27 Shkurt – Octavius Winslow
27 Shkurt
“Sepse pranë teje është burimi i jetës.” Psalmet 36:9
Çfarë burimi jete që është Jezusi! Të vdekurit, veshët e të cilëve dëgjojnë tingullin e zërit të Tij, jetojnë. Në Krishtin ka hir – hir ringjallës, rilindës, jetë-dhënës; dhe kujtdo që i jepet ai hir, ai që dergjej i ftohtë dhe pa frymë në luginë nis të lëvizë, të jetojë, të marrë frymë dhe të çohet. Një prekje e Krishtit, një pëshpëritje e zërit të Tij, një fllad i Frymës së tij, lind jetë në shpirt e cila nuk vdes kurrë. Çfarë burimi jete që është Jezusi! Mendoni për mbi-bollëkun e tij. Ka një plotësi jete në Krishtin. Hiri që gjendet në Jezusin është i pafund në burimin e tij, ashtu sikurse është edhe hyjnor në natyrën e tij. Një plotësi e pa krijuar, duhet që të zotërojë një mbi-bollëk të pashtershëm. Po qe se Ati do ta kishte depozituar këtë hir jetë-dhënës tek të gjithë engjëjt në qiell, do të kishte kohë që do ishte shterur. Mendoni për ata mijëra mijërash që digjen nga etja për shenjtëri dhe lumturi, të cilët janë gjunjëzuar dhe e kanë shuar etjen e tyre tek ky burim – mendoni për moritë që i kanë mbushur enët e tyre bosh tek ky burim dhe që janë larguar gjithë gëzim dhe shpresë që gufonte në mendjet e tyre. Mendoni për moritë mëkatet e të cilëve janë larë nga gjaku i Tij, shpirtrat e të cilëve janë veshur nga drejtësia e Tij, prishja e të cilëve është është mposhtur prej hirit të TIj, dhe pikëllimet e të cilëve janë ngushëlluar prej dashurisë së Tij. Mendoni për paudhësitë që Ai ka falur; për rrëshqitjet që Ai ka shëruar; për vajtimin që Ai ka larguar; për lotët që Ai ka tharë; për shpirtrat që Ai ka shpëtuar. Mendoni për moritë të cilat dikur pinë nga rrjedha këtu poshtë, por që tani po pijnë nga vetë burimi në lavdi. Megjithatë ky burrim është po aq i bollshëm sa ka qenë gjithmonë! Ai nuk është pakësuar qoftë dhe një fije. Jezusi është aq përplot me hir falës për fajtorët, me hir drejtësues për të neveritshmit, me hir shenjtërues për të padenjët sa ka qenë përherë. Ai është mjaft plot për të plotësuar nevojat e shpirti të mjerë, të etur dhe që duke rënkuar i afrohet Atij. Oh çfarë e vërtete e çmuar që është kjo! Me të vërtetë e çmuar për atë që e ndjen pamjaftueshmërinë e tij, skamjen dhe nevojën e tij. Lexues, cila është nevoja jote? Cila është brenga jote? Cila është sprova jote? Cila është lëngata jote? Cila është barra jote? Cilado qoftë, shko me të tek ky burim i ujit të gjallë, dhe mos u dëshpëro pasi të pret një mikpritje e hirshme dhe një furnizim i bollshëm. Ai është burim, është burim i gjallë. Nuk ka nevojë t’ia mbushësh mendjen që të gufojë, pasi ai gufon spontanisht; dhe kudo që rrjedh uji i tij ka jetë.
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!