26 Mars – Octavius Winslow

26 Mars

“Por sa për mua, e mira është t’i afrohem Perëndisë.” ‭‭Psalmi‬ ‭73:28‬

Sa më tepër të jetë një objekt i caktuar burim kënaqësie dhe meditimi për ne, aq më fort e dëshirojmë praninë e tij, dhe aq më të parehatshëm jemi në mungesë të tij. Shokun që e duam e dëshirojmë vazhdimisht ta kemi përkrah; shpirti digjet nga dëshira për bashkësi me të; prania e tij ëmbëlson dhe mungesa e tij e hidhëron çdo gëzim tjetër. Kjo është saktësisht e vërtetë për Perëndinë. Ai që e njeh Perëndinë, ai i cili me syrin e besimit ka zbuluar një pjesë të lavdisë së Tij dhe përmes fuqisë së Frymës ka ndjerë diçka nga dashuria e Tij, nuk ka sesi të mos e bëjë dallimin mes pranisë së ndjeshme të Perëndisë në shpirt dhe mungesës së saj. Disa nga ata që rrëfejnë se janë besimtarë jetojnë gjatë pa bashkësi, pa miqësi, pa një përbashkësi të përditshme dhe të afërt me Perëndinë; ata janë aq të zhytur në shqetësime dhe aq të humbur në mjegullat e botës; tehu i dashurisë së tyre frymërore është topitur aq shumë dhe dashuria e tyre është ftohur përmes kontaktit me ndikimet dhe përfshirjet e botës – kjo ndodh edhe më tepër me rrëfyesit e ftohtë dhe formalë të besimit – saqë Dielli i Drejtësisë mund të mos shkëlqejë mbi shpirtin e tyre, dhe ata të mos e dinë fare këtë gjë! Perëndia mund të ndalojë së vizituari ata dhe mungesa e Tij të mos ndihet fare! Ai mund të pushojë së foluri, dhe qetësia e zërit të Tij nuk zgjon një emocion alarmi! Po, një gjë edhe më e habitshme u ndodh atyre nëse Zoti papritur do të zbriste mbi shpirtin e tyre me një vizitë dashurie, sesa t’i linte për javë dhe muaj me radhë pa një shenjtë të pranisë së Tij. Lexues, a je ti një dikush që rrëfen se është fëmijë i Perëndisë? Mos u kënaq duke jetuar kështu: kjo është një ekzistencë e varfër dhe e padenjë për rrëfimin tënd, e padenjë për Atë emrin e të cilit mban ti, dhe e padenjë për fatin e lavdishëm drejt të cilit je duke parë. Kështu një besimtar mund ta sprovojë karakterin e dashurisë së tij. Ai në zemrën e të cilit thellohet, shtohet dhe zgjerohet dashuria hyjnore e përjeton Perëndinë si një objekt gjithnjë e më të kënaqshëm dhe të dëshirueshëm, dhe bashkësinë me Të si privilegjin më të çmuar mbi dhe; ai nuk mund të jetojë duke neglizhuar bashkësinë e vazhdueshme, të fshehtë dhe të ngushtë me Perëndinë e tij, me mikun e tij më të mirë dhe më besnik.


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*