4 Mars – Octavius Winslow
“Duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit.” Hebrenjve 12:2
Kini kujdes që të mos e bëni besimin shpëtimtarin tuaj. Ekziston një rrezik dhe nuk mund të tregohemi tepër vigjilentë ndaj zëvendësimit të veprës së Krishtit me veprën e Frymës së Shenjtë; ky është gabimi i cili bën që shumë nga shenjtorët e Perëndisë të shohin brenda, në vend që të shohin jashtë vetes, për provat e thirrjes dhe pranimit të tyre; dhe kështu, shumë prej tyre mbeten gjatë gjithë ecjes së tyre frymërore, duke ecur në një gjendje skllavërie dhe frike, duke pasur pyetje të madhe të cilat nuk kanë marrë kurrë përgjigje plotësisht dhe ashtu si duhet; ose, me fjalë të tjera, nuk janë kurrë plotësisht të sigurt për birësimin e tyre. Puna e Krishtit është një punë madhështore dhe e përfunduar; ajo është aq e lavdishme sa nuk mund të krahasohet me asgjë, është aq e plotë sa të mos lejojë asnjë shtesë, dhe aq thelbësore sa të mos lërë vend për asnjë zëvendësim. Pavarësisht se vepra e Frymës së Shenjtë në zemër është vërtet e çmuar, dhe thelbësore për shpëtimin e shpirtit, megjithatë ai që e vendos këtë vepër atje ku duhet të jetë vetëm vepra e Jezusit, e prish rendin e besëlidhjes, e mbyll burimin e ligjshëm të provave dhe me siguri që do të sjellë shqetësim dhe pasiguri në shpirtin e tij. “Drejtësia, paqja dhe gëzimi” janë fryti i një besimi të plotë në Zotin Jezu Krisht, dhe ai që i kërkon ata larg nga kryqi do të përballet me zhgënjim; por ato gjenden në Jezusin. Ai që shikon larg nga vetja, nga neveria, fajësia, zbrazëtia dhe varfëria e tij, plotësisht dhe me besim në Jezusin, do të dijë se çfarë është falja e mëkatit dhe do të përjetojë dashurinë e Perëndisë të derdhur në zemrën e tij.
Prandaj, nëse besimi yt është i dobët dhe i provuar, mos u dekurajo. Besimi nuk të shpëton; megjithëse është një instrument shpëtimi, dhe, si i tillë, ka një rëndësi të madhe, ai është veçse instrumenti. Puna e përfunduar e Emanuelit është baza e shpëtimit tënd, po, është vetë shpëtimi yt. Prandaj, mos e bëj shpëtimtar besimin tënd; mos e përbuz nëse është i dobët, mos u mburr me të nëse është i fortë, mos e shkel nëse është i vogël, mos e hyjnizo nëse është i shkëlqyeshëm: të tilla janë caqet ekstreme ndaj të cilave ekspozohet çdo besimtar. Nëse besimi juaj është i dobët dhe i sprovuar ashpër, kjo nuk është dëshmi që nuk je besimtar; por prova e pranimit tënd në të Dashurin duhet të dalë vetëm nga Jezusi; prandaj qoftë motoja jote e vazhdueshme, “duke i drejtuar sytë tek Jezusin;” duke e soditur Atë ashtu si je; duke parë drejt Tij kur besimi yt është i dobët; duke e parë Atë kur besimi sprovohet; duke shikuar drejt Tij kur besimi dobësohet; po, duke parë Atë kur ke frikë se nuk ke besim. Hidhe vështrimin lart o shpirt i sprovuar dhe i tunduar! Jezusi është Autori, Mbështetësi dhe Ai do të bëhet Plotësuesi i besimit tënd. Gjithçka që të nevojitet është tek Ai; një shikim, megjithëse i zbehtë, tek kryqi i Tij, një prekje e veshjes së Tij, edhe pse duke u dridhur, do të të nxjerrë nga thellësitë e tua më të ulëta, do të ta lehtësojë barrën tënde më të rëndë, do ta ndriçojë edhe pamjen tënde më të errët dhe kur të arrish në pragun e Jordanit, do të të mbartë me siguri përmes valëve të tij dhe do të të kalojë në brigjet e gjelbra dhe plot diell të Kanaanit.
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!