4 Maj – Octavius Winslow
Atëherë u tha atyre: ”Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?.” Marku 4:40
Frika dyshuese, qoftë zakon apo qoftë e rastësishme, nëse na pengon në interesimin tonë pas Krishtit ka për të rezultuar në lëkundjen dhe dobësimin e besimit; nuk ka asnjë shkak tjetër që ndikon më tepër në këtë gjë. Nëse është e vërtetë që ushtrimi i besimit e bën atë edhe më të fortë, është po aq e vërtetë që tolerimi i vazhdueshëm i frikërave dyshuese rreth faljes dhe pranimit do ta brejnë si krimi rrënjën e besimit. Çdo mosbesim që ndiejmë, çdo dyshim që ruajmë, çdo frikë të cilës i dorëzohemi, sa herë që ngecim duke menduar për një provani të errët, ka prirjen që ta shkëputë shpirtin prej Perëndisë, dhe ta zbehë pamjen e tij të afërt dhe të dashur të Jezusit. Të dyshosh dashurinë, urtësinë dhe besnikërinë e Perëndisë, të dyshosh përsosmërinë e veprës së Krishtit, të dyshosh veprën e Frymës në zemër, çfarë mund të ketë prirje më të fortë se kjo për ta dobësuar dhe prishur këtë hir të çmuar dhe të shtrenjtë?
Çdo herë që shpirti zhytet nën presionin e dyshimeve rreth interesit të tij për Krishtin, efekti ka për të qenë dobësimi i pamjes që shpirti ka për lavdinë, përsosmërinë, dhe gjithëmjaftueshmërinë e veprës së Krishtit. Edhe pse në mënyrë jo të përsosur, i krishteri dyshues mund të jetë i vetëdijshëm se çfarë çnderimi që i shkakton Jezusit, se çfarë hijeje mbi veprën e Tij të madhe, përmes çdo frike mosbesuese që ai ruan në shpirt. Ky është një lëndim i fshehtë i Jezusit, pavarësisht se shpirti priret të distancohet nga një konkluzion i tillë; kjo është një ulje, është një nënvlerësim i bindjes dhe vdekjes së Krishtit – nënvlerësim i asaj vepre të lavdishme për të cilën Atij deklaroi që ishte plotësisht i kënaqur – ajo vepër me të cilën drejtësia hyjnore ka shpallur që është kënaqur – ajo vepër, në bazë të së cilës çdo mëkatar i mjerë, çdo mëkatar i bindur për mëkatin shpëtohet, dhe mbi bazën e të cilës miliona shpirtra të shpenguar dhe të përlëvduar tani janë duke ngazëlluar përreth fronit – ne themi që ajo vepër, çnderohet, nënvlerësohet dhe përbuzet nga çdo dyshim dhe frikë që lejohet në fshehtësi apo shprehet hapur nga një fëmijë i Perëndisë. Në momentin që një besimtar e sheh padenjësinë e tij më tepër se drejtësinë e Krishtit – duke supozuar që nuk ka meritë të mjaftueshme në Jezusin për të përmbushur mangësinë e gjithë meritave brenda tij para Perëndisë – nuk është gjë tjetër veçse duke vendosur mëkatshmërinë dhe padenjësinë e tij më lart se vlerën, plotësinë dhe mjaftueshmërinë e pafundme të shlyerjes dhe drejtësisë së Krishtit?
Ekziston një përulësi e rreme mes shumë prej shenjtorëve të dashur të Perëndisë. Disa mendojnë që të vësh në dyshim gjithmonë faljen dhe pranimin është tregues i një shpirti të përulur. Më lejoni të them, që kjo është saktësisht shenja e krejt të kundërtës së një mendjeje të përulur. Përulësi e vërtetë është ajo që mbështetet në dëshminë e Perëndisë – që beson për shkak se Ai e ka thënë – që prehet në gjakun dhe drejtësinë dhe gjithëmjaftueshmërinë e Jezusit, për shkak se Ai ka deklaruar “kushdo që beson në Të do të shpëtohet.” Kjo është përunjësia e vërtetë – ky është fryti i bekuar i Frymës së Përjetshme. Të shkoj tek Jezusi sikurse jam, mëkatar i varfër, i humbur dhe i pashpresë – të shkoj tek ai pa ndonjë përgatitje të mëparshme – të shkoj duke u mburrur në dobësinë, varfërinë dhe mangësitë e mia, që hiri falas, kënaqësia sovrane, merita e pafundme e Krishtit të mund të bëhen të dukshme në faljen time të plotë, në drejtësimin tim dhe në lavdinë e përjetshme. Ka edhe më tepër krenari dhe vetë-drejtësi që nuk është bërë të vdesë në atë parim i cili e bën Perëndinë borxhli ndaj krijesës, në refuzimin e shpirtit që të pranojë plotësisht Jezusin, nga sa mendojmë ne. Ekziston një përulje më e thellë dhe më reale në një të shkuar të thjeshtë dhe me besim tek Krishti si një mëkatar i humbur, duke e pranuar Atë si gjithë drejtësinë, gjithë faljen, gjithë lavdinë e tij, nga sa mund të kuptojë ndonjë i vdekshëm se është e mundur. Dyshimi është gjithmonë pjellë e krenarisë, përulësia është përherë shërbëtore e besimit.
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!