9 Prill – Octavius Winslow

“Ai do të marrë prej simes dhe do t’jua kumtojë.” Gjoni 16:15

Fryma është Komunikuesi i Madh i Krishtit në shpirt. Ai e vendos Veten mes Burimit dhe besimtarit, Ai ka për qëllim të përcjellë të gjithë bekimin, të sigurojë për të gjitha nevojat, duke marrë gjërat e plotësisë ndërmjetësuese të Krishtit dhe duke i sjellë ato në përjetimin tonë të shenjtë dhe të bekuar. Duke qenë se ai ka shkuar përpara për ta përgatitur shpirtin për bekimin duke i zbuluar gjendjen e tij të varfërisë dhe duke krijuar skamjen e tij frymërore, tani Ai merr gjakun e shlyerjes dhe e vendos mbi ndërgjegjen; merr drejtësinë shfajësuese dhe me të e mbështjell shpirtin; merr hirin shenjtërues dhe e përcjell atë në zemër. Me një fjalë, Ai ia zbulon Jezusin mendjes, i dëshmon shpirtit për Krishtin – sa hyjnor që është Ai, dhe si rrjedhim është i zoti që të shpëtojë; sa i dashur që është Ai, dhe si rrjedhim është po aq i gatshëm sa është edhe i aftë; sa i hirshëm që është, dhe si rrjedhim zbret edhe në rrethanat tona më të ulëta; sa i butë që është Ai, dhe si rrjedhim nuk e shkel besimin e dobët, dhe as nuk e përbuz hirin tonë të pakët; sa simpatizues që është ai, dhe si rrjedhim nuk e largon veshin e Tij, dhe nuk e tërheq zemrën e Tij nga historia jonë e pikëllimit apo nga barra e vajtimit.

Oh, çfarë Përlëvdues i Krishtit që është Fryma Hyjnore! Gjithë sa dimë me të vërtetë për Jezusin, gjithë sa kemi përjetuar përbrenda nga hiri i Tij, ka qenë përmes mësimit dhe përcjelljes së Tij. Ai na ka çuar tek Burimi – Ai na ka futur tek oda e Mbretit – Ai na ka vajosur me “vajin e gëzimit,” – Ai ka bërë që “rrobat e tua mbajnë erë mirre, aloeje dhe kasie; nga pallatet e fildishta veglat muzikore me tela të gëzojnë.” – Ai i ka hapur thesaret, ka nxjerrë gjërat e çmuara dhe të lavdishme të një Krishti të çmuar dhe të lavdishëm, i ka hapur ato në gjithë larminë, dobinë dhe lirinë e tyre para syve tanë plot dëshirim. Sa shpesh ka ndodhur që kur shpirti ishte i urritur Ai ka thyer për ne bukën që zbriti nga qielli! Kur ishim të etur Ai ka goditur shkëmbin dhe na e ka shuar etjen me rrjedhën e tij jetëdhënëse!

Sa shpesh ka ndodhur që kur faji na ka kapluar, Ai ka spërkatur sërish gjakun që flet për paqe; dhe kur brengat na kanë shtypur, kur vështirësitë na kanë rrethuar, kur gjërat ku mbështeteshim na kanë lënë në baltë, kur burimet tona kanë shterur, madje edhe ata që i donim më tepër na kanë lënduar, Ai, Ngushëlluesi i butë dhe i dashur, Ai Mësuesi i bekuar, Ai Përlëvduesi i madh i Jezusit, na ka dhënë një pamje të re, të përshtatshme dhe të çmuar të Emanuelit tonë; dhe në një moment stuhia është fashitur, valët kanë pushuar, paqja, qetësia dhe gëzimi i kanë dhënë shkëlqim shpirtit. Një vështrim drejt Jezusit në mundimin e thellë, një vështrim drejt tij mes vuajtjes që të copëton zemrën, një zbulim i pamjes së Tij kur gjithçka është errësirë, frikësuese dhe e shkretë, një shfaqje e dashurisë së Tij kur zemrë është zhytur në vetmi, një prejke e kryqit të Tij kur shpirti është i shtypur, i përkulur dhe i thyer prej mëkatit – është sikur qielli t’i ketë hapur portat tej e tje, dhe të kemi hyrë brenda tij, ku nuk do të përjetojmë më as shtrëngim, as humbje, as errësirë, as vetmi dhe as mëkat për gjithë përjetësinë!


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*