A përlëvdohet Perëndia në ata që e mohojnë Atë?

nga John Piper

Ne e dimë që Perëndia përlëvdohet më tepër në ata që e duan Atë më tepër dhe që Perëndia përlëvdohet më tepër në ne kur ne kënaqemi më tepër në Të. Por a përlëvdohet Perëndia sadopak nga ata që e mohojnë Atë? Kjo pyetje na vjen nga një prej dëgjuesve tanë ndërkombëtarë të quajtur Jenred.

Ai pyet, “Pastor John, nëse Perëndia përlëvdohet më tepër kur ne kënaqemi më tepër në Të, pse Ai përdor këtë refren pothuaj konstant, “që ju ta dini se unë jam Zoti,” kur u referohet gjërave që nuk do të sillnin kënaqjen e ndokujt, dhe sigurisht nuk u bënë për këtë qëllim të veçantë? Ka shumë raste kur mua më duket se Perëndia është përsosmërisht i kënaqur që njerëzit të shohin lavdinë e Tij dhe të kuptojnë që Ai është Perëndi, edhe pse ky kuptim gjendet në tmerr dhe gjykim. Si e shpjegoni ju këtë gjë?”

Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, në mënyrë të veçantë për dikë si puna ime, për një Hedonist të krishterë. Kjo është një pyetje e rëndësishme për këdo sepse ka të bëjë me qëllimet përfundimtare të Perëndisë, si në gjërat e dhimbshme ashtu dhe në ato të kënaqshme. Kjo është një pyetje rreth mënyrës sesi këto qëllime lidhen me lavdinë e Perëndisë dhe me përkushtimin e Tij për të përlëvduar Veten në gjithçka që bën.

Lartësimi i lavdisë së Tij
Më lejoni që ta riformuloj pyetjen në mënyrë që të gjithë ta kemi të qartë dhe ta dallojmë rëndësinë e saj. Personi që na bën pyetjen po reagon ndaj pretendimit kryesor të Hedonizmit të Krishterë – domethënë, Perëndia përlëvdohet më tepër në ne kur ne kënaqemi më tepër në Të. Pyetja e tij me të drejtë hamendëson faktin që Perëndia është i zellshëm për lavdinë e Tij. Ai është gjithmonë i përkushtuar për të lartësuar, madhëruar dhe komunikuar lavdinë e Tij.

Ai po i referohet pyetjes së parë të Katekizmit të Uestminsterit e cila thotë, “Cili është qëllimi kryesor i njeriut?” Pastaj jep përgjigjen, “Qëllimi i kryesor i njeriut është të përlëvdojë Perëndinë dhe të kënaqet me Të përjetë.”

Pyetja e Jenredit fillon duke paraqitur gjërat për të cilat biem dakord:
1. Perëndia gjithmonë lartëson, madhëron dhe komunikon lavdinë e Tij në gjithçka që bën në histori.
2. Perëndia përlëvdohet më tepër në ne kur ne kënaqemi më tepër në Të.

Këto dy premisa janë biblike dhe besoj se duket që Jenred bie dakord. Për Jenredin ato krijojnë probleme – probleme për të kuptuar vargje si ky tek Ezekieli: “Do të pranojnë që unë jam Zoti, kur ta kem katandisur vendin në mjerim dhe në shkreti për shkak të të gjitha gjërave të neveritshme që kanë kryer.” (Ezekieli 33:29).

Ne librin e Ezekielit, profeti thotë 72 herë që Perëndia do të bëjë gjëra që të mund ta dini se Ai është Zot. Kjo është e mahnitshme. Ndodh herë pas here. Prandaj, Jenred me të drejtë hamendëson që kjo është një shprehje e zellit të Perëndisë për lavdinë e Tij.

Pastaj ai identifikon problemin – disa nga këto gjëra që Perëndia i bën në mënyrë që ne të mund të dimë se Ai është Zot, në mënyrë që Ai të mund të marrë lavdi, janë gjëra të dhimbshme ndaj nesh dhe që nuk nxitin tek njerëzit gjetjen e kënaqësisë në Perëndinë. Ai vret mendjen, “Nëse Perëndia përlëvdohet më tepër kur ne kënaqemi në Të, si mund të marrë Ai lavdi sikurse thotë Ezelieli që Ai merr duke bërë gjëra që nuk na kënaqin por na dënojnë – duke i dërguar njerëzit në ferr?”

Ja, tek janë të paktën dy përgjigje.

1. Lavdia globale e Perëndisë
Së pari, kur unë them, “Perëndia përlëvdohet më tepër në ne kur ne kënaqemi më tepër në Të,” po i referohem mënyrës sesi Perëndia përlëvdohet apo madhërohet më tepër në ne – domethënë, në ne që besojmë. Nuk jam duke folur për një deklaratë të përgjithshme dhe kozmike për mënyrën sesi Perëndia e madhëron lavdinë e Tij në univers. Jam duke folur për faktin nëse Perëndia përlëvdohet më tepër këtë pasdite në zemrën dhe jetën e John Piper përmes faktit që unë jam i kënaqur në Të, apo nëse është përlëvduar më tepër këtë pasdite ndërsa unë jam më pak i kënaqur në Të.

Kjo është çështja, sepse ajo për të cilën po përpiqem të argumentoj është që të gjithë besimtarët duhet të ndjekin, madje ta ndjekin me gjithë forcën e tyre, kënaqësinë maksimale në Peërndinë dhe jo tek paraja, seksi, argëtimi, familja apo shërbesa. Argumenti im për atë kërkim është që Perëndia përlëvdohet me pak në një ditë të caktuar në zemrën dhe mendjen time nëse bindem me murmuritje në vend që të bindem me gëzim për shkak se Ai ma kënaq shpirtin.

Kjo është përgjigja e parë. Deklarata që Perëndia përlëvdohet më tepër në ne kur ne kënaqemi më tepër në Të nuk është një deklaratë për mënyrën sesi Perëndia e madhëron lavdinë e Tij në gjithësi dhe në të gjitha krijesat e Tij. Kjo është një deklaratë për mënyrën sesi Perëndia i urdhëron njerëzit e Tij ta përlëvdojnë Atë në këtë botë në zemrat e tyre.

2. Lavdia e zemërimit të Tij
Përgjigja e dytë: kur njerëzit refuzojnë të kënaqen në Perëndinë dhe të jetojnë një jetë që preferon gjëra të tjera mbi Perëndinë dhe duke gjetur më tepër kënaqësi në gjëra të tjera dhe jo në Perëndinë, atëherë madhërohet lavdia e zemërimit të Tij në dënimin e tyre të drejtë. Me fjalë të tjera, Perëndia nuk përlëvdohet vetëm kur njerëzit e Tij kënaqen në Të. Ai përlëvdohet gjithashtu kur sfidohet nga njerëzit dhe pastaj derdh mbi ta një zemërim të shenjtë dhe të drejtë, duke e bërë të dukshme kështu lavdinë, drejtësinë dhe bukurinë morale të atij zemërimi.

Kjo është ideja e Romakëve 9:22-23. Aty thuhet kështu: “Dhe çfarë të thuash nëse Perëndia, duke dashur të tregojë zemërimin e tij dhe të bëjë të njohur pushtetin e tij duroi me shumë zemërgjërësi enët e zemërimit që qenë bërë për prishje? Dhe që të bëjë të njohur pasuritë e lavdisë së tij ndaj enëve të mëshirës, të cilat i përgatiti për lavdi.” Kjo është ajo që po ndodh tek Ezekieli kur në mënyrë të përsëritur Perëndia thotë, “Që ju të dini se unë jam Zot.” Kjo është e vërtetë edhe kur Ai është duke kryer vepra gjykimi.

Perëndia ka për qëllim që bota shohë Atë si të lavdishëm, si në mëshirën e Tij ashtu dhe në zemërimin e Tij. Nuk është sikur Perëndia të ishte i lavdishëm kur tregon mëshirë dhe i palavdishëm kur tregon zemërim dhe gjykim. Si zemërimi ashtu dhe mëshira e Tij janë të dyja të lavdishme. Ato janë përsosmërisht të drejta, përsosmërisht në raportin e duhur, dhe shprehen në mënyrë të përsosur.

Nën dritën e logjikës së Romakëve 9:22-23 do të thosha që pjesë e lavdisë në shfaqjen e zemërimit dhe mëshirës është se qëllimi i Perëndisë në zemërim është që ta bëjë mëshirën të duket edhe më e mahnitshme, edhe më e çmuar, edhe më e bukur, edhe më e lavdishme.

Lavdia e Perëndisë në gjykim
Më lejoni ta mbyll ashtu sikurse mbyllet edhe Bibla tek libri i Zbulesës, ndërsa lavdia e Perëndisë, lavdërimet e Perëndisë, ngrihen si reagim ndaj gjykimit ashtu dhe si reagim ndaj shpëtimit. Ja Zbulesa 19, me disa pjesë të shkëputura nga vargjet 1-7:

Dhe pas këtyre dëgjova në qiell zërin e madh të një turme të shumtë, duke thënë: ”Haleluja! Shpëtimi, dhe lavdia, dhe nderimi, dhe fuqia i përkasin Zotit, Perëndisë sonë, sepse të vërteta dhe të drejta janë gjykimet e tij! Ai në fakt gjykoi laviren e madhe, që e prishi dheun me kurvërinë e saj, dhe mori hak për gjakun e shërbëtorëve të vet të derdhur prej dorës së saj”.

Dhe thanë për të dytën herë: ”Haleluja! Dhe tymi i saj ngjitet në shekuj të shekujve”.

Dhe dëgjova një si zë i një turme të madhe, dhe si zë shumë ujërash dhe si zë bubullimash të forta, që thoshte: ”Haleluja, sepse filloi të mbretërojë Zoti, Perëndia ynë, i Plotfuqishmi!. Le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi dhe le t’i japim atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit dhe nusja e tij është përgatitur!

Haleluja e lavdisë së Perëndisë do të kumbojë në jetë të jetëve, si për mëshirën e përjetuar në dasmën e Qengjit, ashtu dhe për gjykimin që bie mbi ata që e kanë hedhur poshtë mëshirën dhe e kanë çnderuar Perëndinë në mosbesim. Asnjë gjë që them apo nënkuptoj me fjalinë “Perëndia përlëvdohet më tepër në ne kur ne kënaqemi më tepër në Të,” nuk ka për qëllim të bjerë ndesh më këto që kam thënë këtu, përkundrazi kjo fjali afirmon gjithçka.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*