrëfimi formal të besimit. Lexues i dashur, eja me mua pranë shtratit të dikujt që ka bërë një rrëfim të rremë besimi. Ky është një vend i tmerrshëm! Është një pamje që të trazon! Mbi jastëkun e tij nuk ndriçon asnjë rreze e shpresës së lavdisë. Nuk ka një spirancë brenda velit pas të cilës të kapet tani shpirti ndërsa largohet nga trupi. Nuk dëgjohet një zë hyjnor i cili të pëshpërisë me një tingull të butë dhe të përzemërt, “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty.” Nuk ka asnjë dritë mbi luginën e errët ndërsa porta e saj hapet dhe shpirti hyn brenda.

Balli i tij është mbuluar me djersë të ftohta, toka mbetet pas, përjetësia afrohet, mjegulla shtohet dhe dendësohet përreth shpirtit që po largohet dhe tingulli i fundit i dëshpërimit del nga buza që dridhet, “Llampa ime po më shuhet.” Kështu ka për të qenë kur të vijë Biri i njeriut. Kjo ndodhi e madhe do ta caktojë në mënyrë të pandryshueshme fatin e çdo individi në racën njerëzore. Do të vijë si gjëmimi i artilerisë së qiellit mbi Kishën që fle dhe mbi botën e shkujdesur. Shenjtorët e vërtetë do t’i gjejë “me llampat dhe me enët e tyre me vaj,” edhe pse nuk do të jenë zgjuar. Do të vijë mbi besimtarin nominal i cili shtrëngon fort llampën e rrëfimit të tij, por që nuk ka asnjë pikë nga vaji i hirit, në një gjendje kur nuk e pret dhe kur nuk është i përgatitur për ardhjen e Zotit. Kjo do ta zërë në befasi dhe do ta surprizojë botën e pa perëndishme sikurse bëri edhe përmbytja me njerëzit në ditët e Noeut dhe zjarri ditën kur Loti doli nga Sodoma. “Kështu do të ndodhë edhe ditën që do të zbulohet Biri i njeriut.”

Shenjtorët e vërtetë do të zgjohen nga gjumi i tyre – nga fryma e përtacisë dhe letargjisë në të cilën kishin rënë – do të rregullojnë llampat e tyre duke ushtruar sërish besim në Jezusin, do të dalin si “bijtë e dritës,” dhe do ta mirëpresin Zotin e tyre që po afron. Edhe besimtarët nominalë të zgjuar nga thirrja që e thyen qetësinë e thellë të mesantës – po aq solemne sa dhe boria e krye engjëllit – me shumë zell do të kërkojnë llampat e tyre – provën e e tyre për pranimin bazuar te një rrëfim i jashtëm i ungjillit – kur ja, për habinë dhe përhumbjen e tyre nuk do të kenë as edhe një pikë vaji me të cilën ta ushqejnë llampën që po shuhet, flakën që po dobësohet, dhe do të thërrasi të dëshpëruar, “Llampat tona po na fiken!”

Tani drita intelektuale fiket, drita morale fiket, drita e rrëfimit të jashtëm fiket, drita zyrtare fiket; dhe ndërsa ata shkojnë te burimet njerëzore për të siguruar hirin që kishin nevojë – në këtë mënyrë ia kthejnë shpinën Krishtit – “Dhëndri vjen; dhe ata që janë gati shkojnë me Të në dasmë dhe dera mbyllet.” Ata kthehen me atë që mendojnë se është prova e nevojshme, por tani mësojnë – atë që mund ta kenë mësuar tepër vonë! – që të pasurit e një emri se jeton – që veshja e Krishtit nga jashtë në pagëzim – bashkimi i jashtëm me Kishën e Perëndisë – pjesëmarrja në Darkën e Zotit – përhapja e të vërtetës së Tij, të çuarit përpara të kauzës së Tij – predikimi i ungjillit të Tij, madje dhe të fituarit e të tjerëve në besim, nuk do t’ju shërbejë asgjë – veçmas bashkimit me Jezusin me anë të Frymës – nuk mund të pranohen në martesën e Qengjit.

“Më pas erdhën edhe virgjëreshat e tjera, duke thënë: ‘Zot, zot, hapna’.Por ai, duke u përgjigjur, tha: ‘Në të vërtetë po ju them se nuk ju njoh.’” Nën dritën e një katastrofe të tillë, oh sa e varfër, sa e përbuzur dhe sa e parëndësishme që shfaqet gjithçka, pavarësisht sa e shkëlqyer në karakter, sa e bukur në moral, apo sa e kushtueshme në flijim, në krahasim me vetëdijen e përulur e të pasurit të Krishtit në zemër bashkë me shpresën e lavdisë.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*