25 Shtator – Octavius Winslow
25 Shtator
“Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.” Romakëve 12:2
Bota, dashuria për të, përshtatja me të mund t’i pëlqejë dhe ta mbështesë jetën e shqisave, por është kundër dhe e pengon jetën e besim. Jo më pak kundërshtuese në natyrën e tyre janë mishi dhe Fryma, errësira dhe drita, mëkati dhe shenjtëria, nga sa është jeta e gjallë e besimit dhe një dashuri mëkatare për botën. Ju që rrëfeni ungjillin ruhuni nga bota; ajo është mallkimi juaj i madh: ruhuni nga përshtatja me të në veshjentuaj, në mënyrën e jetesës, në edukimin e fëmijëve tuaj, në parimet, motivet dhe politikën që e qeveris jetën tuaj.
Prandaj mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë me ndonjë mospërputhje të sjelljes, nga ndonjë përshtatje e mëkatshme me botën, nga ndonjë kërkim i pavend i pasurisë, ndereve, kënaqësive, miqësive dhe gjërave të saj të mëdha. Lutu kundër mëkatit të lakmisë, kundër krimbit të zjarrthit që konsumon rrënjën e aq shumë shpirtrave; lutu kundër dashurisë së veshjes, atij mëkati që e shpërqendron mendjen e shumë rrëfyesve të besimit nga thjeshtësia e Krishtit, dhe e largon syrin nga bukuria e vërtetë; lutu kundër një etjeje për lexime të lehta dhe pa vlerë, lutu kundër asaj mospërputhjeje të çuditshme dhe mëkatare të shumë njerëzve, prirja e sigurt e së cilës është ta mbytë jetën e Perëndisë në shpirt, të rrezikojë një mospëlqim për ushqimi frymëror, për fjalën e Perëndisë, për meditimin e shenjtë, dhe për bashkëshinë dhe miqësinë Hyjnore – po, lutu kundër frymës së botës, kundër përshtatjes së mëkatshme në gjithçka në mënyrë që Fryma e Shenjtë të mos trishtohet dhe që Krishti të mos çnderohet dhe kryqëzohet sërish në dhe përmes teje.
Duhet të shqetësohemi se pjesa më e madhe e krishterimit të sotëm ka një karakter kompromis bërës. Fryma që i karakterizon aq shumë persona është, “Çfarë do të më jepni dhe unë do t’jua dorëzoj?” Ka një tradhti të Krishtit para botës, një shkëmbim të krishterimit me opinionin e saj të mirë, me vendet e saj të nderit, me ndikimin dhe shpërblimet e saj. Bota, mishi dhe Satani janë përherë zgjuar që të arrijnë një marrëveshje me atë që rrëfen se është i krishterë për fenë e tij. “Çfarë do të më japësh si shpërblim?” Kjo është pyetja e zellshme e shumë prej tyre. Oh çfarë gjendje e tmerrshme dhe çfarë mashtrimi i frikshëm! Oh çfarë lajthitjeje fatale!
Lexues! A e rrëfen veten për të krishterë? Atëherë ruhu edhe nga kompromisi më i vogël për parimet e tua, ruhu edhe nga tradhtia më e vogël e Jezusit, nga hapi i parë në një ecje të çrregullt; mbi të gjitha, lutu dhe rri syçelë ndaj një krishterimi të botës, një krishterimi që mban një petk të bukur, për aq kohë sa kjo gjë përfshin frekuentimin e takimeve, sakramenteve dhe institucioneve fetare, por që përjashton kryqin e Qengjit zemërbutë dhe të përulur të Perëndisë, një krishterim i cili e do botën dhe gjërat e botës, “paraqitet bukur në mish,” flet mirë për Krishtin, e megjithatë e tradhton Atë me një të puthur. Le të mos jetë ky modeli i fesë tënde. Bota është armiku i betuar i Shpëtimtarit tënd; le të mos jetë ajo miku yt. Jo, dil prej saj dhe veçohu.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!