7 Korrik – Octavius Winslow
“Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi.” 2 Korintasve 12:9
Në rastin e besimtarit të sprovuar, prehja që Jezusi i jep nuk do të thotë gjithmonë që do t’i hiqet barra nga e cila vjen ndjesia e lodhjes së tij. Barra lejohet të mbetet, e megjithatë përjetohet prehje. Po, nga procedura e Tij duket që vetë ekzistenca e barrës është thelbësore për të përjetuar prehje. Ai nuk e largon telashin nga ne, dhe nuk na largon as ne nga telashi; e megjithatë prehja për të cilën psherëtijmë na jepet. Vërtet e mrekullueshme! Por si shpjegohet kjo? Ajo barrë na çon te Jezusi. Ajo është thjesht shkaku pse ne shkojmë tek Ai. Po të mos kishte qenë ai pikëllim, ajo fatkeqësi, ajo sëmundje, apo ai vajtim do të kishim qëndruar larg Tij. Presioni na shtrëngoi që të shkonim. Dhe si na priti Ai! A na hap Ai një shteg shpëtimi nga vështirësia jonë apo e zgjidh menjëherë barrën tonë dhe të na lërë të lirë? Jo; Ai bën më mirë se kaq, Ai derdh forcë në shpirtin tonë, i jep jetë atij, derdh dashuri në zemrat tona dhe kështu gjejmë prehje. Kështu përmbushen në përjetimin tonë premtimet e çmuara, “Si dita jote ashtu do të jetë edhe forca jote.” “Hiri im të mjafton.”
Koha e hirit të premtuar të Zotit nuk është tregues i vogël i dashurisë së Tij. Nuk është një provë më e parëndësishme e personit të Tij kompleks si Perëndia-njeri. Si mund ta dërgojë në momentin e caktuar furnizimin e focës së Tij për të trajtuar urgjencën e krizës, nëse Hyjnia e Tij nuk do t’ia bënte të njohur pikën kritike në të cilën u gjend populli i Tij? Le të themi gjithashtu që ky veprim vazhdon në çdo vend dhe në çdo moment. Si mund ta trajtojë Ai atë urgjencë dhe të thotë një fjalë në momentin e duhur për të lodhurin, veçse prej faktit që njerëzimi i Tij u prek nga ndjesia e dobësisë? Përmes këtij procesi hapen para nesh pamjet e afërta të lavdisë së Perëndisë tonë të mishëruar.
Kur Ai i flet besimtarit përmes shërbesës së fjalës, apo përmes vetë fjalës, i cili është i lodhur nga konflikti dhe sprova, kjo ndodh saktësisht në momentin kur fuqia e saj mbështetëse dhe ngushëlluese nevojitet më tepër. Syri që nuk dremit dhe nuk fle kurrë ishte mbi ju. Ai e dinte se në çfarë furre gjendeshit ju, dhe ishte aty i pranishëm për ta zbutur flakën në momentin kur dukej më e fortë. Ai e pa barkën tuaj të dobët që po lëkundej në mes të stuhisë dhe ju erdhi t’ju shpëtonte në kulmin e saj. Si e ka vërtetuar Ai këtë në momentet e vështirësisë dhe dyshimit! Sa shpesh në mes të krizës, në pikën më kritike të historisë tuaj, Zot ju është shfaqur! Të është plotësuar nevoja, të është qetësuar dyshimi, të është dhënë udhëzim në ndërdyshje; Ai e ka çliruar shpirtin tënd nga vdekja, i ka shpëtuar sytë e tu nga lotët, dhe këmbët e tua nga rrëzimi. Sa e mirë që shtë një fjalë nga Jezusi e shqiptuar në momentin e duhur!
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!