23 Korrik – Octavius Winslow

“Unë bie përmbys në pluhur; më ringjall sipas fjalës sate.” Psalmi 119:25

Ah, sa prej atyre që syri u kap këto fjalë huazojnë dhe shqiptojnë fjalët e Davidit. Ju ndjeni një vdekje, një topitje, dhe një frymë tokësore në kënaqësitë frymërore, në detyrat dhe privilegjet, në të cilat i gjithë shpirti juaj duhet të jetë plot jetë, plot zell, plot dashuri. Ju jeni poshtë atje ku duhet të jeni të lartësuar; ju zvarriteni atje ku duhej të ishit duke fluturuar, ju kapeni fort pas tokës aty ku duhet të përqafoni qiejt. Mendimet tuaja janë të ulëta, dashuria juaj është e vogël, ndjenjat tuaja janë të ulëta, shpirti juaj është poshtë, dhe dukeni pothuaj gati për të vënë në dyshim ekzistencën e jetës së Perëndisë në shpirtin tuaj.

Por edhe në këtë gjendje të trishtuar dhe në depresion, a nuk mund të ketë diçka që të ngazëllon, të inkurajon dhe të jep shpresë? Është e qartë që kishte diçka të tillë në situatën e Davidit – “Shpirti im është bërë një me pluhurin; më ringjall.” Ky ishte tipari ngazëllues, inkurajues dhe shpresdhënës në rastin e Psalmistit – dëshira e tij për ringjalljen e jetës Hyjnore në shpirtin e tij. Kjo ishte ajo që e karakterizonte si njeri të Perëndisë. Ishte një njeri i gjallë që ankohej për vdekjen brenda tij, dhe që dëshironte më tepër jetë. Ishte një shpirt i lindur nga qielli që vajtonte për frymën e tij tokësore, dhe që dëshironte fort shumë prej qiellit. Ishte një njeri frymëror që po vajtonte për natyrën e tij mishore dhe po lutej për të qenë më tepër frymëror. Kjo nuk është lutja e dikujt i cili është i vetëdijshëm për gjendjen e ulët të shpirtit të tij, e megjithatë të jetë i kënaqur me këtë gjendje.

“Unë bie përmbys në pluhur; më ringjall sipas fjalës sate.” Ndoshta nuk ka ndonjë shprehje tjetër më të njohur për veshin dhe asnjë gjë nuk shqiptohet më shpesh prej buzëve të atyrë që rrëfejnë fenë, se sa kjo. E megjithatë, ku është përpjekja shoqëruese për të dalë nga kjo gjendje? Ku është veshja e armatimit? Ku duket konflikti? Ku është përpjekja për t’u ngritur nga pluhuri, për t’u shkëputur nga magjepsja dhe për të fluturuar drejt një feje më të lartë dhe më të pastër? Mjerisht, shume nga ata prej buzëve të të cilëve dëgjohet ky rrëfim përulës ende vazhdojnë të përqafojnë pluhurin, duket se e duan pluhurin dhe nuk i hapin kurrë flatrat e tyre për t’u ngritur lart pluhurit.

Por le ta studiojmë nga afër këtë mësim nga përjetimi i Davdit, që ndërsa vajtimet e thella e mbushën zemrën e tij, dhe nga buzët e tij u shqiptua një rrëfim i sinqertë, kishte gjithashtu edhe një dëshirë, një sëmbim të shpirtit, për një gjendje më të mirë dhe më të lartë. Ai duket sikur thotë, “Zot, jap përtokë, por dëshiroj fort të ngrihem; jam i lidhur me zinxhirë por po përpiqem të lirohem; shpirti im është bërë një me pluhurin, por Ti më ringjall!” E ngjashme me këtë ishte edhe gjendja e kishës e cila përshkruhet në mënyrë kaq të gjallë nga Solomoni në Këngën e tij – “Unë flija, por zemra ime përgjonte.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*