12 Tetor – Octavius Winslow
12 Tetor
“Dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin.” 1 Gjoni 2:1
Ne jemi mësuar të lexojmë në Bibël për një Ndërmjetës, dhe për një mbrojtje. Por besimtari ka dy oborre me të cilët ka të bëjë lutja. Në oborrin poshtë, aty ku ofrohet lutja, Fryma është ndërmjetësi i tij. Në oborrin sipër, atje ku paraqitet lutja, Jezusi është Ndërmjetësi. Çfarë njeriu i nderuar dhe i privilegjuar është ai që lutet! Mbi tokë, borri i poshtëm, ai ka një Këshilltar që e udhëzon për çfarë të lutet dhe si ta paraqesë kërkesën e tij.
Në qiell, oborri i sipërm, ai ka një Avokat që paraqet te Perëndia çdo peticion ndërsa ngrihet, duke hequr prej tij çdo gjë që është e paditur, mëkatare, e dobët, përgjërohet për pranimin e tij të hirshëm dhe kërkon përmbushjen e plotë të tij. Prandaj, këtu qëndron inkurajimi ynë i madh në lutje. Ndërhyrjet e Frymës, Ndërmjetësit mbi tokë, janë gjithmonë në përputhje me mendjen e Perëndisë. Në lutje ky është saktësisht këshilltari Hyjnor që na nevojitet. A dëshirojmë vallë bekimin e përkohshëm? Kemi nevojë të na mësohet si ta përshtatim kërkesën tonë me nevojën tonë dhe si ta përshtatim nevojën tonë me thirrjen tonë qiellore. Ne mendojmë se përgjërimi për të mirat e përkohshme është i kufizuar. Kufizimi është ky, “Nëse kemi ushqim dhe veshje duhet të jemi të kënaqur.”
Cilit fëmije të Perëndisë i është garantuar plotësimi i kërkesës për pasuri, dallim apo rang botëror? Cili fëmije të Perëndisë në një gjendje të shëndetshme të shpirtit do t’i kërkonte gjëra të tilla? Apostulli thotë, “Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Jezu Krishtin.” Nëse Perëndia në provaninë e Tij vendos ta dërgojë ndonjë prej këtyre bekimeve të përkohshme, pa i dëshiruar, pa i kërkuar dhe pa i pritur nga ju, pranojini ato si prej Tij dhe përdorini si për Të. Por për sa u përket bekimeve frymërore sasia që mund të marrim është e pakufizuar, kërkesat tona për to mund të jenë të pafundme. “Kërko çfarë të duash,” është garancia e gjerë dhe e pakufizuar. Kur kërkojmë që të përsosemi në dashurinë e Perëndisë jemi duke kërkuar për atë që është në përputhje me vullnetin e Perëndisë – sepse “Perëndia është dashuri.” Kur kërkojmë për një rritje të besimit, jemi duke kërkuar atë që përputhet me vullnetin e Perëndisë; sepse “pa besim është e pamundur t’i pëlqesh atij.”
Kur kërkojmë për një përshtatje më të madhe hyjnore, po kërkojmë për atë që është në harmoni me vullnetin e Perëndisë; sepse Ai ka thënë, “Jini të shenjtë, sikurse unë jam i shenjtë.” Kur kërkojmë për ngushëllim, përgjërohemi për atë që është në zemrën e Tij për ta dhënë, sepse Ai është “Perëndia i gjithë ngushëllimit.” Oh sa gjë e bekuar të kemi një këshilltar Hyjnor i cili banon në zemrat tona, i cili nuk do të ofrojë kurrë një lutje të gabuar, nuk do të sugjerojë kurrë një argument të dobët, as ka për të na ngatërruar në ndonjë aspekt të caktuar në përfshirjen tonë solemne, të rëndësishme dhe të shenjtë të lutjes; një këshilltar i cili e njeh qëllimin e Perndisë; e njeh mendjen e Perëndisë; e kupton vullnetin e Perëndisë; e lexon zemrën e Perëndisë; po, që është Vetë Perëndi.
Çfarë inkurajimmi është ky për më tepër lutje reale! A je i motivuar për t’u lutur? Ndërsa mediton a nuk ndizet flaka brenda teje? A po trazohet zemra jote për t’i kërkuar Perëndisë ndonjë bekim të veçantë për veten, apo për të tjerët? A je i pikëlluar? Oh, atëherë çohu dhe lutu, Fryma po të nxit, Ati yt qiellor pret të dëgjojë prej teje. Me një Ndërmjetës të tillë në oborrin mbi tokë, i cili është kaq hyjnor, kaq i dashur dhe kaq i dhembshur; me një Ndërmjetës të tillë në oborrin në qiell, i cili është kaq i pushtetshëm, kaq elokuent dhe kaq i suksesshëm, “le të shkojmë me guxim para fronit të hirit, që të marrim mëshirë dhe të gjejmë ndihmë në kohë nevoje.”
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!