15 Dhjetor – Octavius Winslow
15 Dhjetor
“Por kur të vijë Ngushëlluesi, që do t’ju dërgoj prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua.” Gjoni 15:26
Për sa i përket pikëllimit frymëror të një fëmije të Perëndisë – ato që janë karakteristike vetëm për një besimtar në Jezusin – ne besojmë se një zbulesë e Jezusit është burimi më i madh i ngushëllimit tek i cili Fryma e udhëheq shpirtin. Këtu është burimi i vërtetë i ngushëllimit. Për çfarë ngushëllimi më të lartë kemi nevojë? Çfarë mund të kemi më tepër? Kjo mjafton për të shëruar çdo plagë, për të tharë çdo lot, për të zbutur çdo brengë, për të lehtësuar çdo kryq, të depërtojë me dritë çdo re të errët, dhe për t’i sheshuar vendet dredha-dredha – mjafton që shpirti besues ka Jezusin. Çfarë ka besimari nëse ka Jezusin? Ai ka larjen e plotë të të gjitha mëkateve të tij. A nuk është ky ngushëllim? Na thoni se çfarë mund t’i japë ngushëllim një fëmije të Perëndisë përveç kësaj? Ku mund të shkojmë nëse kjo dështon? A do t’i tregosh vallë botën – gjithë hiletë e kënaqësisë së saj – planet e saj për të grumbulluar pasuri – apo lumturinë e saj në familje?
Këto janë burime të mjera ngushëllimi për një shpirt të zgjuar nga gjumi! Janë kanale të varfëra dhe boshe për një njeri që ka njohur sëmundjen e tij të brendshme! Ajo që ai ka nevojë të dijë është falja e borxhit prej dhjetë mijë talentesh – anulimi i plotë i borxhit që i kishte drejtësisë së prerë – heqja tej e gjithë ligësisë së tij si një re e dendur. Derisa ky fakt i madh të jetë i sigurt për ndërgjegjen e tij, çdo ngushëllim tjetër është thjesht një ëndërr fëmijërie, një hije që humbet, një avull që tretet. Por Fryma i Shenjtë e ngushëllon besimtarin duke e udhëhequr atë te kjo e vërtetë e bekuar – falja e plotë e mëkatit. Kjo është polemika e madhe që Satani ka me besimtarin. Ta bëjë atë që të dyshojë faljen e mëkatit, ta shkëpusë mendjen nga ky fakt i madh, kjo është përpjekja e vazhdueshme e këtij kryearmiku.
Kur mosbesimi është i fuqishëm, kur mëkati brenda është i fortë, kur sprovat e jashtme janë të shumta dhe të dhimbshme, dhe në mes të gjithë kësaj, vështrimi i tij largohet nga Krishti, atëherë vjen çasti i Satanit për t’iu sulur ndërgjegjes së besimtarit duke i kujtuar gjithë paudhësitë që ai ka kryer ndonjëherë. Si na ngushëllon Fryma e bekuar në atë çast? Duke shpalosur madhështinë, përsosmërinë dhe efektshmërinë e ofertës përmes të cilës Jezusi i ka larë një herë e përgjithmonë mëkatet e popullit të Tij dhe i ka përsosur ata që po shenjtërohen. Oh çfarë ngushëllimi që i përcjell kjo e vërtetë një besimtari të frikësuar, të shqetësuar dhe në ankth, kur Fryma ngjall besim në zemrën e tij, ai mund të shohë lart dhe të dallojë që të gjitha mëkatet e tij janë vendosur mbi Jezusin në çastin e shlyerjes, dhe kështu nuk ka mbetur më asnjë dënim!
Fëmjë i dashur i Perëndisë, pavarësisht se mund të ndihesh i mjerë dhe i padenjë në veten tënde, kjo e vërtetë është për ty. Pranoje, mikprite, përqafoje dhe mos mendo se kjo është tepër e kushtueshme për një të padenjë si ti. Kjo vjen nga zemra e Jezusit dhe nuk mund të jetë më e lirë se kaq. “Lum ai të cilit i është falur shkelja dhe të cilit i është mbuluar mëkati.” Duke pasur Jezusin, çfarë tjetër ka besimtari? Ai zotëron një drejtësi në të cilën Perëndia e sheh të plotë dhe të pranuar, nga fillimi i vitit deri në fund të tij. A nuk është ky ngushëllim? Të jesh “i plotë në Të” – në mes të shumë papërsosmërive, dobësive, mangësive dhe prirjeve të shumta për t’u endur, e megjithatë çfarë ngushëllimi që është për zemrën e pikëlluar dhe të drithëruar të kethehet dhe të gjejë prehje në këtë të vërtetë, “që besimtari është drejtësuar nga çdo gjë,” dhe qëndron i pranuar në të Dashurin për lëvdim të lavdisë së hirit Hyjnor! Perëndia e sheh atë të panjollë në Jezusin sepse Ai sheh Birin e Tij në të cilin Ai është plotësisht i kënaqur, dhe duke e parë shpirtin besimtar në Të mund të thotë, “Ti je e tëra e bukur, mikja ime, dhe nuk ka në ty asnjë të metë.”
Ngushëlluesi i bekuar ia përcjell këtë të vërtetë shpirtit të trazuar, e bën që të gjejë prehje në të; dhe ndërsa besimtari e kupton pranimin e tij të plotë në drejtësinë e Krishtit dhe ngazëllon në të vërtetën, ai qan sikur të mos ketë qarë kurrë, vajton sikur të mos ketë vajtuar kurrë për prirjen e përhershme të zemrës së tij për t’u endur nga Perëndia që e ka dashur kaq shumë. Vetë ngushëllimi që është derdhur në shpirtin e tij nga kjo e vërtetë e bën të bjerë përmbys në pluhur dhe ia bën zemrën t’i gufojë me dëshira të zjarrta për shenjtëri.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!