5 Nentor – Octavius Winslow

5 Nentor

“Sepse Krishti nuk hyri në një shenjtërore të bërë me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e asaj të vërtetë, por në vetë qiellin për të dalë tani përpara Perëndisë për ne.” Hebrenjve 9:24

A është privilegj të ngrihesh në lutjet e dashura dhe me besim të një miku të krishterë? Oh, po! Ndërmjetësimet e njerëzve të Zotit për ne janë kanale të çmuara për bekimet qiellore. Por ekziston një Mik që është edhe më afër Burimit të mëshirës, edhe më afër dhe më i dashur për Atin, se edhe miku yt më i dashur tokësor; ky Mik është Jezusi, “i cili jeton përjetë dhe ndërmjetëson për ata që i afrohen Perëndisë me anë të Tij.” Oh sa e çmuar është ajo deklaratë tek e cila mund të mbështetesh me qetësi dhe siguri në çdo sulm, sprovë apo dyshim: “Unë jam lutur për ju”!

Po, kur je konfuz në mendime apo kur ke dhimbje në trup, ose një temperatyrë të lartë, nuk mund të lutesh dot për veten dhe nuk ke afër asnjë mik që të ndërmjetësojë për ty te Perëndia, mos harro që është dikush, Miku i miqve, Avokati përherë i zoti, Ndërmjetësi që nuk lodhet kurrë – nuk është ndonjë shenjtor ndërmjetësues apo ndonjë engjëll – por vetë Biri i Perëndisë, i cili është në praninë e Perëndisë çast pas çasti për ty. Prandaj, fiksoji sytë e besimit tënd mbi ndërmjetësimin e Krishtit; Ai ndërmjetëson për besimin e dobët, për besimin e sprovuar, për besimin e tunduar – po, për atë që mendon se nuk ka besim. Nuk ka asnjë besimtar që nuk mbahet në zemrën e Tij, nevojat dhe lutjet e të cilit të mos paraqiten në ndërmjetësimin e Tij të pandërprerë.

Kur e konsideron veten të neglizhuar dhe të harruar, në qiell ka një Shpëtimtar që lutet dhe mendon për ty. Kur je i lodhur dhe i rrëzuar, i tunduar dhe i penguar, Kryeprifti ndërmjetësues hyn në atë çast në shenjtërore për të kërkuar për ty forcë, ngushëllim dhe hir që të ngre lart. Kur mëkati të ka plagosur, kur faji të ka shqetsuar, kur mosbesimi të ka errësuar pamjen, kush qëndron në hendek për ty, kush ndërmjetëson për ty, kush e largon errësirën dhe kthen sërish buzëqeshjen e një Ati të mëshirshëm? Zoti Jezus, Shpëtimtari që ndërmjetëson.

Hidhe vështrimin lart ti besimtar i lodhur dhe i sulmuar! Ti ke një Mik në oborrin e qiellit, ke një Avokat para fronit të qiellit, ke një Ndërmjetës që ka hyrë përtej velit në shenjtëroren e shenjtëroreve i cili paraqet të gjitha shqetësimet e tua dhe përmes të cilit mund t’i afrohesh Perëndisë me guxim!


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*