Realiteti Marramendës i të qënurit “në Krishtin Jezus”!
prej Xhon Pajpër
Të jesh “në Krishtin Jezus” është një realitet marramendës. Kuptimi i të qënurit në Krishtin është i mahnitshëm. I bashkuar me Krishtin. I lidhur me Krishtin. Nëse je “në Krishtin” dëgjo se çfarë do të thotë kjo gjë për ty:
- Në Krishtin Jezus të është dhënë hir qysh para epokave. “Sipas hirit, që na u dha në Krishtin Jezus përpara fillimit të kohëve.” (2 Timoteu 1:9)
- Në Krishtin Jezus u zgjodhe prej Perëndisë qysh para krijimit të botës. “Perëndia na zgjodhi në të [Krishtin] përpara se të themelohej bota.” (Efesianëve 1:4).
- Në Krishtin Jezus ju jeni dashur prej Perëndisë me një dashuri të pandashme. “Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.” (Romakëve 8:38-39).
- Në Krishtin Jezus ju u shpenguat dhe u falët për të gjitha mëkatet tuaja. “Në të cilin [Krishtin] kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurivë të hirit të tij.” (Efesianëve 1:7).
- Në Krishtin Jezus ju jeni shfajësuar para Perëndisë dhe drejtësia e Tij ju është numëruar ju. “Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne atë që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të [Krishtin].” (2 Korintasve 5:21).
- Në Krishtin Jezus ju jeni bërë një krijesë e re dhe një bir i Perëndisë. “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja.” (2 Korintasve 5:17). “Sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit në Jezu Krishti.” (Galatasve 3:26).
- Në Krishtin Jezus ju jeni ulur në vendet qiellore edhe ndërsa jetoni ende mbi tokë. “Edhe na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus.” (Efesianëve 2:6).
- Në Krishtin Jezus të gjitha premtimet e Perëndisë janë Po për ju. “Sepse të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë [Krishtin] ‘po’ dhe në atë ‘amen’.” (2 Korintasve 1:20).
- Në Krishtin Jezus ju po shenjtëroheni dhe po bëheni shenjtorë. “Kishës së Perëndisë që është në Korint, të shenjtëruarve në Krishtin Jezus, të thirrur shenjtorë.” (1 Korintasve 1:2).
- Në Krishtin Jezus ju është siguruar gjithçka që vërtet ju nevojitet. “Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Jezu Krisht.” (Filipianëve 4:19).
- Në Krishtin Jezus paqja e Perëndisë do të ruajë mendjen dhe zemrën tënde. “Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.” (Filipianëve 4:7).
- Në Krishtin Jezus ju keni jetë të përjetshme. “Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë.” (Romakëve 6:23).
- Në Krishtin Jezus ju do të ringjalleni prej së vdekuri në ardhjen e Zotit. “Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallën në Krishtin.” (1 Korintasve 15:22). Të gjithë ata që janë bashkuar me Adamin në njerëzimin e parë do të vdesin. Të gjithë ata që janë bashkuar me Krishtin në njerëzimin e ri do të ringjallen për të jetuar përgjithmonë.
Si mund të hyjmë në Krishtin?
Në nivelin vendimtar dhe të pandërgjegjshëm kjo është një vepër sovrane e Perëndisë: “Por prej tij ju jeni në Krishtin Jezus, i cili nga Perëndia u bë për ne dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim.” (1 Korintasve 1:30).
Por në nivelin e ndërgjegjshëm të veprimit tonë, kjo bëhet përmes besimit. Krishti banon në zemrat tona “përmes besimit” (Efesianëve 3:17). Jetën të cilën e jetojmë të bashkuar me vdekjen dhe jetën e tij “e jetojmë me besim në Birin e Perëndisë.” (Galatasve 2:20). Ne bashkohemi në vdekjen dhe ringjalljen e tij “përmes besimit” (Kolosianëve 2:12).
Kjo është një e vërtetë e mrekullueshme. Bashkimi me Krishtin është themeli i gëzimit të përjetshëm dhe kjo gjë është falas!