15 Qershor – Octavius Winslow

“Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua.” Mateu‬ ‭26:38‬

Vështirësitë frymërore që shoqërojnë të krishterin janë sprovat e tij më te thella dhe më të ashpra. Çfarë janë të tjerat në krahasim me këto? Zoti ynë e ndjeu shumë thellë këtë gjë kur shqiptoi atë klithmë të dhimbshme, “Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them: O Atë, më shpëto nga kjo orë? Por për këtë unë kam ardhur në këtë orë.” Çfarë ishin për të – edhe pse të hidhura dhe plot agoni – çfarë ishin për të goditjet, fshikulli, të përshtyrat dhe tortura mizore, në krahasim me shpatën që po depërtonte tani në shpirtin e Tij – konflikti mendor dhe pikëllimi frymëror i cili në orën e shlyerjes e mahniti, e shtangu dhe e kaploi? Dëgjoje sërish klithmën e tij të dhimbshme: “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje.” Pastaj, u tërhoq nga dishepujt e tij – sepse tani simpatia njerëzore tek e cila ishte mbështetur që të ishte me të në këtë orë vuajtjeje e kishte lënë në baltë – u largua nga njeriu, dhe e lëshoi veten në gji të Perëndisë dhe duke u gjunjëzuar u lut, “O At, nëse është e mundur largoje këtë kupë prej meje!” Shpirti im, kaq i madh ishte konflikti që Shpëtimtari yt duroi për ty!

Pjesëtarë në vuajtjet e Krishtit janë të gjithë besimtarët e vërtetë në një masë të caktuar dhe janë njohur me disa prej atyre vështirësive të shpirtit që e kapluan kështu edhe Birin e Perëndisë. Ndërprerjet e ngushëllimit Hyjnor – fshehja e fytyrës së Perëndisë – sulmet e Satanit – kontakti dhe konflikti me mëkatin – janë përbërës të hidhur në kupën e pikëllimit frymëror nga e cila ata thirren të pijnë nganjëherë thellësitë e saj.

Shumë i dashur, a je duke ecur në mes të fatkeqësisë? Mos mendo se je vetëm. U vajostë syri yt i besimit me kolir për të parë Atë që ecën krah për krah me ty, i cili është i njëjti që eci mes tre djelmoshëve në mes të furrës së zjarrtë, “i cili i ngjan një Biri Perëndie.” Po! Jezusi është me ty në sprovën tënde. Krishti është me ty në sprovën tënde. Pavarësisht sa i vështirë është shtegu yt, ai nuk është aq i ngushtë sa Zoti yt të mos e shkelë dot bashkë me ty, krah për krah teje. Udha jote nuk është aq e ngatërruar sa Ai të mos jetë në gjendje të të aftësojë t’i zgjedhësh hapat përgjatë labirintit. Ka mjaft vend për ty dhe Krishtin që të ecni së bashku. Ai është me ty; edhe pse sikurse me dy dishepujt që po ecnin të pikëlluar për në Emaus, sytë e tu mund të jenë aq të turbulluar sa nuk e sheh Atë, megjithatë ai është duke udhëtuar bashkë me ty përgjatë atij shtegu të trishtuar dhe vajtues, në atë shteg vetmie dhe mendimesh.

Krishti është në vështirësinë tënde – Krishti është në kryqin tënd – Krishti është në barrën tënde – Krishti është në vuajtjen tënde – Krishti është në përndjekjen tënde – Krishti është në sëmundjen tënde – po, Krishti është përkrah teje në çdo hap që ti hedh, dhe Ai ka për të të shpënë shëndoshë e mirë në shtëpinë e Atit. Edhe pse je duke ecur në mes të fatkeqësisë Ai do të të japë jetën.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*